Ministria e Financave nga sot fillon negociatat me ministritë e tjera për ribalancin e buxhetit, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
“Pas kësaj konference për media, do të kemi takimin e parë në periudhën që do të vijë, me siguri do të punojmë për disa ditë në negociata të tilla me ministritë përkatëse, ndërsa pastaj do të shohim si do të zhvillohen gjërat. Është ende shumë herët dhe nuk mund t’ju jap detaje tani”, tha Dimitrieska Koçoska.
Ajo theksoi se nesër do të ketë seancë qeveritare, por të mërkurën dhe të enjten, si ministri do të kenë një agjendë të ngjeshur për negociatat dhe detajet rreth ribalancit të buxhetit.
E pyetur nëse do të ketë ulje të taksave të doganave për produktet ushqimore, për të pasur çmime më të ulëta në supermarkete, ministrja Dimitrieska Koçoska deklaroi se për momentin në mbi 60-të kode tarifore nuk janë përfshirë këto produkte, por në pjesën që do të thotë zero taksë doganore për SHBA-në janë përfshirë, edhe pse importi i mishit të ngrirë nga SHBA-ja nuk është i madh.
“Atje kemi import kryesisht të mishit të ngrirë edhe pse janë të vogla sasitë. Por, kemi import edhe nëse ka interes më të madh, do të thotë ka mundësi konkurruese për ndonjë nga kompanitë që ta importojnë atë dhe ta shesë me çmime të njëjta ose më të ulëta se ato që kemi në treg, kjo për ne është pozitive. Sepse ne në fund të fundit, si qytetarë do të kemi çmime më të ulëta për produktet ushqimore dhe kjo sigurisht është një nga objektet që duam të arrijmë”, tha Dimitrieska Koçoska.
E pyetur për propozimin e partisë “E Majta” për rritjen e pagës minimale, ministrja e Financave theksoi se dikasteri që drejton nuk është kompetent për pagën minimale dhe nuk është në kompetencën e tyre. Ata janë vetëm vëzhgues të qetë në bisedimet midis punëdhënësve dhe punonjësve.
“Gjithçka që do të arrihet, ne do ta pranojmë. Këtu duhet të ulen dy palët dhe të bien dakord”, tha Dimitrieska Koçoska.