E premte, 7 Shkurt, 2025
8.8 C
Skopje

Nga Europa në Rusi, jeta e Elena Gjikës larg Shqipërisë!

Elena Gjika ishte kundërshtare e regjimeve monarkike dhe diktatoriale. Përkushtimi i pareshtur i saj ndaj aspiratave të pakicave kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas dhe ndaj arsimimit të popujve e bëri të mirënjohur në mbarë Evropën. Duke qenë një veprimtare e rëndësishme e lëvizjes kulturore evropiane si dhe kundërshtare e sundimit despotik dhe e shtypjes së popujve, disa studiues e kanë quajtur edhe pioniere të Evropës së bashkuar

Elena Gjika ishte shkrimtare dhe publiciste përparimtare, rumune me origjinë shqiptare. Elena Gjika me aktivitetin e saj si shkrimtare dhe publiciste, përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Europës. Ajo mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar, siç ishin: De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko, etj. Elena Gjika (Dora D’Istria lindi më 22 janar të vitit 1828 në Bukuresht. Ndonëse lindi në Bukuresht dhe jetën e kaloi larg vendit të origjinës, dejtë do ta shpinin gjithnjë drejt Shqipërisë që qëndronte në bërthamë të veprës së saj publicistike.

“Meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë”, shkruante shkrimtarja me origjinë shqiptare, e cila u bë e njohur edhe me emrin e saj të penës Dora D’Istria. Elena Gjika u rrit në një kostelacion familjar të mbrujtur me kulturën, si e bija e Mihal Gjikës, themelues i muzeut të parë kombëtar në Rumani dhe e Katarina Gjikës, lëvruese në përkthim.

STUDIMET

Elena Gjika kreu studime të thelluara në degën e letërsisë në epiqendrat e jetës akademike evropiane (Austri, Itali dhe Gjermani). Vepra e saj e parë e botuar në 1855-n titullohej “Jeta monastike në Kishën Lindore” (La vie dans l’Eglise monastique Orientale), ku autorja apelonte për shfuqizimin e urdhrave të manastirit. Ndërkaq, barazia gjinore do të ishte kryefjalë e korpusit të publikimeve të Gjikës. Në shkrimin “Gratë në Orient” (“Les femmes en Orient”, 1859) dhe “Rreth grave, nga një grua” (“Des femmes, par une femme”, 1869), ajo qëmtonte veçanërisht emancipimin e grave në Levant (Mesdheu Lindor) dhe identifikonte dallimet në trajtimin e tyre mes Evropës Jugore dhe Gjermanisë.

Në këto studime Elena Gjika nxirrte në pah traditat, doket, kulturën dhe historinë e shqiptarëve e luftën e popullit shqiptar kundër sundimit osman. Ajo shfaqi interesa të shumanshme në shumë fusha si: sociologji, folkloristikë, letërsi e kritikë letrare. Në shenjë mirënjohje për ndihmesën e dhënë ndaj çështjes shqiptare në botë, patriotët rilindës e arbëreshë të Italisë e Greqisë i kushtuan librin me titull: “A Dora D’Istria- Gli albanesi” (Dora D’Istrias- Shqiptarët) më 1870.

KULTURA

Në saje të njohjes së nëntë gjuhëve të huaja, Dora d’Istria përktheu krijime nga letërsia botërore. Falë diturisë që kishte, tërhoqi vëmendjen e shoqërisë së lartë, madje në një moshë të re, kur nuk ishte më shumë se 20 vjeçe. Bashkëkohësit e saj e renditën në radhën e personaliteteve më të shquara të Evropës së asaj kohe, siç ishin shkrimtarja franceze Zhorzh Sand* (Amandine-Lucie-Aurore Dupin, 1804-1876) dhe kontesha d’Agu (Maried’Agoult Flavigny, 1805-1876). Arriti kulmin e lavdisë, ndaj princi i Rumanisë Karoli I ia dërgoi “Urdhrin e shkallës I”(Bene Merenti), vlerësim ky që në Perëndim u jepej dijetarëve meshkuj.

Në Enciklopedinë e përgjithshme të Francës, për Elena Gjikën ndërmjet tjerash thuhet: “Princesha Elenë njihte thellë italishten, anglishten, gjermanishten, frëngjishten, rumanishten, greqishten, latinishten, rusishten dhe shqipen”. Njohja e këtyre gjuhëve dhe e kulturave të popujve që i flisnin gjuhët e sipërthëna, i mundësoi që të pajiset me një kulturë të gjerë, ndaj dhe studiuesi spanjoll Iriartee quajti “enciklopedi e gjallë”.

VEPRIMTARIA

Elena Gjika ishte kundërshtare e regjimeve monarkike dhe diktatoriale. Përkushtimi i pareshtur i saj ndaj aspiratave të pakicave kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas dhe ndaj arsimimit të popujve e bëri të mirënjohur në mbarë Evropën. Duke qenë një veprimtare e rëndësishme e lëvizjes kulturore evropiane si dhe kundërshtare e sundimit despotik dhe e shtypjes së popujve, disa studiues e kanë quajtur edhe pioniere të Evropës së bashkuar.

Duke qenë se kishte gjak princëror, nuk e kishte të vështirë të vendoste kontakte të shumta me rrethet intelektuale, shkencore, politike dhe letrare të Evropës. Fama e kësaj zonje fisnike shpejt u përhap në mbarë Evropën, por edhe përtej kontinentit të vjetër. Ajo kishte kontakte me personalitete të njohura të kohës, si p.sh. me njërin nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, albanologun gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë Johan Georg fon Hahn(1811-1869), me patriotin dhe figurën e shquar për çlirimin e bashkimin e Italisë, gjeneralin Xhuzepe Garibaldi(Giuseppe Garibaldi, 1807-1882),me Adam Volfin etj. Ishte një mike e poetit romantik amerikan Henri Uodsuwrth Longfelou (Henry Wadssworth Longfellow, 1807-1882), autor i poemës romantike “Skënderbeu” (1873).

Nën ndikimin e Dora d’Istrias, Lonfelouhartoi poemën romantike “Skënderbeu” (1873), me temë kthimin e heroit në Krujë pas betejës së Nishit. Kryetrimin poeti e ka paraqitur si një hero legjendar. Në vitin 1916 vepra u shqipëruar mjeshtërisht nga poeti, figura e shquar dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politike shqiptare Fan S. Noli (1882- 1965).

MARTESA

Pas studimeve, në vitin 1849 u kthye përsëri në vendlindjen e saj Bukuresht për të vënë kurorë me dukën rus Aleksandër Kolstov-Massalski. Rusia do të ishte vendqëndrimi i saj për disa vjet, prej të cilit do të vendoste të largohej pasi mbeti vejane. Paskëtaj, Gjika ndërmori një sërë udhëtimesh e përpiloi studime të një game interesash.

Më 1849, martesa me princin Aleksandër Koltov Massalski e shpuri në Rusi ku kaloi gati gjashtë vjet. Sipas disa studiuesve, nga martesa me princin rus, mori titullin princeshë. Në oborrin perandorak të Nikollës I (Nikolaj Pavloviè Romanov, 1796-1855) kaloi një jetë të trazuar. Pas ndarjes me të më 1855, u shpërngul dhe vajti në Zvicër. U bë e para grua që ngjiti Malin Jungfrau. Më 1860 bëri një udhëtim në Greqi. Pjesën tjetër të jetës e kaloi kryesisht në Itali. Elena Gjika vdiq në Firence më 17 nëntor të 1888-ës, në moshën 60- vjeçare.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm