Sipas drejtoreshës është ministria ajo që manipulon me faktet që nga fillimi i çështjes së zhvendosjes së bibliotekës. Biblioteka shquhet si një institucion që promovon multikulturalizmin në qytetin e Tetovës, e cila ka qenë dhe është qendër kulturore, por ministria deri sa merret me gënjeshtra do të mbetet pikë e zezë e Kulturës, thekson drejtoresha
Evis HALILI
Shkup, 22 shtator –Akuzave të Ministrisë së Kulturës i është përgjigjur me kundërakuza drejtoresha e bibliotekës “Koço Racin” Rezarta Ismaili sipas së cilës është ministria ajo që manipulon me faktet që nga fillimi i çështjes së zhvendosjes së bibliotekës. Ismaili shkruan në reagimin për mediat se institucioni që ajo drejton nuk ndikohet politikisht, ndërsa sjell në vëmendje se gjendja e mjerueshme ku gjendet sot biblioteka ka ardhur si rezultat i agjendave politike në nivel më të lartë që me dekada e kanë neglizhuar. Ismaili përgënjeshtron deklaratën e ministres se nuk janë lejuar të hyjnë në bibliotekë, përkundrazi ata janë mirëpritur çdoherë kur kanë ardhur në vizitë. “Biblioteka shquhet si një institucion që promovon multikulturalizmin në qytetin e Tetovës, ka lexues nga të gjitha etnitetet dhe është një ndër bibliotekat më të suksesshme në RMV. Tetova ka qenë dhe është qendër kulturore ,por ministria deri sa merret me gënjeshtra do të mbetet pike e zezë e kulturës.
Nga biblioteka mohojnë se sipërfaqja ku duhet të zhvendoset biblioteka është 80-100m2 më shumë se hapësirat aktuale, siç deklaroi ministrja. Por bëhet fjalë për 158m2, kurse hapësirat ku duhet të zhvendoset kanë 162m2, nga të cilat 13m2 janë korridore dhe shkallë, domethënë nuk është hapësirë efektive. Do të thotë hapësira kapën 149m2, diku 9m2 më pak se hapësira aktuale. “Reagimet kundër zhvendosjes kanë qenë të përmbajtura unanimisht nga të gjithë punëtorët, këshilli dhe unë si drejtoreshë , dhe kanë qenë të motivuar nga pikëpamja e mbrojtjes së kushteve të punës dhe të shërbimit që u jepet lexuesve. Nuk është e vërtetë siç cek ministrja se ‘që nga fillimi paska ekip që është pajtuar për zhvendosjen dhe ka bashkëpunuar në këtë drejtim”, thuhet në reagim.
Kundërpërgjigja nga Biblioteka e Tetovës erdhi një ditë pas preskonferencës së Ministrisë së Kulturës, ku ministrja Bisera Konstadinovska Stojçevska theksonte se e arsyeton manipulimin e drejtoreshës së Bibliotekës në Tetovë, e cila pretendon se po i bëhet presion dhe se punëtorët nuk duan të lëvizin nga një hapësirë në tjetrën në të njëjtin objekt. “Bibliotekat janë një segment shumë i rëndësishëm në fushën e kulturës, ato janë për të gjithë, askush nuk guxon t’i përdorë bibliotekat për qëllime personale dhe për realizimin e agjendave personale, prandaj apeloj që tensionet se ku do të vendoset Biblioteka të ndalojnë. Unë si ministre e Kulturës nuk do të marr vendim të pamatur dhe këtë e kërkoj nga drejtorët”, tha Stojçevska. Ajo theksoi se në vitin 2027 Biblioteka në Tetovë do të marrë një hapësirë ultra-moderne me salla moderne leximi, dhe hapësira aktuale është zgjidhje e përkohshme, që nuk do të thotë se nëse u pëlqen hapësira aktuale, nuk mund ta përdorin atë në të ardhmen. (koha.mk)