Heronjtë e luftërave – dëshmorët dhe viktimat kurrë s’do të jenë fajtorë për atë që ndodh pas gjakut të derdhur të tyre… Çdokush ka vënë nga një gur (e dikush më shumë) për ndërtimin e kalasë së (përbashkët) të popullit shqiptar dhe shumë gjëra kanë lëvizur dhe kanë shkuar përpara. Sot arritëm që prej një shteti amë të (bëjmë) formojmë dy shtete. Akoma kemi edhe më për të bërë dhe ecur rrugës së gjatë, që kërkon sakrifica të mëdha
Nga prof.dr. Hasan HODA
“…Përmbyse kullën e shpifjeve dhe të rrenave, të cilën e ndërtuan dhe e zbukuruan armiqt me radhë… Ka qenë okupatori, begu e agai, e çetniku dhe shpiujt që muarën dënimin e merituem“. (Esat Mekuli, 1944)
Shaip Sulejmani është autor edhe i historikut “Debreshi nëpër shekuj” (2004), “Helmimi i shqiptarëve në Dubrovnik (Raguzë) në vitin 1945, skenar i përgatitur apo fatkeqësi rasti” (2007), dhe “Dëshmorë e viktima gjatë rrugëve të përgjakura për Liri” (Rrëfime dhe dëshmi – 2015). Libri i fundit është i ndarë në IV kapituj: Kapitulli i I-rë ndahet në 8 nëntituj. Nëntitullin e 7-të e ndanë në pikat a. dhe b. Ndërsa nëntitullin e 8-të, në pikat a., b., c.
Unë do të ndalem përciptazi në fund të nëntitulli 8: SHQIPTARËT E MAQEDONISË NË LUFTRAT BALLKANIKE DHE ATO BOTËRORE DERI NË DITËT E SOTME. Këtu autori na jep mesazhe, sugjerime dhe këshilla,duke ua përcjellur veçmas gjeneratave të reja,të cilat tanimë janë të shkolluara: në shtetin amë, ku i hapi dyert e universiteteve në vitin 1993, brenda shtetit dhe jashtë, në diasporë e gjetiu nëpër botë, që të mos bëhen pre e të huajve, ashtu siç na ka ndodhur, shekuj me radhë, si na mëson historia jonë,e shkruar edhe nga të tjerët. Duke zbërthyer këtë nëntitull autori si më lartë,jep këto vlerësime: “Të bëhen shkoqitje më të mëdha nga historianët më të shquar, debate politikë shumë parimore, duke e vlerësuar gjendjen reale,të asaj distance kohore dhe rrethanave gjeostrategjike të Fuqive të mëdha, pa pasur ideologji subjektive dhe pa paragjykime karrieriste të kohës së sotme, duke e ndarë popullin (edhe të vdekurit edhe të gjallët që janë akoma) në “patriot të mëdhenj” dhe “tradhtarë”, e cila vetëm mund të na i thelloj edhe më tepër dallimet ideologjike me plot subjektivizma kolektive,personale apo grupore,që për fat të keq i nëpërkëmbin parimet dhe vlerat demokratike dhe civilizuese në mbarë trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup.
Me debate duhet gjetur rrugë për forcimin e unitetit të popullit shqiptarë, duke hartuar një platformë të përbashkët, ku do të veprojë edhe pozita nëpërmjet institucioneve, por edhe opozita shqiptare (korrektore) në mënyrë konstruktive, civilizuese, pa sjellë armiqësi dhe vrasje që na bëhen gjatë netëve ogurzeza, e ndoshta po ato duar të zeza ditën na shkruajnë lëvdata dhe në varreza na lexojnë referate e vendosin buqete lulesh (kurora), njëherë e përgjithmonë të mësohemi dhe të vetëdijesohemi me vlerat civilizuese, duke e dalluar trimërinë në male dhe atë në tryezat e institucioneve…
Por, sigurisht se mund të vijë ndonjëherë, kur duhet mbushur rrugët me masë të popullit, që në mënyrë paqësore populli të shpreh revoltën e vet ndaj pushtetit që ka mashtruar me premtimet e dhëna gjatë fushatave parazgjedhore, ku pasi sovrani ua jep sovranitetin për qeverisje, ai katandiset ahengjeve korruptive, bëhet pjatëlëpirës të partnerëve tjerë që tentojnë të na quajnë qiraxhi në shtëpinë tonë vetëm e vetëm për të hyrë në pushtet e të harxhojnë parat e popullit si ua kënd (vetëdija) morali, vetëdija e pamoralshme dhe joprofesionalizmi i përfaqësuar në ekzekutiv, por në bazë të meritave politike të klaneve të ndryshme brenda një partie dhe partive të ndryshme…
Ta përmbyll këtë artikull (thotë autori) me fjalët: A ka më turp dhe jonjerëzore që duke manipuluar e luajtur me kartën e patriotizmit të rrejshëm, duke u marrë gjatë kohëve të përmendura, se sot kur etiketojmë tradhtar apo spiun, shqiptarët që flasin dhe takohen mes vete si një gjak, një fis e një fe, një familje apo shoqëri gjeneratash shkollore, haptas apo mes formave tjera perfide zhvillimesh diskriminuese, e nga ana tjetër po ato njerëz të subjekteve politike që e kanë atë forcë politike, haptas rrinë dhe marrin pjesë nëpër ahengje private të partnerëve politik serbo-maqedonas, haptas dhe në mënyrë tinëzare bëjnë pazarllëqe me udhëheqësit e palës maqedonase në dëm të popullit (të mjerë) shqiptarë dhe dobi të interesave profitabile e karrieriste të tyre individuale, grupore apo qofshin të një partie minore, nuk na qenkan ata spiunë apo tradhtarë, ndërsa ata shqiptarë me shqiptarë na qenkan!?
