Nëse duhet lexuar drejtë thënien e famshme të Martin Hajdeger-it, se, “Gjuha është institucioni mbi të gjitha institucionet” atëherë ka rëndësi letra e 250 intelektualëve dhe përpjekjet e të gjithë atyre që me sinqeritet janë vënë në mbrojtje institucionale të gjuhës shqipe, sepse, po ndodhi shfuqizimi i saj, atëherë ky pushtet megalomanme pretendime pansllaviste nuk do të ndalet aty, por me siguri do të vazhdojë me reduktimin e të drejtave tjera të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, i cili këtë e bënë në emër të luftë së krimit. Megjithatë, krimi ka emër, kurse gjuha shqipe për ne shqiptarët është e shenjtë
Nga Mixhat POLLOZHANI
Për tu fut drejt në temë, fillimisht po ju shprehim admirimin dhe përkrahjen të paluhatshme intelektualëve që iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me apelin më të arsyeshëm “…MOS E SHFUQIZONI PËRDORIMIN ZYRTAR TË GJUHËS SHQIPE…”. Reaguan intelektualisht sepse përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe këtu në Maqedoninë e Veriut me të vërtetë është vënë në rrezik! Nëpërmjet këtij artikulli me shembuj dhe me (auto)referenca do të trajtojmë morfologjinë e një fushate të hapur antishqiptare.
Sado që rrënuesit e gjuhës shqipe thirren në dispozita kushtetuese dhe ligjore, ata e kanë të qartë se, nuk kanë ndonjë baze bindëse juridike dhe secili që din ta lexojë mirë Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, derisa edhe rolin e Komisionit të Venecias, është i bindur se gjykatësit maqedonas po bëjnë gjyqësi të dirigjuar politikisht! Me veprimin e saj të pamenduar mirë, kushtetuesja, jo vetëm që do t’ua heq shqiptarëve të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës amtare, por do ti vë në pikëpyetje edhe perspektivat e tyre në këtë shtet. Gjykatësit maqedonas mbase e kanë lexuar mbrapsht shkrimtarin francez, Emil Zola, duke u vënë në sinkronizim të gabuar me ironinë e tij kur aithotë se “Gjuha e ligjit është gjuhë barbare”. Ndaj, akoma më i arsyeshëm tingëllon zëri i ngritur i intelektualëve shqiptar!
Edhe pse mund të duket e tepërt që të flitet për rolin e gjuhës shqipe që ka luajtur në historinë epopullit shqiptarë, sidomos këtu në Maqedoninë e Veriut, por fatkeqësisht, ka ca njerëz, sidomos disa politikan, fare nuk kanë mësuar nga historia për rëndësinë e saj që pati për fatin dhe mbijetesën e qenies sonë kombëtare. Nëse duan të dinë për domethënien e gjuhës, atëherë po u rekomandojmë që ta lexojnë shkrimtarin amerikan, Russel Hoban, i cili thotë se,“Gjuha është një mjet arkeologjik…, dhe është i gjithë dorëshkrimi i përpjekjeve njerëzore përgjatë historisë”.
Historia e diskriminimit të gjuhës shqipe, është e vjetër sa edhe vetë ajo! Megjithatë, gjithmonë ia ka dalë që të mbijetojë. Por, ka edhe një gjë që nuk shkon me ne shqiptarët. Dhe për këtë ka shumë dëshmi dhe argumente gjatë historisë, por me sa duket ne nuk kemi mësuar aq sa duhet nga e kaluara. Ndonëse, ilirët si gjithmonë edhe gjatë periudhës arkaike, helenistike dhe romake flisnin gjuhën e tyre ilirishte, por kurrë nuk krijuan shkrimin ilir! Këtu edhe fillon “nyja gordiane” e zhvillimit të qytetërimit iliro-shqiptar. Por, për çudi, këtë nuk e bënë as arbërit në mesjetë, dhe për një kohë të gjatë as edhe shqiptarët, duke shkruar herë greqisht, herë latinisht, herë osmanisht, dhe herë sllavisht! Pseja për t’iu përgjigjur kësaj çështjeje tejet të komplikuar historike mbetet një sfidë e përhershme për arkeologët, linguistët, paleontologët, antropologët, historianët etj.
