Martesat e të miturave edhe pse janë reduktuar dekadën e fundit janë shqetësuese, sidomos kur kufiri ligjor i moshës për martesë cenohet zyrtarisht. Sipas UNICEF tetë për qind e të gjitha grave të moshës 20 deri në 24 vjeç janë martuar ose kanë bashkëjetuar para moshës 18 vjeç. Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, UNICEF i apelon institucioneve për të ndërmarrë masat e duhura për t’i dhënë fund martesave të fëmijëve
Evis HALILI
Shkup, 8 mars – Edhe pse martesat e minoreneve janë reduktuar ndjeshëm dekadën e fundit, prapëseprapë shifrat janë shqetësuese. Por edhe fakti që pavarësisht kufirit ligjor për martesë që është 18 vjeç, ka raste kur fëmijët martohen në moshën 16 vjeçare, por me miratimin e gjykatës. Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, UNICEF i apelon institucioneve për të ndërmarrë masat e duhura për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve. Përfaqësuesja e UNICEF-it Patricia DiGiovanni vë në dukje se tetë për qind e të gjitha grave të moshës 20 deri në 24 vjeç në vend janë martuar ose kanë bashkëjetuar para moshës 18 vjeç. Akoma më shqetësuese është se 45 për qind e grave rome të moshës 20 deri në 24 vjeç ishin të martuara ose në një lidhje para moshës 18 vjeç dhe 15 për qind e grave të të njëjtit grup ishin të martuara ose në një lidhje para moshës 15 vjeç.
“Martesat e fëmijëve i privojnë vajzat nga fëmijëria dhe kanë pasoja të dëmshme për shëndetin dhe perspektivën e tyre ekonomike. Ato ndikojnë negativisht në zhvillimin, aksesin në shkollë dhe cilësinë e përgjithshme të jetës së tyre. Tek vajzat që martohen para moshës 18 vjeç, probabiliteti për t’u bërë viktima të dhunës në familje është më i lartë dhe probabiliteti për të qëndruar në shkollë është më i ulët. Shpesh lidhet ngushtë me të pasurit fëmijë në moshë të hershme, me një rrezik të shtuar të komplikimeve gjatë shtatzënisë dhe lindjes”, thekson DiGiovanni. Ajo sjell në vëmendje se 30 për qind e fëmijëve në MV jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe kjo shkallë është dy herë më e lartë në krahasim me shkallën e varfërisë tek të rriturit.
“Edhe pse kufiri ligjor për martesë në Maqedoninë e Veriut është 18 vjeç, ka përjashtime që fëmijët të martohen në moshën 16 vjeçare, por me miratimin e gjykatës. Kjo çon në boshllëqe ligjore që lidhen me martesën e fëmijëve. E drejta e pëlqimit ‘të lirë dhe të plotë”’për martesën njihet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, por pranohet se një pëlqim i tillë nuk mund të jetë ‘i lirë dhe i plotë’, kur palët nuk janë mjaftueshëm të pjekura për të marrë një vendim të informuar për jetën e tyre partneri”, thekson përfaqësuesja e UNICEF-it.
Në vëzhgimet përmbyllëse të vitit 2022, siç shkruhet në njoftim, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve rekomandon se është e nevojshme që Maqedonia e Veriut të zbatojë masa të synuara për të çrrënjosur martesat e fëmijëve dhe për të rritur ndërgjegjësimin për efektet negative të këtyre praktikave të dëmshmeve tradicionale mbi fëmijët. Sipas tyre një situatë e tillë kërkon përpjekje më të mëdha për forcimin e ligjeve për të hequr boshllëqet e mundshme ligjore dhe për të siguruar përputhjen e plotë me standardet ndërkombëtare, për të vazhduar uljen e varfërisë duke pasur parasysh që martesat e fëmijëve vazhdojnë për shkak të varfërisë. Disa prindër inkurajojnë martesën e vajzave të tyre me shpresën se martesa do të sjellë përfitime financiare dhe sociale dhe në të njëjtën kohë do të zvogëlojë barrën financiare të familjes. Maqedonia ka miratuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, si dhe dy protokollet fakultative dhe Konventën për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave, ku martesa e fëmijëve është e ndaluar në mënyrë eksplicite. Gjithashtu, Konventa e Stambollit mbi Dhunën ndaj Grave dhe Dhunën në Familje kërkon që shtetet të kriminalizojnë martesën e detyruar dhe atë të fëmijëve. (koha.mk)