E shtunë, 15 Mars, 2025
20.8 C
Skopje

New York Times: Pse SHBA po i thotë Serbisë t’i largojë trupat nga kufiri i Kosovës?

Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje të premten Serbisë që t’i tërheqë trupat e saj të grumbulluara në kufirin e Kosovës, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara e përshkruan atë prani ushtarake si “destabilizuese” dhe një shenjë shqetësuese të përshkallëzimit të mundshëm të tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës.

Ky njoftim erdhi pesë ditë pas një sulmi në veri të Kosovës, në të cilin persona të armatosur sulmuan një fshat dhe më pas u barrikaduan në një manastir, një episod i dhunshëm që çoi në vdekjen e katër personave, duke përfshirë një zyrtar policor kosovar.

John F. Kirby, zëdhënës i administratës së Bidenit, e denoncoi këtë sulm të premten duke thënë se zyrtarët amerikanë i kishin kontaktuar me liderët e Serbisë dhe Kosovës për t’i nxitur të njëjtit që të angazhohen në dialogun diplomatik.

Kirby tha gjithashtu se më shumë trupa të NATO-s do të vendosen në zonë, megjithëse nuk tha nëse zyrtarët amerikanë prisnin që ky konflikt të kalonte në një konflikt ushtarak.

Çfarë ndodhi në dhunën e fundit?

Të dielën e kaluar, disa dhjetëra persona të armatosur përdorën automjete të blinduara për ta sulmuar një fshat në veri të Kosovës dhe më pas u fshehën në një manastir ortodoks serb aty pranë. Ata luftuan me policinë kosovare nga ai pozicion dhe një polic kosovar u vra së bashku me disa nga sulmuesit.

Në ditët në vijim, liderët serbë dhe kosovarë e fajësuan njëri-tjetrin për dhunën. Autoritetet e Kosovës thanë gjithashtu publikisht se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kishte mbështetur personat e armatosur.

“Kosova është nën sulm”, deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për Reuters të enjten, duke shtuar se personat e armatosur “thjesht i kishin ushtruar qëllimet dhe motivet e Serbisë si shtet dhe të Vuçiqit si udhëheqës”.

Zyrtarët amerikanë e përshkruan sulmin si shumë të organizuar dhe thanë se sulmuesit ndoshta kishin burime të konsiderueshme prapa tyre. John F. Kirby, zëdhënës i administratës amerikane tha se personat e armatosur kishin asgjësuar mbi një duzinë automjetesh sportive që ishin përdorur për të transportuar armë me “sofistikim alarmant”.

Kirby tha se armët përfaqësonin një kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për trupat ndërkombëtare të vendosura atje. Misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO ka operuar në Kosovë që nga viti 1999 dhe aleanca ka disa mijëra trupa të stacionuara në Kosovë.

Luftimet shpërthyen gjithashtu këtë pranverë kur autoritetet e Kosovës dërguan forcat e sigurisë në disa qytete për ta marrë kontrollin e godinave komunale dhe për t’i vendosur kryetarët shqiptarë, të cilët kishin i fituar zgjedhjet lokale. Serbët vendas kryesisht i kishin bojkotuar votimet.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm