Fansat e Miley Cyrus janë tronditur kur u përhap lajmi se nëna e saj, Tish Cyrus, e kishte ndaluar së ndjekuri vajzën në Instagram.
Sipas postimeve të shumta në rrjetet sociale, të shoqëruara me pamje të kapura nga ekrani, emri i Miley nuk figuronte më në listën e personave që Tish i ndjek në Instagram, shkruan DailyMail.
As Miley dhe as Tish nuk kanë reaguar publikisht për këtë veprim të supozuar, por fansat filluan të spekulojnë se një përplasje e mundshme mes nënës dhe vajzës mund të ketë ndodhur për shkak të babait të Miley-t, Billy Ray Cyrus, ish-bashkëshorti i Tish-it.
Një detaj që ka ndezur edhe më shumë spekulimet ishte një postim i Billy Ray-t në Instagram, ku ai ndante një video të vjetër me Miley-n duke kënduar e luajtur në piano, ndërsa ai e shoqëronte me kitarë akustike.
Në mbishkrimin e videos ai shkruante: “S’mund të pres të takoj këtë zonjushë. Është çmenduri si fluturon koha”.
Disa fansa e panë këtë si një sinjal se një ribashkim mes Miley-t dhe babait të saj mund të jetë në horizont, ndonëse mund të ketë qenë vetëm një dëshirë nga ana e tij për t’u afruar sërish me të bijën.
Tish, nga ana tjetër, ka folur hapur për “kohët e vështira” që ka përjetuar gjatë martesës me Billy Ray-n, dhe drama mes tyre ka vazhduar edhe pas ndarjes. Ajo ka qenë gjithashtu në përplasje të hapur me vajzën tjetër, Noah Cyrus, derisa së fundmi janë ribashkuar.
Sipas TMZ, në të njëjtën periudhë kur Billy Ray publikoi videon e vjetër me Miley-n, e dashura e tij e re – aktorja britanike Elizabeth Hurley, pëlqeu postimin më të fundit të Miley-t në Instagram.
Hurley, 59 vjeçe, thuhet se ka “pëlqyer” shumë nga postimet e fundit të artistes së hitit “Wrecking Ball”, duke tërhequr kështu edhe më shumë vëmendje në raportet brenda familjes Cyrus.
Megjithëse pamjet fillestare tregonin se Tish e kishte ndalur së ndjekuri Miley-n, situata ndryshoi të mërkurën në mbrëmje – Tish shihej sërish në listën e ndjekësve të Miley-t, duke ngritur dyshime nëse largimi kishte qenë i qëllimshëm apo thjesht një gabim teknik.
Kujtojmë që deri së fundmi, Tish kishte qenë në marrëdhënie të tensionuara me vajzën e saj Noah Cyrus, pas raportimeve se aktori Dominic Purcell – me të cilin Tish u martua në vitin 2023 – kishte pasur më parë një lidhje të shkurtër me Noah, gjë që çoi në akuzat se “nëna ia kishte marrë të dashurin vajzës”.
Megjithatë, në një episod të podcastit të Tish dhe vajzës tjetër të saj, Brandi Cyrus, të titulluar “Sorry We’re Cyrus”, ku mori pjesë edhe Noah si e ftuar surprizë, Tish tregoi se marrëdhënia me Noah është përmirësuar ndjeshëm kohët e fundit. Ajo tha se afërsia fizike dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me të bijën ndihmuan në kapërcimin e mosmarrëveshjeve.
Drama brenda familjes Cyrus, duket se vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave dhe fansave – me raportet mes prindërve, fëmijëve dhe partnerëve të tyre që shpesh kthehen në tituj lajmesh.