…Fatin e kemi të tillë, ashtu sikur të tjerët na kanë ndarë dhe formuar si shtet dhe na kanë diktuar rregullat dhe imponuar ato vlera, që i quajmë vlera evropiane, ku duhet të jetojmë,veprojmë e punojmë së bashku me gjithë popujt tjerë në këtë shtet apo në nënqiell të përbashkët… Sigurisht se ka nevojë për koordinim, për një Platformë të përbashkët Politike Shqiptare-në suaza të trekëndëshit: Tiranë-Prishtinë-Shkup, duke e pasur parasysh edhe faktorin ndërkombëtar dhe vlerat integruese të Evropës!
Përndryshe, rezultatet për realizimin e të drejtave të plota shqiptare me palën maqedonase ,në këtë shtet që themi se është edhe i yni, me të drejta të barabarta, janë fraza politike dhe marketing parazgjedhor… (shkurtesë)… mos harrojmë se gjeneratat e reja që vijnë pas nesh, do të kërkojnë llogari prej gjeneratave tona dhe mund t’u trashëgojmë edhe gjakderdhje, ndoshta edhe më të mëdha sesa i kemi përjetuar në të kaluarën (shkëputur nga faqe 56, 57, 58, 59, 60).
KAPITULLI I. NËNTITULLI 8, PIKA C): FORMIMI I SHTETIT TË PAVARUR SHQIPTAR
Edhe kah fundi i kësaj pike, autori bën thirrje për një Platformë të përbashkët politike të mbarë subjekteve politike të shqiptarëve… Përmes trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup,unifikon Luginën e Preshevës dhe Medvegjës e (Bujanocit) dhe në Mal të Zi, e Çamëri… Për ndryshe, thotë autori: “…Kurrë shqiptarët nuk mund t’i zgjidhin problemet e tyre ,ashtu siç janë tani të përçarë, të ndarë dhe të vrarë mes vete”…
…T’i largohemi demagogjisë shumë shpesh të përfolur për t’u arsyetuar me frazën: “sllavët na kanë përçarë”. Vallë mos presim apo duhet pritur ato të na bashkojnë dhe sjellin unitetin shqiptarë?…
Ai tanimë duke e parë se hovin i gjeneratave të reja për dije dhe kulturë s’ka forcë që mund ta ndal e fashitje, vazhdon: “Kaloi koha e analfabetizmit dhe gjysmëanalfabetizmit. Duhet zgjuar më nga gjumi(shekullor)dhe të vetëdijesohemi kombëtarisht,të largohemi nga dashuria e karrierizmit dhe njollosjes me para të fëlliqura nga sllavët dhe pastaj t’u ngelim besnik dhe t’u bëjmë gjithnjë vasalitet,duke u trembur se mos na i nxjerrin keqpërdorimet në shesh. Përçarjen dhe injorancën duhet harruar dhe t’i kthehemi unitetit,platformës së përbashkët, së bashku me pozitën apo opozitën kur bëhet fjalë për çështje madhore (kombëtare) sidomos tek shqiptarët e Maqedonisë…”.
KREUN E III-TË, PIKA 17. VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIK NË PRAG DHE GJATË LUFTËS DYTË BOTËRORE(1939-1945)
Në kreun e kësaj pike autori bën një përçapje të shkurtër duke përmendë vitet (1939-1945) ku… “populli shqiptar nuk u ndal nga rezistenca për t’u çliruar nga politika shoveniste, hegjemoniste dhe koloniste e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (SKS). Përmendë aneksimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Përmendë ndarjet territoriale të Shqipërisë etnike me pa të drejtë, ashtu siç kanë diktuar më të fortit për rreth, të ndihmuar nga Komisione të ndryshme të popujve perëndimor,të cilët pak ose aspak si kanë njohur rrethana gjeografike dhe strategjike të këtyre trojeve. Por, gjithësisht zbërthimet e thuktë të mëposhtme ua lëmë historianëve dhe historisë. Edhe autori i librit përsërit: “…Historinë duhet ta shkruajnë dhe sqarojnë historianët e ndërgjegjshëm për mes fakteve të plota (reale) dhe jo të segmentizuatra” (shtrembëruara) nën diktatin e forcës.
Andaj, heronjtë e luftërave, dëshmorët dhe viktimat kurrë s’do të jenë fajtorë për atë që ndodh pas gjakut të derdhur të tyre… Çdokush ka vënë nga një gur (e dikush më shumë) për ndërtimin e kalasë së (përbashkët) të popullit shqiptar dhe shumë gjëra kanë lëvizur dhe kanë shkuar përpara. Sot arritëm që prej një shteti amë të (bëjmë) formojmë dy shtete. Akoma kemi edhe më për të bërë dhe ecur rrugës së gjatë, që kërkon sakrifica të mëdha.
Thekson më tej: Të rinjtë nga fshati Debresh vullnetarisht iu bashkëngjitën edhe Luftës apo Kryengritjes së vitit 2001… Që nga 10 marsi 2001 gjerë më 31 gusht 2001 u rreshtuan në aradhet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK)… 42 djem të rinj, për të cilët siç thotë autori: “për aktivitetin luftarak dhe trimërinë që treguan në luftën e përmendur, ka shkruar në librin me titull ‘Debreshi nëpër shekuj’.
Duke e përfunduar kreun e zbërthyer, shkruan: “Pra, s’ka liri pa alfabet dhe gjuhë,pa arsim dhe kulturë të kombit, që janë shtyllat e identitetit të kombit shqiptar si popull autokton të këtyre tokave tona shekullore”.