Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, së bashku me ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, kanë inspektuar punimet në projektin e ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë.
Sipas ministrit Aliu, ky projekt ky projekt i rëndësishëm, me vlerë mbi 33 milionë euro dhe gjatësi prej 20.349 km, do të rrisë bashkëpunimin mes dy shteteve tona dhe do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave.
Pas përfundimit të rrugës, koha e udhëtimit do të shkurtohet nga tre orë në më pak se një orë, duke ofruar një lidhje më të shpejtë dhe të sigurt përmes peizazhit mahnitës të maleve të Sharrit.
“Mes korridorit 8 në MV dhe të autostradës “Ibrahim Rugova” që lidhë Prishtinën me Tiranën, me ç’rast ky projekt përpos që e lidhë Prizrenin dhe Tetovën, përpos që krijon kushte të mira për zhvillim ekonomik brenda parkut nacional të Sharrit, nga njëra anë, dhe parkut po ashtu nga ana tjetër e RMV-së, krijon edhe lidhje mes korridoreve, respektivisht lidh korridoret mes vete. I gjithë ky projekt do të vazhdojë tash edhe me RMV-në për hartimin e dijzanit për tunelin, me ç’rast që të dyja vendet kemi ndarë buxhet dhe kemi bërë marrëveshje të cilat i kemi ratifikuar në kuvend”, tha Liburn Aliu, ministër i MPHI.
Homologu i tij nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, tha se kjo rrugë do të hap shumë mundësi për të dyja vendet, ndërsa tregoi se ata kanë nënshkruar tenderin për dizajnimin e rrugës për pjesën që i takon atyre e më pas do të bëhet edhe dizajnimi i tunelit të përbashkët në pikën kufitare mes dy shteteve. (Tv21)