E mërkurë, 19 Mars, 2025
8.8 C
Skopje

Mickoski te Orbani: Nuk pranojmë diktat të BE-së

Mickoski dhe Orbani në konferencën e tyre para mediave, më tepër minuta shfrytëzuan duke folur në lidhje me situatën e krijuar në Ukrainë sesa për marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive. Nuk nguruan edhe të japin kritikat e tyre në adresë të BE-së

Ersan PAJAZITI

Shkup, 4 mars – Hungaria dhe Maqedonia e Veriut forcojnë marrëdhëniet e tyre bilaterale. Megjithatë, edhe pse mbledhje e dy qeverive ishte për të nënshkruar projekte në , përfaqësuesit e dy qeverive duket se më shumë vëmendje i kanë dhënë çështjeve gjeopolitike. Mickoski dhe Orban në konferencën e tyre para mediave, më tepër minuta shfrytëzuan duke folur në lidhje me situatën e krijuar në Ukrainë, se sa për marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive. Nuk nguruan edhe të japin kritikat e tyre në adresë të BE-së. Më i ashpër në kritikat e tij drejtuar BE-së ishte kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili tha se Hungaria mbështet përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrëveshje me Rusinë për ndalje të luftës në Ukrainë, deri sat ha se me shtetet e BE-së nuk kanë mirëkuptim lidhur me këtë temë, shkruan gazeta KOHA.

“Ne grindemi me shtetet e BE-së që gjithashtu janë miq tanë, por vendosën që Ukraina të vazhdojë me luftën. Sipas mendimit tim vazhdimi i luftës është e rrezikshme. Në OKB, Maqedonia e Veriut dhe Hungaria vepruan bashkërisht, mbështetëm rezolutën e SHBA-ve, e cila edhe u pranua nga shumica e shteteve anëtare të kombeve të Bashkuara”, theksoi Orban.

Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se paqja mund të arrihet vetëm nëpërmjet një koordinimi të BE-së me SHBA.

“Së bashku mbështesim dhe inkurajojmë që BE të merr një rol më intensiv në procesin e arritjes së paqes së qëndrueshme, përmes partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikën, diçka që është në benefit edhe të vet Evropës”, theksoi kryeministri Mickoski. Megjithatë, Mickoski tha se edhe pse vendi ka mbështetur rezolutën e SHBA dhe jo atë të BE-së për Ukrainën, kjo nuk do të thotë që ndryshon qëllimi strategjik i vendit, raporton KOHA.

“Qëllimi ynë strategjik si shtet që të jemi pjesë e Evropës, është dhe do të mbetet qëllimi ynë strategjik, por duhet të potencojmë se atë që shtetasit maqedonas e kanë dhënë për realizimin e këtij qëllimi strategjik është shumë e shtrenjtë, madje as nuk mund të llogaritet me çmim”, tha kryeministri Mickosski. Ai gjatë fjalës së tij nuk kurseu edhe të ankohet në lidhje me procesin euro-integrues të vendit, i cili sipas Mickoskit, nuk guxon të mbetet peng i çështjeve bilaterale të vendeve anëtare të BE-së.

“Shpresoj që përfundimisht ky proces edhe për ne do të jetë i zhbllokuar me mbështetjen e Hungarisë dhe edhe ne si shtet do të fillojmë të negociojmë. Unë jam i bindur që nëse kemi mundësinë që së shpejti nëse i fillojmë ato negociata në bazë të kritereve të Kopenhagës do ti përfundojmë me sukses dhe do të jemi pjesë e BE-së”.

Orbani, nga ana tjetër, deklaroi se Hungaria do të mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.

“Ne e kundërshtojnë diktatin e BE-së, asnjëherë nuk do ta pranojmë dhe prandaj duhet të paguajmë edhe dënime. I tregova kryeministrit se edhe më tej mund të llogaritin në mbështetjen tanë në drejtim të procesit euro-integrues. Nuk është përgjegjëse RMV për zgjatjen e këtij procesi, por ne, vendet evropiane. Procesi I zgjerimit është I rëndësishëm për rritjen e konkurrencës”, theksoi Orbani. Përndryshe dy vendet u zotuan për thellim të marrëdhënieve të tyre bilaterale dhe të shkëmbimit tregtarë. Madje Orban tha se ekiston potencial për një treg të përbashkët ekonomik në mes Hungarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, por një gjë e tillë për momentin është e pamundur, për faktin se Hungaria është pjesë e BE-së, ndërsa Maqedonia dhe Serbia ende nuk janë anëtare të BE-së.

NË HUNGARI VETËM MINISTRATB E VMRO-së

Ndryshe, pjesë e delegacionit qeveritar që këto dy ditë ndodhet në Budapest janë ministrat nga VMRO-DPMNE dhe koalicionit “Maqedonia Jote”, por jo edhe ministrat nga koalicioni VLEN dhe nga ZNAM. Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, thotë se në Budapest shkuan ministrat të cilët duhej të nënshkruanin projekte e marrëveshje konkrete.

“Po i bie se nuk ka pasur ndonjë projekt konkret, ndonjë marrëveshje konkrete, ne me Hungarinë si vend i BE-së kemi relacione të mira, nëse në të ardhmen do të ketë ndonjë situatë të tillë me ministri të udhëhequr nga kuadrot e VLEN, sigurisht që do të jetë pjesë e këtyre projekteve”, tha mes tjerash Kasami.

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, ka sqaruar se vizita në Budapest është një çështje protokollare e dakorduar sipas protokollit të Hungarisë dhe se çdo ministri që ka një homolog për takim, është e pranishme. Megjithatë këto sqarime të zëdhënëses së qeverisë Miteva dhe kreut të Tetovës Kasami lënë shumë për tu diskutuar, pasi nëse takimet janë bërë në bazë të protokollit në nivel të ministrive mbetet e paqartë përse për shembull me ministrin hungarez për çështje europiane Jonash Boka nuk u takua Orhan Murtezani, por zv/ministrja Viktorija Trajkova. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm