E martë, 25 Mars, 2025
13.8 C
Skopje

MË PAK KOPSHTE, MË PAK GRA NË PUNË! Edhe 2000 fëmijë do mbeten jashtë çerdheve

Gjoko Velkovski, zëvendësministër i politikës sociale, ka njoftuar se deri në shtator të këtij viti do të ndërtohen kopshte të reja dhe do të zgjerohet kapaciteti i atyre ekzistuese, duke krijuar hapësirë për 2800 fëmijë dhe duke ulur listat e pritjes me 55 deri 58 për qind. Në këtë mënyrë, problemi i mungesës së kopshteve do të zgjidhet vetëm pjesërisht, pasi rreth 4800 fëmijë janë në pritje, pra 2000 fëmijë të tjerë do të mbeten ende pa mundësi për t’u regjistruar

Anëmsha SHABANI

Shkup, 9 shkurt – Mungesa e kopshteve tashmë është bërë një nga problemet e mëdha në vend, me ndikime të dukshme në jetën profesionale dhe familjare të shumë prindërve, e sidomos grave. Vitet e fundit, shumë gra janë të detyruara të braktisin punët e tyre për të mbajtur fëmijët në shtëpi, pasi pamundësia për t’i regjistruar fëmijët në kopshte, ka bërë që shumë familje të përballen me sfida të mëdha. Disa gra kanë zgjedhur të përkushtohen plotësisht në kujdesin për fëmijët, duke mos pasur mundësi të ruajnë balancën mes jetës profesionale dhe asaj familjare. Nga ana tjetër, disa prindër të tjerë janë të detyruar të largojnë fëmijët e tyre nga shtëpia dhe t’i besojnë kujdesin e tyre te të afërmit ose prindërit e tyre. Kjo ka sjellë shqetësime të mëdha dhe ka nxitur reagime të ndryshme, duke përfshirë edhe përpjekjet e autoriteteve për të adresuar këtë problem.

Teuta Beqiri, nënë e dy fëmijëve deklaroi për gazetën KOHA se për t’iu përkushtuar të fëmijëve të saj, ishte e detyruar të lërë punën, pasi fëmija i parë shkon në shkollë ndërsa i dyti, për shkak të mungesës së kopshteve, mbetet i pa regjistruar.

“Për djalin tim të parë, isha e detyruar ta dërgoja te prindërit e mi të moshuar, duke e zgjuar çdo mëngjes dhe duke e marrë në mbrëmje, ndërsa tani që ai është në shkollë dhe fëmija tjetër nuk mund të regjistrohet për shkak të mungesës së kopshteve, u detyrova të lë punën, pasi nuk kam mundësi t’i dërgoj njëri në shkollë dhe tjetrin ta mundoj çdo ditë. Për mua, hapja e më shumë kopshteve do të ishte një zgjidhje për këtë problem”, theksoi ajo.

Ndërkaq, Gjoko Velkovski, zëvendësministër i politikës sociale, demografisë dhe rinisë, ka njoftuar se deri në shtator të këtij viti do të ndërtohen kopshte të reja dhe do të zgjerohet kapaciteti i atyre ekzistuese, duke krijuar hapësirë për 2800 fëmijë dhe duke ulur listat e pritjes me 55 deri 58 për qind. Në këtë mënyrë, problemi i mungesës së kopshteve do të zgjidhet vetëm pjesërisht, pasi rreth 4800 fëmijë janë në pritje, pra 2000 fëmijë të tjerë do të mbeten ende pa mundësi për t’u regjistruar. Kjo do të përballojë vetëm një pjesë të kërkesës, por nuk do të mbyllë plotësisht hendekun.

Ndërkaq, zëvendësministri ka shtuar gjithashtu se Ministria po shqyrton mundësi për zhvillimin e kopshteve private përmes subvencioneve. Ky opsion, megjithatë, mund të jetë më i mundshëm për familjet që kanë mundësi ekonomike, duke theksuar se nuk do të ofrohet kompensim për familjet që përballen me shpenzime të larta për këto shërbime. Një tjetër mundësi që po shqyrtohet është ligjërimi dhe formalizimi i punës për kujdestarët, duke u mundësuar atyre të paguajnë kontribute dhe të punojnë me licencë nga Ministria e Politikës Sociale. Kjo do të sigurojë mundësi më të sigurta dhe ligjore për kujdesin ndaj fëmijëve, megjithatë, shërbimet e kujdesit me orar të plotë janë të shtrenjta për shumë prindër, pasi çmimet mund të arrijnë deri në 20.000 denarë dhe më shumë.

Sipas hulumtimit të “Reaktor”, mungesa e kopshteve ka një ndikim të konsiderueshëm në përfshirjen e grave në tregun e punës. Në komunat që disponojnë të paktën një çerdhe, përqindja e grave të punësuara është 34.6 për qind, ndërsa në ato që nuk kanë asnjë, kjo shifër bie në 21.3 për qind, duke thelluar hendekun dhe vështirësitë për gratë që përpiqen të balancojnë punën dhe kujdesin për fëmijët. Po ashtu, në Komunën e Qendrës, ku përqindja e fëmijëve të përkujdesur është 64.3 për qind, vërehet një nivel më i lartë përkujdesjeje për fëmijët, ndërsa në komunat si Shuto Orizare dhe Likovë, përqindja bie nën 3 për qind, duke treguar pabarazi të theksuar në mundësitë e kujdesit të fëmijëve. Kjo ka krijuar një pasiguri të madhe për familjet dhe ka kontribuar në thellimin e pabarazisë gjinore në tregun e punës.

Ndryshe, sa për krahasim, mesatarja e fëmijëve të përkujdesur në kopshtet e fëmijëve në BE është 92.2 për qind, ndërsa te ne kjo shifër është vetëm 39.8 për qind, që tregon qartë hendekun e madh që ekziston dhe nevojën për veprime urgjente. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm