Felipe Melo beson se Interi ka gabuar që ka vendosur Mauro Ikardi si kapiten i skuadrës, sepse atij i mungon përvoja. 24-vjeçari e mori shiritin nga Andrea Ranokia gjatë sezonit 2015-16, kur Roberto Mançini u bë trajner i ekipit, por pavarësisht nga paraqitjet e mira në fushën e lojës, Ikardi është bërë protagonist edhe për jetën sociale, ku është martuar me Vanda Nara, ish-gruaja e Maksi Lopez. Në mes të këtij sezoni, Ikardi nxori edhe një autobiografi, e cila krijoi polemika me tifozët për ato që kishte shkruar.
“Ai është shumë i ri dhe ka shumë për t’u rritur, pavarësisht se tani është shumë i fortë dhe një nga sulmuesit më të mirë”, tha Felipe Melo, i cili u largua nga Interi në janar të këtij viti për ta vazhduar karrierën te Palmeiras.
“Nëse ai nuk shënon, Inter nuk fiton. Duket qartë që është një futbollist shumë i rëndësishëm për skuadrën, por unë mendoj se shiriti i kapitenit është diçka tjetër dhe Ikardi nuk duhet të jetë kapiteni i Inter, për momentin të paktën. Kapiteni duhet të ketë respektin e të gjithë kundërshtarëve, por pjesa më e madhe e atyre që ka përballë nuk e konsiderojnë të tillë”, nënvizoi më tej braziliani.
Ndërkohë, Melo ka dalë edhe në mbrojtje të Gabigolit. “Ka shkuar tek Inter në një moment delikat. Duhet të ketë durim dhe klubi duhet të kuptojë se do të duhet të mbështetet tek ai. Po flasim për një djalosh 20 vjeç, i cili nuk është mësuar akoma me botën italiane, sepse në Brazil gjithçka është ndryshe. Mendoj se është një lojtar shumë i fortë. E ka treguar këtë në Brazil, me Santosh dhe me kombëtaren”, përfundoi Melo.