Lidhur me këtë problematikë, nga Inspektorati Komunal në Tetovë thonë se kanë dërguar vërejtje deri te kompanitë, ndërsa në rast të konstatimit të ndotjes do të shqiptohen edhe dënime
Urim HASIPI
Tetovë, 15 prill – Edhe pse janë shqiptuar dënime nga Inspektorati Komunal i Ambientit për ndotjen e rrugëve dhe hapësirave publike nga kompanitë e ndërtimit, ato arrijnë t’i shmangin pagesat përmes procedurave të stërzgjatura në institucionet e drejtësisë.
Kështu deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kur u pyet për masat ndaj kompanive që gjatë kryerjes së punimeve ndotin rrugët.
Sipas tij, megjithëse dënimet shqiptohen, institucionet e tjera nuk janë në nivelin e duhur të përgjegjësisë. Ai kërkon nga prokuroria dhe gjykatat që t’i trajtojnë më seriozisht rastet e ndotjes së ambientit. “Fillimisht mund të them se jemi në përcjellje të vazhdueshme të situatës dhe aty ku evidentohet ndotje e ambientit ose dëmtim i pastërtisë publike, merren masa dhe kompanitë detyrohen të largojnë papastërtitë që shkaktojnë, madje edhe të lajnë rrugët. Po ashtu, kemi shqiptuar dënime në raste të tilla, por fatkeqësisht institucionet e tjera, sidomos ato të drejtësisë, nuk janë në krye të detyrës dhe procedurat nuk realizohen konform ligjit. Dënimet janë të larta, por neglizhenca e disa institucioneve u jep kurajo kompanive që të vazhdojnë me ndotje të tilla. Prandaj, apeloj te gjykata dhe prokuroria që këto raste t’i marrin më seriozisht dhe kompanitë që përballen me dënime nga inspektoratet komunale të mos tolerohen”, deklaroi Kasami.
Lidhur me këtë problematikë, nga Inspektorati Komunal në Tetovë thonë se kanë dërguar vërejtje deri te kompanitë, ndërsa në rast të konstatimit të ndotjes do të shqiptohen edhe dënime.
Ndryshe, janë dhjetëra kompani që kryejnë punë ndërtimore në rajonin e Tetovës dhe më gjerë, të cilat gjatë transportit të dheut apo materialeve të tjera ndërtimore ndotin rrugët. Pamje të tilla janë të zakonshme në këtë periudhë, kur në trasetë rrugore vërehet dheu, i cili më pas krijon pluhur si pasojë e pakujdesisë së kompanive. Shpesh ato nuk pastrojnë gomat e kamionëve para daljes në rrugë, por edhe nuk përdorin mbulesa gjatë transportit të materialeve apo largimit të dheut nga kantieret.
Situata e tillë vërehet edhe përgjatë rrugës Tetovë–Jazhincë, në rrugët e qytetit, si dhe në rrugët rajonale, sidomos Tetovë–Pirok dhe Zhelinë–Jegunoc.
Një problem i veçantë mbetet fakti se kompanitë ndërtimore, por edhe subjekte të tjera, pothuajse asnjëherë nuk i pastrojnë automjetet e tyre para se të dalin nga kantieret në rrugë, ndërsa ndotjen që shkaktojnë nuk e largojnë. Në mungesë të zbatimit të plotë të dënimeve nga institucionet përgjegjëse, kjo situatë përsëritet vazhdimisht në këtë rajon, sidomos në këtë periudhë të vitit kur intensifikohen punët ndërtimore, pavarësisht nëse bëhet fjalë për investitorë privatë apo institucione shtetërore. (koha.mk)




