E mërkurë, 19 Mars, 2025
3.8 C
Skopje

NË “GOOGLE” PAS LIRIMEVE! Çmimet në internet dhe mbrojtja e konsumatorëve

Kompetentët kanë një porosi për marketet – duhet ti publikojnë çmimet në ueb-faqet e tyre që duhet të jenë të njëjta me ato në rafte. “Në të kundërtën, do të pasojnë gjoba prej 500 deri në 10.000 euro”, thekson drejtori i ISHT-së, Vllatko Stojkoski. Ky detyrim buron nga ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, dhe vlen për të gjitha subjektet juridike të vogla, të mesme dhe të mëdha që merren me tregtinë me pakicë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 12 mars – Nga mesi i prillit, marketet më të mëdha (përjashtuar dyqanet e lagjeve) do të kenë faqe interneti që do të ndahen publikisht me opinionin dhe që do të përditësohen çdo ditë me të gjitha produktet dhe çmimet e tyre. Këtë e parashikojnë ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit që u miratuan javë më parë në Kuvend. Ndryshimet ligjore autorizojnë gjithashtu inspektorët që të kryejnë inspektime nëse shohin mospërputhje çmimesh.

KRAHASIMI I ÇMIMEVE

Me ndryshimet ligjore theksohet se do të mbrohen interesat e konsumatorëve dhe do të ofrohet një bazë për konsumatorët që të bëjnë zgjedhje bazuar në informacionin dhe krahasueshmërinë e çmimeve të produkteve që duan të blejnë. Gjithashtu, ndryshimet theksojnë se ato do të sigurojnë transparencë ndaj konsumatorëve dhe do të parandalojnë konkurrencën e pandershme dhe abuzimin e tregut. Nga Organizata e Konsumatorëve thonë se kjo nënkupton edhe uljen shtesë të çmimeve si dhe rritjen e mëtejshme të konkurrencës. Përfitues të mëdhenj do të jenë edhe pensionistët, që do të mund të krahasojnë çmimet para blerjes.

“Kjo masë më shumë është e destinuar për supermarkete të mëdha që shpesh kanë promocione. Është shumë më e lehtë të krahasosh çmimet në internet dhe më pas të shkosh të blesh. Në këtë mënyrë, konsumatorët do të kenë parashikueshmëri të çmimeve të asaj që duan të blejnë dhe do të dinë se sa do të shpenzojnë. Kjo masë do të shkaktojë kosto shtesë për shitësit me pakicë, por do të rrisë disiplinën tek vetë shitësit në lidhje me çmimin e produkteve” thotë Marijana Llonçar Velkova, kryetare e Shoqatës së Konsumatorëve.

Nga ana tjetër, kompetentët kanë një porosi për marketet – duhet ti publikojnë çmimet në ueb-faqet e tyre që duhet të jenë të njëjta me ato në rafte. “Në të kundërtën do të pasojnë gjoba prej 500 deri në 10.000 euro”, thekson drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT), Vllatko Stojkoski. Ky detyrim buron nga ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, dhe vlen për të gjitha subjektet juridike të vogla, të mesme dhe të mëdha që merren me tregtinë me pakicë. Ata do të duhet jo vetëm të publikojnë çmimet, por edhe t’i përditësojnë ato çdo ditë, ndërsa kontrolli nëse ato janë në përputhje me zgjidhjen ligjore do të kryhet nga një grup i posaçëm inspektimi i ISHT-së.

Sipas Stojkoskit, tregtarët tashmë kanë faqet e tyre të internetit, janë pjesërisht të përgatitur dhe do t’i përgjigjen obligimit.

“Nuk guxon të ketë dallime në çmime në ueb-faqen me ato të marketeve. Për të qenë i qartë dhe i saktë, Ligji është për mbrojtjen e konsumatorit dhe gjobat variojnë nga 500 deri në 10.000 euro në varësi të madhësisë së personit juridik. Me publikimin e çmimeve onlajn, jo vetëm që konsumatorët do të informohen më mirë, por do të kemi edhe një pasqyrë më të mirë të gjithë situatës. Si drejtor kam në plan të kem një qendër të posaçme analizash – inspektorë analizash të cilët do të dalin të përgatitur në terren dhe do të bëjnë monitorimin. Kjo është puna jonë dhe ne jemi këtu për qytetarët, konsumatorët”, thekson Stojkoski.

