Nga Frrok Çupi
E dini çfarë po bëni të nderuar ligjvënës? Po ngrini një komision ose një ligj, ose edhe një gisht kundër shpifjes në media… E dini çfarë po bëni? Ju nuk mund ta asfiksoni median…; sepse të ndalosh shpifjen i ke zënë frymën medias. Por media mund ta bëjë asfiksinë ndaj jush, madje edhe ndaj nesh të gjithëve. Gia e ka bërë.
Ende jemi shpejt, veç sapo e keni lëshuar lajmin se jeni kundër shpifjes. Madje nuk keni guxuar as të thoni se e dënoni shpifjen. Madje nuk keni deklaruar as se do të bëni ligj kundër shpifjes ose lajmit të rremë, ose informacionit të rremë. Nuk dua të jem pesimist, por kam përshtypjen se as do të guxojë‘Panteoni i Demokracisë’ që tëprekë në ‘folenë e grerëzave’.
Që të jemi ‘fair’, siç kanë nisur të thonë disa nga ata që shpifin më shumë, Folejë e Grerëzave është më e fuqishme se vetë Panteoni i Demokracisë.
Dhe që të jemi më afër kësaj frike, të themi se qeveria e sotme është e vetmja që ka çmendurinë sa të fusë duar në atë fole. Qeveritë e tjera kanë hyrë vetë në folën e grerëzave, kanë bashkëpunuar me krijesat e hidhësisë dhe kanë helmuar popullin e tyre.
Vallë do ta ketë guximin kjo qeveri? Nëse po, atëherë do të sulmohet nga foleja por do të admirohet nga fusha e gjerë e popullit dhe e kombit. Një qeveri që nuk i përkulet medias, ajo dëshmon se ‘nuk kanë ku ta kapin’. Vetë ky krah politik e ka provuar skëterrën: Në vitin 2005 media përhapi thirrjen “mblidhuni të gjithë qelbësirat të rrëzojmë Fatos Nanon!’. Dhe e bënë.
Me median shpifëse, akoma më keq se me krijesën e keqe mitike. Media shpifëse mbështetet në dy këmbë: Gënjeshtër dhe Propagandë. Gënjeshtra përdoret si këmbëshpejti që e çon të keqen larg e thellë, ndërsa propaganda për të rrëzuar të vërtetën që u shikojnë sytë e u dëgjojnë veshët njerëzve. Pa këto dy të këqija, as vetë politika e keqe nuk do të jetonte; prandj kujdes me folenë e grerëzave. Nëse qeveria guxon e fut duart në ‘fole’ atëherë do të dalë e ënjtur, e sharë, e shpifur, madje edhe e shitur te kundërshtarët e vet nëpër botë.
A nuk i ndoqëm vetëm kohët e fundit sa njerëz dolën në ekranet e mediave dhe kërcënuan kombin shqiptar se ‘ta rregullon qejfin Greqia e Belerit!’.
A nuk dëgjuam thirrjet për të vrarë prokurorët që guxojnë?
A nuk ndiheni keq mes tyre nëse lavdëroni Shqipërinë, a bukuritë e vendit, a virtytet e njerëzve, a vetë ajrin e Shqipërisë!? Jo, e kanë ndaluar krenarinë dhe realitetin kombëtar. Këta thonë se ‘ça thu ti, paska Shqipëri që konkurron në botë?’.
Media shpifëse është dhunuesja më e egër e jetës së njeriut dhe personalitetit të kombit.
Media shpifëse është një univers i tërë, shumë më i madh se ‘lajmi i rremë’. Qytetërimi i sotëm është në alarm kundër kësaj ‘bombe’. Ligjvënësit tanë po përpiqen të vihen në radhën e aleatëve të mëdhenj për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend, përballë shpifjes dhe dezinformimit. Po vallë, do të mund të fitojnë betejën me gjithë ekosistemin e keqinformimit?
Jam pa shpresë.
Ligjvënësit kanë ligjet, por media shpifëse nuk ka punë me ligjet; ajo i shkel ligjet dhe askush nuk e ndalon. Media shpifëse ka aleatë të fshehtë nëpër botë e nëpër zgafella të vendit; media ka financa të fshehta; media shpifëse ka vila dhe makina luksoze; ka popull me vete. Madje ka ofertën për politikën: ‘I dashur aspirant, a do të bëhesh i madh në pushtet? Eja te unë, berberi i Seviljes’.
Shpifjen dhe dezinformonin nuk e kap ligji. Njeriu i medias, njësoj si ministri i të vërtetës, i ul kokën gjykatësit dhe prokurorit. ‘Unë jam vetë liria e fjalës’, thotë ky lloj njeriu. Edhe gjykatësi këtë frazë thotë para shpifjes dhe denigrimit të individit dhe kombit.
Kam një pyetje si një retorikë: Vallë Olsi Rama ç’pati që kërkon të drejtën kundër shpifjes, në gjykatë? As ka për të gjetur të drejtën. Pyetjen e bëj edhe për vete: Po unë ç’po heq tre vjet duke kërkuar të drejtën kundër një shpifësi gazetar, nëpër gjykata?
Mandej edhe pyetja kapilare: ‘Po ç’deshëm në vitet ’90 që bashkë me disa kolegë, nisëm rrugën e çlirimit të ‘fjalës së lirë’?
Shpifja është tirania mbi të gjitha; do të kemi aq pak liri sa të na lejojë Shpifja. (koha.mk)