Analizat tregojnë mungesë serioze të inspektorëve në “DIGU” që mund të sjellë deri tek ulja e mundësisë për mbikëqyrje efikase në fushën e ndërtimit dhe urbanizmit. Në Departamentin e Inspektimit të Planifikimit Urban, vetëm dy nga tetë pozicionet për inspektorë janë plotësuar, megjithëse Ligji parashikonte praninë e tyre në të gjitha rajonet e vendit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 mars – Në Departamentin e Inspektimit të Planifikimit Urban, vetëm dy nga tetë pozicionet për inspektorë janë plotësuar, megjithëse Ligji parashikonte praninë e tyre në të gjitha rajonet e vendit.
“Nga inspektimet e kryera, auditimi përcaktoi se nga 19 pozicione të sistematizuara për inspektorë, në vitin 2024, mbikëqyrja inspektuese kryhet nga 5 inspektorë: 3 në fushën e ndërtimit, nga të cilët një pozicion, inspektor ndërtimi, është lënë në pritje që nga gushti 2024, dhe 2 në fushën e planifikimit urban”, thuhet në raportin e auditimit.
Gjetjet janë se ka organizim të pamjaftueshëm të mbikëqyrjes inspektuese në fushën e planifikimit urban. Është konstatuar edhe mungesë e raporteve gjashtëmujore me të dhëna mbi veprimet e ndërmarra mbi ankesat dhe sugjerimet e qytetarëve. Dobësi në inventarin e pronës vetjake, një vlerësim të pakryer të vlerës së tregut të objekteve të ndërtimit si dhe mangësi në procesin e llogaritjes dhe pagesës së pagave të punonjësve. Njëherësh ka mungesë serioze të inspektorëve në “DIGU” që mund të sjellë deri tek ulja e mundësisë për mbikëqyrje efikase në fushën e ndërtimit dhe urbanizmit.
Këto janë disa nga gjetjet e Zyrës së Auditimit apo Revizionit të Shtetit që kreu një auditim të pasqyrave financiare dhe një auditim të përputhshmërisë së Inspektoratit Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm për vitin 2024, duke identifikuar disa dobësi në operacionet e institucionit. “Me një shqyrtim të 17 rasteve për mbikëqyrje inspektuese të kryer nga Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm, u identifikuan parregullsi në 6 raste që lidhen me ndërtesa të ndërtuara pa leje. Deri në kohën e auditimit, komunat kishin vepruar vetëm në 4 raste, dhe një rast iu dorëzua Ministrisë së Brendshme për veprime të mëtejshme për shkak të mosmarrjes së masave nga inspektori i autorizuar i ndërtimit”, thuhet në raport.
Zyra e Auditimit Shtetëror informon se ka nxjerrë në pah çështjen se që nga viti 2018, pozicioni i drejtorit të këtij institucioni është mbajtur nga drejtorë në detyrë për më shumë se periudha e lejuar ligjërisht prej gjashtë muajsh, gjë që, sipas Zyrës, krijon rrezik që menaxhimi i saj të kryhet nga persona që nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara ligjërisht.
U vunë në dukje dobësi në procesin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë të autoriteteve gjatë veprimit mbi ankesat dhe propozimet. (koha.mk)




