Rrugët e asfaltuara ‘vetë-shëruese’ mund të ofrojnë së shpejti një zgjidhje për krizën e gropave në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një studimi të ri. I projektuar me inteligjencë artificiale, një lloj i ri asfalti i bërë nga mbeturinat e biomasës mund të korrigjojë çarjet e veta pa pasur nevojë për mirëmbajtje ose ndërhyrje njerëzore. Shkencëtarët në Universitetin Swansea në Londër kanë gjetur metoda duke shpresuar për të krijuar rrugë më të qëndrueshme.
I njohur gjithashtu si bitum, asfalti është një substancë e zezë ngjitëse që rrjedh nga nafta bruto, e përdorur gjerësisht për të ndërtuar rrugë, autostrada dhe pista aeroportesh. Studiuesi kryesor dhe eksperti në asfaltin ‘vetë-shërues’ në Universitetin Swansea, Dr. Joe Norambuena-Contreras, tha se qasja do të ndihmonte zhvillimin e rrugëve pasi emetimet e karbonit në rrugë mund të lidhen kryesisht me prodhimin e asfaltit. Ai i ka bërë thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe sektorit privat, që të investojnë në iniciativën për të përmbushur objektivat.
Dr. Francisco Martin-Martinez nga King’s College në Londër, tha se kërkimi synon të imitojë vetitë shëruese të vëzhguara në natyrë. “Krijimi i asfaltit që mund të shërohet vetë do të rrisë qëndrueshmërinë e rrugëve dhe do të zvogëlojë nevojën që njerëzit të mbushin gropat”-tha ai. Ai shtoi se studimi do të përdorë gjithashtu materiale të qëndrueshme në asfaltin e ri, duke përfshirë mbetjet e biomasës, duke reduktuar varësinë nga burimet natyrore. Ndërsa ende në zhvillim, ekipi hulumtues tha se ka potencial për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të avancuar qëndrueshmërinë globalisht.
Kushtet e rrugëve lokale në Angli dhe Uells ishin në nivelin më të ulët historik në 2024 për shkak të “dekadave të nënfinancimit”, sipas një sondazhi vjetor nga Aleanca e Industrisë së Asfaltit. Ai vlerësoi se do të kushtonte më shumë se 16 miliardë funte për të trajtuar numrin e mbetur të riparimeve. Disa komunitete në qarkun Wrexham, kohët e fundit u drejtuan për ta bërë fshatin e tyre të mbushur me kratere një atraksion turistik, duke e quajtur atë “tokë me gropa”. Banorët thonë se kushtet janë bërë aq të këqija, sa vizitorët dhe shoferët refuzojnë të shkojnë me makinë në shtëpitë e tyre.