Derisa Gjermania e Franca janë zhytur në kriza, Italia e kryeministres Giorgia Meloni shpërfaqet si liman stabiliteti në Evropë. Meloni punoi për ta eliminuar frikën nga rrënjët post-fashiste të partisë së saj “Vëllezërit e Italisë”, duke u rreshtuar krahas partnerëve evropianë në çështjet me rëndësi, përfshirë mbështetjen për Ukrainën kundër Rusisë
Ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Evropian janë në krizë. Qeveria e Francës ra. Ajo e Gjermanisë është para zgjedhjeve të parakohshme, pas prishjes së koalicionit të brishtë. Tregjet financiare u trazuan ndërsa autoritetet e BE-së u shqetësuan. Midis këtij kaosi, një liman i papritur qetësie relative shpërfaqet në vendin që prej kohësh shihej si një prej më të paqeverisshmëve në Evropë: Itali.
Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni u dëshmua e qëndrueshme dhe stabile, derisa ekonomia italiane tregoi elasticitet relativ. Shumëkush në Itali mendoi se tryezat politike të Evropës u përmbysën. “Mirëserdhët në kaosin italian!”, tha Matteo Renzi, ish-kryeministër i Italisë, në një intervistë. “Pasi prej vjetësh u tallëm për jostabilitetin e qeverive tona”, shtoi ai, “eksportuam jo veç parmesan, makarona e verë, por edhe jostabilitet e probleme koalicioni”. Ky duket të jetë moment i favorshëm për Melonin, të cilën po e ndihmojnë erërat politike teksa forcat djathtiste po fitojnë terren në vende tjera të mëdha në Evropë si dhe në SHBA, me rizgjedhjen e Donald Trumpit.
Në kohë paqartësish në Francë e Gjermani, mbështetës të saj shpresojnë se kombinimi i rrethanave mund ta fuqizojë pozitën e saj dhe të Italisë në skenën ndërkombëtare. “Është trend i kundërt”, mendon Lucio Malan, senator italian e udhëheqës i grupit të Melonit në Senat. “Fituam stabilitet dhe kjo e bën që Italia të ketë më shumë rëndësi”.
“PERSONI MË I FUQISHËM I 2025-s”
Në Evropë, Meloni punoi në mënjanimin e frikës rreth rrënjëve post-fashiste të partisë së saj “Vëllezërit e Italisë”, duke u rreshtuar krah partnerëve evropianë në çështje me rëndësi, si mbështetja për Ukrainën kundruall pushtimit të Rusisë. U shndërrua në urë lidhëse midis qendrës politike dhe së djathtës ekstreme. “Politico” e kurorëzoi si personin më të fuqishëm të Evropës për 2025-tën. Mbështetësit e saj parashikojnë se ajo tani mund të luajë rol të ngjashëm në ndërmjetësimin e tensioneve midis Evropës e presidentit Trump, i cili kërcënoi me luftë tregtare dhe me tërheqje të mbështetjes amerikane për NATO-n e Ukrainën. Meloni i takoi Trumpin dhe Elon Muskun në Paris në fillimdhjetor, pas ceremonisë së rihapjes së katedrales Notre Dame. Megjithëkëtë, disa analistë politikë janë skeptikë se stabiliteti i Italisë do të përkthehet në rol më të madh udhëheqës për shtetin në Evropë. Meloni, thonë ata, nuk e artikuloi një vizion për Evropën sikurse bënë liderë të tjerë, si, për shembull, presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Strategjia e saj, cekin ata, ishte më shumë defensive në nxjerrjen e burimeve nga Brukseli dhe në mbrojtjen e interesave dhe kufijve të Italisë, sesa në gjetjen e zgjidhjeve pan-evropiane për sfidat e përbashkëta. Disa madje s’janë të sigurt nëse ajo e dëshiron këtë.
“Italia s’është më problem”, thotë Mujtaba Rahman, drejtor menaxhues për Evropën në “Eurasia Group”. “Por askush nuk shikon kah Italia në kërkim të vizionit për të ardhmen e Evropës”. Megjithëkëtë, situata e përbën një përmbysje skajshmërisht të pazakontë në Evropën e modeleve tradicionale politike. Në Gjermani, stabiliteti politik është prej kohësh e normuar. Ish-kancelarja Angela Merkel e mbajti pushtetin për 16 vjet – Italia i ndërroi në ndërkohë 10 qeveri. Por Gjermania tani ra viktimë e të njëjtit fragmentim politik që tronditi pjesën më të madhe të kontinentit, nxitur nga shpërfaqja e fraksioneve të së djathtës ekstreme. Në Francë, partia nacionaliste e Marine Le Penit e ndihmoi rrëzimin e qeverisë më jetëshkurtër në historinë moderne të vendit. Kjo nxiti ngërç politik në Paris dhe pritje për një qeveri të katërt brenda vitit.
Italia, e plandosur nga koalicionet e paqëndrueshme, prej kohësh shihej si adoleshentja problematike e Evropës që përpiqet ta gëlltisë kreditkartelën e familjes. Krejt papritmas, nuk është më kokëçarja. Qeveria e saj, në funksion prej më se dy vjetësh, është ndër më jetëgjatët në historinë e vendit.
FITORJA E MADHE NË PARLAMENTIN EVROPIAN
Meloni, e cila e nisi mandatin më 2022, mbështetet edhe te partnerët e koalicionit. Partia e saj u bashkua me “Forza Italia”, subjekt ky i qendrës së djathtë që u themelua nga Silvio Berlusconi, dhe me “Ligën” që ka qëndrime kundër imigracionit. Me gjithë dallimet ideologjike, partitë duket se po i mbahen njëra-tjetrës. Partia e Melonit fitoi gati 30 për qind të votave në zgjedhjet e sivjetme për Parlamentin Evropian, derisa ato të koalicionit të saj morën secila nga rreth 9 për qind. Ani se ngadalë, ekonomia e Italisë – ende e plandosur nga borxhi kombëtar ngufatës – po rritet, si e ndihmuar nga fondet milionëshe të rikuperimit nga BE-ja. Papunësia ka rënë ndërsa Qeveria e Melonit ka qenë e vëmendshme me shpenzimet, duke propozuar buxhete rigoroze.
Ligjvënës të partisë së Melonit thonë se stabiliteti ndihmoi në tërheqjen e investimeve. Në tetor, Microsofti njoftoi për investimin më të madh në Itali deri më tani, ndërsa Amazon Web Services paralajmëroi plane për të shpenzuar rreth 1.2 miliardë dollarë në zgjerimin e infrastrukturës së saj aty.
Mbështetësit thonë se Meloni u bë edhe figurë me ndikim për emigracionin, tek luajti rol domethënës për ta ndihmuar BE-në të lidhë marrëveshje me Tunizinë dhe me Egjiptin për frenimin e emigrantëve. Meloni hoqi dorë nga qasja e saj kritike karshi bllokut, por mbetet ajo nacionalistja që vazhdimisht deklaron se puna e saj në Bruksel është promovimi i interesave të Italisë. Në kohë kur blloku përballet me sfida madhore sigurie, të mbrojtjes dhe të konkurrencës, Meloni e mbajti fokusin te roli i Italisë në vend se ta hartojë një vizion të gjerë për Evropën, thonë ekspertët.
Kjo qasje, sipas analistëve, nënkupton se telashet në Francë dhe në Gjermani – më shumë sesa t’i paraqesin mundësi Melonit – mund t’i fuqizojnë liderët e tjerë të BE-së, si presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, apo madje kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, që ka qenë president i Këshillit Evropian në vitet 2014-2019. (New York Times)