E hënë, 16 Qershor, 2025
28.8 C
Skopje

“Napoleoni” i përplasjeve dhe akuzave për shtrembërim të historisë

Regjisori Ridley Scott ka reaguar ndaj kritikëve që nuk e pëlqejnë filmin e tij “Napoleon”. “Francezët nuk e pëlqejnë as veten”, ka thënë ai. Filmi i tij ka ndarë kritikët në dysh përderisa nga Franca ka edhe akuza se Scott me këtë projekt e bëri një rishkrim antifrancez dhe probritanik të historisë

 

Ridley Scott po i injoron kritikat negative që vijnë nga Franca për filmin e tij të ri historik, “Napoleon”, ku aktori Joaquin Phoenix portretizon perandorin famëkeq francez, Napoleon Bonaparta, dhe Vanessa Kirby vjen në rolin e gruas së tij, Joséphine de Beauharnais. Reagimet e kritikëve të filmit ndaj kësaj drame biografike kanë qenë të ndryshme. “The Guardian” e ka vlerësuar me nota të larta, kurse revista franceze “GQ” e ka cilësuar atë “thellësisht të ngathët, të panatyrshëm dhe pa dashje qesharak”, sidomos për faktin që personazhet historike franceze flasin me theks amerikan. Edhe disa media e portale të tjera franceze e kanë shënjestruar filmin e fundit të regjisorit me kritika e vlerësime negative. Gazeta e përditshme “Le Figaro” shkroi se filmi mund të riemërohej “Barbie and Ken Under the Empire”, ndërsa autori i biografisë së Napoleonit, Patrice Gueniffey, ka thënë për revistën “Le Point” se Scott me këtë projekt e bëri një rishkrim antifrancez dhe probritanik të historisë.

Filmi “Napoleon” pati premierën botërore në Paris më 14 nëntor. Scott në një intervistë për BBC, kur u njoftua për kritikat negative që francezët ia kanë bërë filmit, tha: “Francezët nuk e pëlqejnë as veten”. Sipas regjisorit, i shquar për filma të tillë si “Gladiator”, “Alien”, “Thelma & Louise” dhe “Blade Runner”, publiku i pranishëm në premierën franceze e ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë filmin e tij.

Megjithëkëtë, gjatë turneut promovues për media regjisori i është kundërpërgjigjur shumicës së këtyre kritikave. Ai u bë viral në fillim të nëntorit për reagimin e tij shpërfillës ndaj historianit Dan Snow, që po theksonte disa nga pasaktësitë historike të përfshira në film. Kur u pyet nga gazetarët se çfarë mendon për kontrolluesit e tillë të fakteve historike, Scott ishte i prerë në përgjigjen e tij duke thënë: “Merru me jetën tënde”. “Kam realizuar shumë filma historikë. Në shumë raste më duket sikur po lexoj një raport të dikujt tjetër, 100 vjet pas ngjarjes. Kështu që pyes veten: ‘Sa është e përpunuar kjo histori? ‘Sa është e saktë?’ Gjithmonë argëtohem kur një kritik më thotë: ‘Kjo gjë nuk ka ndodhur vërtet’ dhe në këtë rast unë ju them: ‘A ishe ti atje?’ Kjo është përgjigjja ime”, deklaroi regjisori për revistën “Total Film”.

Edhe aktori i njohur hollywoodian, Joaquin Phoenix, në të kaluarën është deklaruar për saktësinë e fakteve historike në film. Në një intervistë për revistën “Empire”, ai tha: “Nëse doni të kuptoni vërtet Napoleonin, atëherë ndoshta është më mirë të studioni dhe lexoni vetë për historinë e tij. Sepse nëse e shikoni këtë film, kjo është përvojë e treguar nga pikëpamja e regjisorit Ridley Scott”. “Napoleon” është lansuar nëpër kinema nga 22 nëntori. Ai fokusohet në rrugëtimin e pamëshirshëm të Bonapartit drejt pushtetit, nëpërmjet prizmit të marrëdhënies së varur dhe të paqëndrueshme me dashurinë e jetës së tij, Josephine. Po ashtu shfaq taktikat e tij vizionare ushtarake dhe politike, përmes disa prej sekuencave më dinamike të betejave të filmuara ndonjëherë.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm