AC Milan tashmë është në kërkim të një trajneri të ri, pasi sipas raportimeve të shumta nga mediat botërore, Stefano Pioli do të lirohet nga pozita e tij në fund të sezonit.
Një emër i ri që po qarkullon dhe i cili po thuhet se është favoriti kryesor për t’u bërë trajneri i ri i Milanit sezonin e ardhshëm është ai i Julen Lopeteguit.
Sipas një raportimi nga Gazzetta dello Sport, Milani pritet që ta emërojë ish-përzgjedhësin e Spanjës si trajnerin e ri të tyre për sezonin e ardhshëm.
Klubi beson se aventurës së Piolit i ka ardhur fundi dhe se është koha për një ndryshim në stafin e trajnerëve.
Fati i teknikut italian u vendos pas humbjes së ‘Rossonerëve’ me rezultat 2-1 ndaj Romës në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Evropës, që shkaktoi eliminimin e tyre nga kjo garë, duke konfirmuar një sezon pa trofe.