Lidhur me atë se çfarë do të ndodhë pas 30 prillit kur të përfundojnë masat e marzhit të qeverisë, Stojkoski u përgjigj se situata po monitorohet, veçanërisht për zhvillimet në bursat.

SI I MBRON ITALIA DHE IZRAELI, KONSUMATORËT

Italia, Izraeli dhe shtete të tjera kanë ndërmarrë masa të ngjashme për të rritur llogaridhënien e çmimeve për konsumatorët. Në Izrael, transparenca e çmimeve në supermarkete nuk është vetëm një rekomandim – është ligj. Të gjitha çmimet janë të shënuara qartë dhe klientët mund të shohin menjëherë informacione shtesë që i ndihmon ata të kuptojnë strukturën e çmimeve. Çdo produkt në raft ka dy çmime të listuara: të vjetra dhe të reja. Çdo produkt tregon qartë se nga vjen: nëse është vendas, nga një vend fqinj apo i importuar. Transparenca përfshin gjithashtu informacione për taksat dhe marzhet tregtare të shtuara në çmimin bazë. Kjo u jep konsumatorëve njohuri se sa shumë fiton një shitës me pakicë për çdo produkt, gjë që mund të jetë e dobishme për marrjen e vendimeve.

Natyrisht, blerësit zgjedhin ata me marzhe më të ulëta. Sigurisht që edhe taksat janë një gjë e rëndësishme, ndaj nëse blejmë miell e dimë se sa para na ngarkon shteti ku jetojmë për këtë artikull ushqimor bazë.

Në Izrael, ka edhe aplikacione dhe faqe interneti që ju lejojnë të krahasoni çmimet midis dyqaneve të ndryshme, ndërsa bëhet dallimi edhe midis çmimit të ri dhe të vjetër. Italia ka zhvilluar gjithashtu një platformë dixhitale që lejon konsumatorët të gjurmojnë çmimet dhe promovimet në kohë reale. Aplikacioni “PrezziBassi” i lejon përdoruesit të skanojnë barkodet e produkteve në supermarkete dhe të shohin menjëherë çmimet e këtyre produkteve në dyqanet e tjera aty pranë. Aplikacioni gjithashtu ofron informacion në lidhje me zbritjet, promovimet dhe ndryshimet historike të çmimeve, duke i lejuar përdoruesit të krahasojnë lehtësisht çmimet dhe të gjejnë ofertat më të mira.

Të dy modelet – izraelite me rregullore ligjore dhe italiane me zgjidhje teknologjike – tregojnë se si transparenca mund të ndihmojë në uljen e çmimeve dhe rritjen e konkurrencës midis shitësve me pakicë. Ato gjithashtu u ofrojnë konsumatorëve informacion më të mirë kur bëjnë blerje, gjë që kontribuon drejtpërdrejt në uljen e inflacionit dhe forcimin e besimit në treg.

Ndryshe, Inspektorati Shtetëror i Tregut, pas vendimit të qeverisë për kufizimin e marzheve dhe çmimeve të produkteve, gjatë kontrolleve të kryera në periudhën 24 shkurt deri më 6 mars 2025 në tregtinë me pakicë dhe shumicë, ka zbuluar 36 parregullsi dhe ka lëshuar urdhërpagesë për gjoba në shumën prej 42 mijë eurosh. Inspektimet zbuluan mosrespektim të masave të qeverisë në tetë persona juridikë, përfshirë shitës me pakicë dhe shumicë, farmaci dhe shpërndarës. Inspektorati njoftoi vazhdimin e kontrolleve dhe apeloi tek tregtarët që të respektojnë ligjet, duke theksuar se përskaj gjobave deri në 10 mijë euro, dhe mund të vendoset edhe ndalimi i veprimtarisë. Nga 1 maji pritet rishikimi i kushteve të bursës dhe përcaktimi i produkteve të reja për të kufizuar marzhet. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm