Drejtoresha e muzeut, Alina Dotsenko, mban zi për humbjen e të gjitha këtyre veprave, përfshirë tri peizazhe detare nga piktori romantik me origjinë armene, Ivan Aivasovsky. Gjithashtu mungojnë “Portrait of a Lady with a Dog” nga piktori anglez i shekullit XVII, Peter Lely si dhe piktura të ndryshme nga epoka sovjetike, të cilat vetë Dotsenko i kishte mbledhur për muzeun në vitet ’70
Si pasojë e kundërofensivës ukrainase në verën e vitit 2022, ushtria ruse u detyrua të tërhiqej nga zona përreth Khersonit. Më 11 nëntor, qyteti u çlirua nga ushtria ukrainase.
Shkatërrimi i objekteve kulturore ka qenë një nga pasojat e shumta të pushtimit rus në Ukrainë dhe muajve të trazirave në rajonin e Khersonit. Në fillim të nëntorit të vitit 2022, koleksione të tëra u hoqën nga Muzeu i Artit në Kherson, Muzeu Rajonal në Kherson dhe Arkivat Kombëtare të Rajonit atje. U plaçkitën gurët e varreve të komandantëve caristë rusë dhe madje edhe eshtrat e marshallit rus, Grigory Potemkim, punonjësi i ngushtë i perandoreshës Tsarina Catherine II. Nëse krahasohet lista e gjërave muzeore të ekspozuara me ato që kanë mbetur, pothuajse 11 mijë vepra art mungojnë në Muzeun e Artit në Kherson. Kjo do të thotë se bëhet fjalë për më shumë se tre të katërtat e koleksionit.
Drejtoresha e muzeut, Alina Dotsenko, mban zi për humbjen e të gjitha këtyre veprave, përfshirë tri peizazhe detare nga piktori romantik me origjinë armene, Ivan Aivasovsky. Gjithashtu mungojnë “Portrait of a Lady with a Dog” nga piktori anglez i shekullit XVII, Peter Lely si dhe piktura të ndryshme nga epoka sovjetike, të cilat vetë Dotsenko i kishte mbledhur për muzeun në vitet ’70.
Forcat pushtuese ruse i çuan veprat e vjedhura në Muzeun Qendror të Tavridës, i cili ndodhet në Simferopol në Krime. Gadishulli ukrainas është aneksuar nga Rusia që nga viti 2014. “Njerëzit të shqetësuar na dërguar pamje nga atje ku shiheshin pikturat tona që ishin hequr nga vendi i tyre. Ne i njohëm ato”, ka thënë drejtoresha e muzeut, Alina Dotsenko. Që atëherë, stafi i saj është vënë pas veprave nëpërmjet fotografive nga rrjetet sociale dhe pamjeve nga televizioni rus. Megjithatë, deri tani kanë qenë në gjendje të gjejnë vetëm 94 vepra arti duke përdorur numrat e inventarit dhe imazhet e shkurtra. Ata nuk e dinë se ku është pjesa tjetër apo në çfarë gjendje janë veprat.
Drejtoresha e Muzeut Rajonal në Kherson, Olga Goncharova, është ankuar për humbjen e artikujve më të çmuar të koleksionit. Rusët morën amfora të lashta greke, zbukurime ari nga nomadët e stepës, armët mesjetare dhe ikonat ortodokse që ishin gjetur në bregun e majtë të lumit Dnipro, zonë ende e pushtuar nga Rusia.
Goncharova ka thënë se qëkur forcat pushtuese u tërhoqën, muzeut i kanë munguar edhe listat e rëndësishme të ekspozitave dhe dokumenteve që vërtetojnë vlerën e tyre historike. Prandaj, ajo mund të vlerësojë se numri i objekteve të plaçkitura shkon në afro 23 mijë sosh. Disa nga veprat që ishin të ekspozuara përfunduan në qytetin Henichesk në jug të Ukrainës, i pushtuar nga Rusia. Atje u tërhoqën edhe punonjësit e muzeut të cilët bashkëpunuan me okupatorët rusë. Disa nga ekspozitat u çuan në muzeun “Chersonese Taurian” në Sevastopol. Edhe më pak informacion ka për fatin e koleksioneve muzeale në territoret ukrainase që janë ende të pushtuara nga Rusia. Sipas punonjësve të muzeut dhe raporteve të mediave ruse, administratat e emëruara nga forcat pushtuese “evakuuan” koleksionet e muzeve dhe galerive në qytetin Nova Kakhovka në nëntor të 2022-s. Nuk dihet se ku gjenden. E vetmja gjë që është e qartë është se të paktën një koleksion paleolitik ndodhet në Sevastopol.
Në Mariupolin e pushtuar nga Rusia në rajonin e Donetskut, të gjithë muzetë janë shkatërruar gjatë rrethimit. Siç kanë raportuar mediat ruse në prill të vitit 2022, drejtoresha e muzeut historik të zonës, Natalia Kapustnikova kishte arritur të shpëtonte vetëm një duzinë veprash arti. Ato përfshin tri piktura të piktorit Arkhip Kuindzhi, i lindur në Mariupol. Ai është i njohur për pikturat e tij të peizazhit. Ajo ishte në gjendje të shpëtonte gjithashtu një pikturë nga Ivan Aivazovsky. Megjithatë, u desh që veprat t’u dorëzoheshin rusëve të cilët i çuan ato në muzeun lokal në Donetskun e pushtuar nga Rusia.
Që nga fillimi i pushtimit më të gjerë të Rusisë, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) po heton heqjet e koleksioneve muzeale. Dyshohet për “shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës” si pjesë e një “gjenocidi të dyshuar mbi popullin ukrainas”.
Hetuesi i SBU-së, Jevhen Rusinov, ka thënë se ekziston një “rrjet” për vjedhjen e veprave muzeale të ekspozuara, rreth të cilit ende nuk dihet gjithçka. “Por ne dimë se si përfaqësuesit e lartë të shtetit rus, ashtu edhe personeli ushtarak, janë të përfshirë”, ka thënë ai. Zëvendësprokurori i parë i përgjithshëm i Ukrainës, Oleksiy Khomenko, ka thënë se gjatë pushtimit rus, janë plaçkitur më shumë se 40 muze në territoret e pushtuara. Humbja nuk është matur ende plotësisht. “Mund të duhen vite”, ka thënë ai. Deri në fund të vitit, Ministria e Kulturës dhe Politikës së Informacionit në Ukrainë synon të krijojë një regjistër në të cilin do të hyjnë të gjitha informacionet në dispozicion mbi veprat e artit që gjendeshin në territoret e pushtuara. Kjo më pas duhet të ndihmojë për të gjetur artin dhe gjërat me vlerë. Megjithatë, mbase kjo do të jetë e mundur vetëm pas përfundimit të luftës. (DW)