Prej orës 9:30 është vendosur ndalesë për qarkullim për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Resnjë – Manastir përmes qafës malore Gjavatë, njoftuan nga NP Rrugët e Maqedonisë.
Ndalesë për komunikacion prej orës 8 e 5 minuta është vendosur për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Tetovë – Kodra e Diellit, ndërsa për llojet e tjera të automjeteve është i detyrueshëm përdorimi i pajisjes dimërore. Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda transportuese ka edhe në rrugën Gostivar – Mavrovë – Dibër, Gostivar – Strazhë -Kërçovë, Presekë, dhe Pletvar.
Prej orës 7 e 25 minuta është vendosur ndalesë për qarkullim për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Dellçevë – vk.Dellçevë, ndërsa ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda transportuese mbi 7,5 tonë është vendosur në VK Dellçevë drejt Bullgarisë.
Nga LAMM informuan se për shkaqe parandaluese ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda transportuese vendoset edhe në qafën malore Presekë, përderisa automjetet e rënda transportuese prej orës 8 e 50 minuta për shkak të ngricave në rrugë në autostradën Miqësia në fshatin Miravc, rikahëzohen përmes rrugës së vjetër Udovë – Demir Kapi.
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të lagështa me mbetje të borës pas intervenimit nga ana e ekipeve të NP Rrugët e Maqedonisë.
Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.