E premte, 21 Mars, 2025
5.8 C
Skopje

NBA – Durant mposht ish skuadrën e tij

Ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes së NBA u luajt në “Oracle Arena” ku Kevin Durant ishte kryefjala e sfidës Golden State-Oklahoma. Shtatlarti i skuadrës kaliforniane që këtë verë u transferua te nënkampionët e NBA pas një karriere të gjatë te Oklahoma, realizoi 39 pikë, ndërsa Stef Kjuri 21 të tjera në suksesin 122-96. Ndeshja u prezantua që në sekondat e para si një sfidë personale mes Durant e Uestbruk ku ky i fundit nuk arriti të bënte shumë për të siguruar fitoren e tretë të Oklahomas duke e mbyllur mbrëmjen me 20 pikë dhe 10 asiste. Në sfidat e tjera, Kleveland regjistroi fitoren e 5 sezonale në po kaq gara. Kampionët në fuqi të frymëzuar nga Lebron Xhejms mundën Boston Seltik në “Quicken Loans Arena”. “Mbreti” i skuadrës nga Ohio regjistroi 30 pikë dhe 12 asiste. Formë të shkëlqyer treguan edhe Kevin Love e Kjuri Irving me 49 pikë në total, ndërsa në krahun tjetër, 30 pikët e Isaiah Tomas nuk mjaftuan për Boston. Në Miluaki, Buks thelluan krizën e Indiana Pakers. Ekipi nga Indianapolis u dorëzua 125-107 pavarësisht faktit se këtë sezon është nisur si një prej skuadrave favorite për të arritur finalen e Konferencës së Lindjes. Në Orlando, magjikët nga Florida dominuan Sakramento Kings 102-94 në një ndeshje të ndezur ku Evan Fournier realizoi 29 pikë. Fitore regjistroi edhe Denver Nugets në “Target Center” të Mineapolis. Vendasit kaluan 102-99 Minesota Timberuolves duke i dhënë vazhdimësi sezonit me suksesin e dytë.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm