Shefja e misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Nathalie Loiseau, në një intervistë për KOHËN ka thënë se secili banorë i Kosovës, nga të gjitha komunitetet duhet të ndihet i lirë për ta ushtruar të drejtën e votës, pa frikë nga kërcënimet dhe presionet. Në funksion të rritjes së transparencës ajo e sheh si pozitive edhe prezencën e kamerave. Loiseau ka folur edhe për vendimet e fundit të KQZ-së rreth Listës Serbe
Votuesit e Kosovës, qoftë në jug ose veri duhet të ndihen të lirë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, ka thënë shefja e misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) në Kosovë, Nathalie Loiseau. Me rastin e zbarkimit në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, Loiseau, që është anëtare e Parlamentit Evropian, ka dhënë një intervistë për KOHËN. Ajo e sheh sinjal pozitiv faktin se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, zgjedhjet po mbahen sipas afatit të rregullt kushtetues. “Këto nuk janë zgjedhjet e para që Bashkimi Evropian i vëzhgon në Kosovë. Ne i shohim ato si një demokraci e gjallë në rajon. Fakti se këto zgjedhje vijnë në përfundim të mandatit për herët të parë, është po ashtu një sinjal pozitiv i pjekurisë demokratike. Ne po ashtu e vlerësojnë gjithëpërfshirjen, me prezencë të kandidatëve nga të gjitha pjesë e Kosovës dhe mundësia e tyre që të zhvillojnë kampanjën, që ata të dëgjohen nga mediat, është shumë me rëndësi dhe do ta vazhdojmë këtë dhe të japim rekomandim në raportin tonë”, ka theksuar Loiseau.
Tek komentoi nisjen e fushatës, Loiseau ka thënë se po trajtohen ankesat e disa kandidatëve për mungesë hapësire në media.
“Është vetëm fillimi dhe misioni ynë sapo ka filluar punën, kështu që ne jemi duke diskutuar me përfaqësues të partive politike, me organizata të shoqërisë civile. Po ashtu jemi duke trajtuar shkresat e disa kandidatëve që ankohen se jo të gjithë atyre po u jepet hapësirë në media. Nuk mendoj se është diçka e paligjshme. Por me rëndësi është që votuesit ta krijojnë një opinion të formuar para se të votojnë dhe kjo mendoj se duhet të jetë çelësi”, ka thënë ajo. E pyetur për sfidat që mund t’i hasin gjatë këtij procesi, posaçërisht në veriun e populluar kryesisht me serbë, duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara kur BE-ja pati identifikuar kërcënime e shantazhe, Loisau tha se pret që kjo të mos ndodhë.
“Me të vërtetë shpresoj se ligji i ri për zgjedhjet do të zbatohet si duhet. Prezenca e kamerave në vendvotime duhet të shihet si vlerë për transparencën sikurse edhe numërimi i votave. Mendoj se secili banor i Kosovës, qoftë në veri apo në jug duhet të ndihet i lirë për ta ushtruar të drejtën e tij të votës, pa frikë nga kërcënimi dhe presioni. Shpresoj se kjo do të ndodhë”, është shprehur ajo.
Loisau po ashtu ka inkurajuar të shmanget bojkoti eventual i zgjedhjeve, tek është pyetur për refuzimin e serbëve që të votojnë në disa palë zgjedhje të kaluara në veri.
“Mendoj se bojkoti është vendim politik. Nuk kam asgjë të them kundër apo në favor të bojkotit, nuk dua të ndërhyj dhe njerëzit janë të lirë. Por do të thosha këtë: unë jam anëtare e zgjedhur e Parlamentit Evropian, kështu që kur ke të drejtën e votës, shfrytëzojë atë. Kurrë mos mendoni se gjërat do të bëhen më mirë kur ju nuk votoni. Demokracia është diçka që duhet ta çmojmë. Demokracitë ndonjëherë janë nën sulm në pjesë të ndryshme të botës, ndonjëherë edhe në Evropë, kështu që me të vërtetë shfrytëzojeni të drejtën tuaj për votim”, ka potencuar ajo. Pjesë e diskutimeve të misionit vëzhgues, krahas përfaqësuesve të partive politike, kanë qenë edhe vendimet e fundit të Komisionit Qendror rreth Listës Serbe, që nxitën debat.
“Ne i kemi parë ato, po ashtu e kemi parë PZAP-në, Panelin Zgjedhor për Ankesa duke i kthyer vendimet në mënyrë të shpejtë. Çfarë kam vërejtur është se afatet për ankesa janë respektuar dhe vendimet e marra aq shpejtë dëshmojnë se PZAP-ja dhe Gjykata Supreme po luajnë rolin e tyre. Ne do t’i kemi vlerësimet finale, kur fushata të përfundojë, kur zgjedhjet të përfundojnë dhe me raportin final do të jetë e mundur të bëhet vlerësimi final, por kjo është ajo që kemi parë deri tani. Po ashtu ne kemi diskutime me KQZ-në dhe PZAP-në”, ka theksuar Loisau. Gjetjet preliminare të Misionit vëzhgues evropian do të publikohen në një konferencë për media, dy ditë pas ditës së zgjedhjeve.
(Marrë nga Koha.net)