Por, erdhi një ditë, ndonëse me vonesë të madhe, kur megjithatë edhe shqiptarët filluan të shkruajnë shqip, dhe atë, falë Kongresit të Alfabetit që u mbajt në vitin 1908 në Manastir. Manastiri, pra, i dha popullit shqiptar një alfabet të njësuar me karakter evropian, për të bërë një gjuhë dhe një komb të bashkuar, dhe për ironinë e fatit, historia dëshmoi se pikërisht, shqiptarët e trojeve etnike këtu në Maqedoninë e Veriut, për një kohë të gjatë mbeten pa të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre amtare!? Dhe për fatin akoma më tragjik të tyre, gjuha shqipe këtej kufirit të Shqipërisë politike, edhe sot e kësaj dite (mbi)jeton me plotë vështirësi dhe pengesa nga më të ndryshmet. Përdorimi i saj vazhdon të varet nga “dozat” e recetave të politikave pansllaviste dhe qarqeve radikale antishqiptare maqedonase, të ndihmuar edhe nga argatët e tyre shqiptarë të të gjitha llojeve!
Kështu po ndodh edhe këtyre ditëve kur hapur është ngritur një fushatë e paparë kundër gjuhës shqipe, që ajo jo vetëm të mos jetë zyrtare, por edhe të mos ekzistojë fare! Fare nuk më habit fakti se këtë e bëjnë eksponentë nacionalistmaqedonas të pushtetit, dheakoma më pak habitem pse kështu veprojnë edhe partnerët shqiptar të koalicionit të tyre.Ata aq mirë funksionojnë sepse të gjithë së bashku kanë dalë nga e njëjta shkollë! Ndaj dhe i kuptueshëm është entuziazmi dhe kënaqësia aq e madhe, sidomos i disa “pushtetarëve” shqiptar për ta degraduar në këtë masë gjuhën shqipe. Vetëm nuk e kuptoj heshtjen e përkrahëseve të tyre! Por ata që i janë qepur reduktimit të përdorimit ligjor të gjuhës shqipe, duhet ta dinë se ajo është një arkeologji në vete, dhe është e vetmja dëshmi e lashtë dhemonument igjallë, të cilën e kemi trashëguar nga të parët tanë. Dhe nëse do të shërbeheshim me thënien e filozofit të madh gjerman, Martin Hajdeger, se “Gjuha është shtëpia ku banon njeriu”, atëherë pikërisht gjuha shqipe, për ne shqiptarëtështë shtëpia jonë këtu në trojet tona në Maqedoninë e Veriut. Për më shumë, është ndër elementet kryesore, në mos edhe më kryesori, i cili e veçon identitetin tonë kombëtar. Po e hoqën gjuhën ekëpusin hallkën kryesore që na lidh me të kaluarën tonë, me paraardhësit tanë të lashtë ilirët, e për më tej edhe me pellazgët. Prandaj, është koha që të pushojnë eksperimentimet dhe çmontimet e arkeologjisë së gjuhës shqipe, siç bënin vite e dekada më parë, strukturat politike serbe e maqedonase, si gjatë sistemit komunist ashtu edhe gjatë demokracisë “ala maqedonase”. Është i papranueshëm, por edhe i pakuptueshëmfakti se, këtë tkurrje të përdorimit institucional të gjuhës shqipe e nxisin pikërisht përfaqësues të strukturavetë caktuara politikemaqedonase, të cilëve për çdo ditë u mohohet identiteti, historia dhe gjuha e tyre! Ky është edhe absurdi etnocentrik që buron nga slogani i rikthimit të “shtetit të robëruar” te maqedonasit,për tuzhytur, siç është shprehur kolumnistja maqedonase, Nikica Korubin, njëherësh historiane e artit dhe arkeologe, në deliriumin “e ndërgjegjes së robëruar”. Ndërkaq, ne do të shtonin se këta njerëz të mjerë e kanë “mendjen e robëruar”.
Ndaj, kërkohet një kujdes dhe angazhim më i përkushtuar nga të gjithë ata qytetarë shqiptarë që mendojnë për ardhmërinë e tyre këtu në këtë vend, për ta ndalur këtë përdhosje që po i kanoset gjuhës shqipe. Tash për tash nuk duhet bërë asgjë më tepër, vetëm se të mbrohet, të zbatohet dhe të kultivohet ajo që u arrit me Luftën e vitit 2001, sepse nën themelet e saj është akoma pa u tharë gjaku i dëshmorëve që dhanë jetën për kombin dhe gjuhën e tyre. Por, edhe të mbrohet Ligji i gjuhëve që u soll me gjakun e derdhur të Ziadin Selës dhe të disa deputetëve tjerë maqedonas të Parlamentit të Maqedonisë në vitin 2017, të shkaktuar nga gupet vandale të VMRO – DPMNE-së. Këto shembuj duhet të vlejnë edhe për gjykatësit maqedonas, të cilët le të mos fshihen pas politikës, sepse ata po të ishin aq të moralshëm dhe aq profesionist, duhej ti kishin mbyllur “nenet e kontestuara” në lidhje me gjuhën shqipe që në kohën e pushtetit të kaluar. Ndërkaq, pushtetarët aktual të mos i ndërrojnë tezat, dhe të mos i hedhin hi syve popullatës, se “gjoja nuk preket gjuha shqipe” dhe se “opozita” shqiptare e mbron “krimin historik”.
