Maqedonia e Veriut kërkon që të hapet një konsullatë në qytetin e Korçës, transmeton CNN A2. Kështu raportohet të ketë thënë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, gjatë një vizite në Pustec.
“Këtu në Pustec kemi komunitetin tonë maqedonas. Kam ardhur me ministrin e Brendshëm dhe pas pak do të na bashkohet edhe ministri i Kulturës. Komuniteti ka kontribuar në shoqërinë shqiptare, ndërsa ne si qeveri duhet të bëjmë më shumë për minoritetin maqedonas në Pustec. Duhet të financojmë projekte sociale dhe kulturore në këtë zonë. Nevojitet një nivel më i lartë konsullor – jo vetëm për pajisjen me pasaporta, por edhe për aspekte të tjera. Javën tjetër do të takohem me kolegun tim Igli Hasani në Ohër. Kemi një marrëdhënie fantastike me të. Gjithashtu, do t’i kërkoj ministrit shqiptar hapjen e një konsullate maqedonase në Korçë”, tha Mucunski.
I pyetur nëse takimet e Ramës me përfaqësuesit e BDI-së dhe ato të Kurtit me VLEN, shihen si një ndërhyrje në politikën e Maqedonisë, ai tha:
“Kryeministrat shqiptar dhe kosovar ishin të ftuar dje në një samit të suksesshëm për agjendën europiane. Mund të them se ishte një samit që shkoi mirë. Aktivitetet politike janë normale kudo. Unë jam një besimtar i demokracisë. Po, kemi zgjedhje pas pak kohësh, ku ne si koalicion qeveritar jemi plotësisht të bindur se do të fitojmë për shkak të punëve të bëra. Jemi një shoqëri multietnike”.