Lionel Messi më në fund ka rënë dakord për një marrëveshje të re pesëvjeçare me Barcelonën, sipas njoftimeve që vijnë nga Spanja. Dhe kushdo që shpreson ta rrëmbejë superstarin argjentinas nga “Camp Nou” do të duhet të paguajë klauzolën e tij të çlirimit prej 350 milionë euro.
Në një intervistë me “Tencent Sports”, të botuar nga ESPN, ylli i Argjentinës tha se donte ta përfundonte karrierën e tij te Barcelona, klubi me të cilin u bashkua që 13-vjeçar. “Kjo është ajo që kam kërkuar dhe kam ëndërruar gjithmonë. Do të doja ta përfundoja karrierën time te Barcelona,” tha Messi.
Ndryshe, 29-vjeçari, është lidhur me skuadra nga Premier Liga si Çellsi dhe Mançester Siti, gjatë bisedimeve të zgjatura të rinovimit me Barcelonën. Marrëveshja e tij ekzistuese skadon më 2018, çka do të thotë se gjigantët e La Ligas rrezikojnë ta humbasin pesë herë fituesin e “Topit të Artë” për asgjë, nëse nuk mund të arrihet një marrëveshje rinovimi. Është raportuar se babai i Messit, Jorge, ka qenë në Katalonjë gjatë ditëve të fundit për diskutime me bosët e Barcelonës. Dhe, sipas Marca, të dyja palët tani kanë pranuar një kontratë të re në parim. Kuptohet që “pakoja” e re e Messit do të ndryshojë nga viti në vit, bazuar në shumë faktorë. Por besohet se ai mund të kapërcejë shifrat kineze, për t’u bërë lojtari më i paguar në botë, duke marrë një rrogë prej 800 mijë euro në javë. Marrëveshja do të vijë si një lehtësim i madh për trajnerin e ri të Barcelonës, Ernesto Valverde.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka gëzuar një karrierë të mbushur me trofe në “Camp Nou”, duke fituar tetë tituj të La Ligas dhe katër kurora të Ligës së Kampionëve. Ai është zhvilluar në një nga lojtarët më të mëdhenj në botë, duke e fituar pesë herë “Topin e Artë”, si askush tjetër më parë. Derisa, Messi shënoi 54 gola në 52 ndeshje për Barcelonën, pasi skuadra e tij përfundoi e dyta në La Liga, dhe fitoi “Copa del Rey”. Ai është aktualisht në Amerikën e Jugut për miqësoren kundër Brazilit dhe Singaporit, që do të luhen më 9 dhe 13 qershor.