Të gjithë e dinë se “gjuha” dhe “krimi”, janë dy gjëra të ndryshme njëra me tjetrën, dhe se ato rregullohen me dispozita të veçanta ligjore. Për më shumë, krimi, ka emër, kurse gjuha shqipe për ne shqiptarët është e shenjtë! Prandaj, qeveritarët me pushtet të pakufishëm mos e përdorin luftën kundër krimit për ta na i reduktuar të drejtat tona kushtetuese. Po patën prova, guxim dhe ndërgjegje të pastër, pa u hamendur, le ti hapin rrugë prokurorisë dhe gjyqitqë të gjithë atyretë pushtetit të kaluar, qofshin ata të BDI-së apo të ndonjë partie tjetër, që i kanë keqpërdorur postet e tyre dhe i kanë shkelur ligjet, t’u japin dënimin e merituar! Kështu vepron shteti ligjor, por jo me shantazhe dhe kalkulime. Por, këtë duhet ta bëjnë edhe ndaj të gjithë atyre që sot i kanë në pushtet dhe thirren në emër të “luftës kundër krimit”, e që në fakt, as e kaluara, por as edhe e tashmja e tyre, nuk është më pak kriminale! Ka nga ata të këtij pushteti, e që nuk janë pak në numër, të cilët për çdo ditë i kushtëzojnë me para qytetarë, kompanitë e vendit dhe të huaja për shërbimet e ofruara. Njerëzit dihen me emra dhe mbiemra, dhe kjo është shumë e vërtetë.
Pushteti le të merret me këto “anomali”, por te gjuha shqipe të mos preket. Ndonëse, tingëllon diç më patetike, por, megjithatë duhet rikujtuar se “gjuha është gjaku ynë që nuk falet” që në fakt buron nga porosia e madhe e Petro Nini Luarasit, i cili ka thënë “Vritmëni, po ma ruani gjakun se do t’u duhet nipërve dhe stërnipërve tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe”. Dhe, nëse duhet lexuar drejtë thënia tjetër e famshme e Hajdeger-it, se, “Gjuha është institucioni mbi të gjitha institucionet” atëherë ishte akoma më qëlluar veprimi i 250 intelektualëve dhe shqetësimi i të gjithë atyre që me sinqeritet janë vënë në mbrojtje institucionale të gjuhës shqipe. Këtë duhet ta bëjmë të gjithë, sepse, po ndodhi shfuqizimi i gjuhës, atëherë ky pushtet megaloman nuk do të kënaqet me kaq, por me siguri do ta vazhdojë fushatën e tij edhe me reduktime tjera ndaj të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përndryshe, çdo dështim i yni si qytetarë, na pret përballja me “magjinë e gjuhës e cila është më e rrezikshmja nga të gjitha magjitë e tjera” do të thoshte Edward Bulwer Luton. Është koha pra, kur duhet të dëshmohet se gjuha shqipe ka qenë e kaluara, është e tashmja dhe do të jetë e ardhmja e shqiptareve në këto troje.
Dhe nëse i përmbahemi konstatimit se, kultura kombëtare është letërnjoftimi, kurse trashëgimia kulturore është “tapia” e një populli, atëherë gjuha shqipe i bije të jetë edhe “letërnjoftimi edhe tapia” për ne shqiptarët këtu në Maqedoninë e Veriut. Ndaj, për të gjithë ata, që gjuhën shqipe e shohin si një mjet për të përfituar pikë politike, para se tu futën “pazarllëqeve” në dëm të saj, dhe në dobi të tyre, është mirë ti lexojnë me vëmendje vargjet e shkrimtari tonë të madh, Gjegj Fishta i cili ka shkruar: “Pra, mallkue njaj bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashëgim që na i la i Pari, trashëgim s’ja le ai fmis”. Përfundim më adekuat për fatin e gjuhës shqipe nuk na erdhi ndërmend. (koha.mk)