Washington D.C, San Francisco, Toronto, New Yorku dhe Amsterdami kanë pësuar rritjen më të madhe të numrit të minjve, sipas studimit të ri, i cili ka mbledhur të dhëna nga 16 qytete në botë. 11 prej këtyre qyteteve kanë shënuar “rritje të madhe në numrat e minjve”, sipas studimit të publikuar në revistën shkencore Science Advances, dhe këto trende të rritjes me shumë gjasë do të vazhdojnë për shkak të temperaturave të lartë, shkruan The Guardian. Gjatë dekadës së fundit, numri i minjve është rritur për 390 për qind në Washington D.C, 300 për qind në San Francisco, 186 për qind në Toronto dhe 162 për qind në New York, sipas studiuesve që kanë analizuar pjesët publike dhe raportet e shpërndarjes së minjve.
Disa qytete të mëdha nuk janë përfshirë, si Londra dhe Parisi, pasi nuk kanë pasur të dhënat e nevojitura. Në Toronto, në një nga vendet me rritjen më të madhe të minjve, rezidentët e qytetit më të madh kanadez kanë përjetuar probleme.
“Kur ecë rrugëve të Torontos, nën këmbët e tua, thellë në sistemin e ujërave të zeza, është një vend i mbushur me minj”, ka deklaruar Alice Sinia, entomologe kryesore në kompaninë më të madhe të kontrollit të insekteve në vend, Orkin. “Po i detyrojmë gjithnjë e më shumë të dalin në hapësira të hapura, ose përmes ndërtimit ose përmbytjeve, dhe ata duhet të shkojnë diku”. Linja e ndihmës së qytetit në Toronto ka pranuar 1600 thirrje në lidhje me minjtë, nga rreth 940 sa ishin gjatë 2019-s. Edhe kompania Orkin ka pasur gjithashtu rritje të thirrjeve. Rritja e temperaturave lidhet me rritjen e numrit të minjve, sepse gjitarët e vegjël si minjtë gjatë dimrit e kanë më të vështirë shumimin, por në temperatura më të larta ata mund të shumohen dhe të ushqehen më gjatë.
“Në Toronto, dimrat e ftohtë kanë reaguar si kontrollues natyrorë të minjve”, ka deklaruar Sinia, duke lënë të vdekur grupe të mëdha të minjve. Por temperaturat e buta kanë ndihmuar të gjitha llojet e minjve në qytet të shumohen.
Fakti se numri i minjve u rrit më së shumti në qytetet që temperaturat u rritën më së shpejti ishte “arritja më e errët e studimit”. Viti i kaluar ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, me temperaturën mesatare 1.6 gradë Celsius mbi nivelet para industriale. Minjtë shkaktojnë dëme miliarda dollarëshe duke u infiltruar në ndërtesa çdo vit, dhe mund të transmetojnë rreth 60 sëmundje te njerëzit, si dhe të ndikojnë në ekologjinë e kafshëve të tjera në qytet.