E enjte, 7 Nëntor, 2024
2.8 C
Skopje

Nga Tirana, Ursula von der Leyen nis turin për të ardhmen evropiane të Ballkanit

Sot, Shqipëria do të jetë qendra e vëmendjes, pasi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nisë nga Tirana një tur diplomatik të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor.

Kjo vizitë jo vetëm që thekson rëndësinë strategjike të rajonit për Bashkimin Evropian, por gjithashtu simbolizon një moment të ri bashkëpunimi, ku perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe e vendeve fqinje merr hov të ri.

Me një agjendë të ngjeshur dhe diskutime mbi progresin, reformat dhe investimet madhore, kjo vizitë pritet të çelë rrugën drejt një të ardhmeje më të integruar me familjen evropiane.

Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian në Tiranë do të fillojë me një takim të nivelit të lartë me kryeministrin Edi Rama, që do të mbahet në Kryeministri në orën 15:00.

Ky takim është një mundësi për të thelluar dialogun ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, për të diskutuar progresin në procesin e integrimit evropian, si dhe për të përforcuar partneritetin strategjik në fusha të ndryshme.

Pas takimit, në orën 16:00, Von der Leyen dhe kryeministri Rama do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ndërsa, rreth orës 17:00, Presidentja Von der Leyen dhe kryeministri Rama do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Kolegjit të Evropës, një moment i rëndësishëm për bashkëpunimin akademik dhe kulturor ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.

Më 24 tetor, agjenda e Von der Leyen do të përfshijë një takim zyrtar me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.

Vazhdimi i turit në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe vende të tjera

Pas vizitës në Shqipëri, Von der Leyen do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të takohet me kryeministrin Hristjan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova. Vizita e saj atje do të zgjasë gjysmë dite, dhe më pas ajo do të udhëtojë në Bosnjë dhe Hercegovinë për të inspektuar zonat e prekura nga përmbytjet dhe për të zhvilluar një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo.

Në datën 25 tetor, Von der Leyen do të vizitojë Serbinë, ku do të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Milos Vuçeviç, ndërsa më 26 tetor, vizitat do të përfshijnë Kosovën dhe Malin e Zi.

Në Kosovë, ajo do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ndërsa në Malin e Zi do të zhvillojë takime me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.

Ky tur diplomatik shënon një pikë kyçe për Ballkanin Perëndimor, duke qenë se ai përkon me përpjekjet e vendeve të rajonit për t’u integruar në BE. Ursula von der Leyen do të diskutojë reformat e nevojshme dhe mbështetjen financiare që BE-ja ofron për rajonin përmes Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh.

Ky plan synon përmirësimin e infrastrukturës, ekonomisë dhe stabilitetit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të përshpejtohet rruga e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Vizita e Presidentes së KE-së pritet të nxisë më tej dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit, duke përforcuar mbështetjen për reformat demokratike, shtetin e së drejtës dhe integrimin ekonomik.

Komisioni Evropian

Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE), Ana Pisonero deklaroi gjatë javës së kaluar se pasi vendet anëtare miratuan agjendat e reformave të pesë partnerëve nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, KE-ja tani do të jetë në gjendje t’i miratojë zyrtarisht, por pa specifikuar se kur do të ndodhë.

“Pas mendimit pozitiv të vendeve anëtare më 11 tetor për agjendat e reformave të paraqitura nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, Komisioni tani, si hapin e radhës, do të jetë në gjendje të vazhdojë me miratimin zyrtar të agjendave të reformave”, deklaroi zyrtarja evropiane gjatë një konference për shtyp në Bruksel.

Ajo shtoi se pritet që pagesat nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor të fillojnë sa më shpejt.

Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi zbuloi më herët se pagesat e para pritet të lëvrohen brenda këtij muaji.

“Këto agjenda reformash janë miratuar nga Këshilli (Evropian – ed.) javën e kaluar. Kështu që në thelb parashikojmë që pagesat e para të lëvrohen brenda këtij muaji. Ky është plani. Kjo nënkupton edhe që koha në fakt po ecën që vendet të vazhdojnë reformat në mënyrë që të lëvrojmë dhe pagesat e mëtejshme”, theksoi zyrtari evropian.

Vendet e Bashkimit Evropian miratuan më herët agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, konfirmoi Presidenca hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Komisioni i IPA-s dha pëlqimin për agjendat e reformave të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.

Më në detaje

Shqipëria mund të jetë përfituese e një shume të majme investimesh në vlerë rreth 922 milionë euro nga Plani i Rritjes.

Si shumë parafinancuese për Shqipërinë, vlerat pritet të jetë në shifrën e 64.5 milionë eurove.

Nga ana tjetër, Kosova në tërësi pritet të përftojë një shumë rreth 880 milionë euro, ku nga këto, rreth 250 milionë pritet të ndahen në formë grantesh dhe pjesa tjetër si kredi.

Maqedonia e Veriut ndërkaq do të ketë një fond të alokuar rreth 750 milionë euro, ku parafinancim do të jetë një shumë prej 52 milionësh.

Shumën më të lartë ndërkohë pritet ta marrë në tërësi Bosnjë dhe Hercegovina, me 1 miliard e 85 milionë euro, përfshi një parafinancim prej 76 milionë eurosh. Një shumë e majme kjo për boshnjakët, nëse llogaritet edhe raporti me popullsinë.

Serbia ndërkaq do të marrë shumën e dytë më të madhe, me 1.58 miliardë euro, ku pagesa e parë parashikohet në 111 milionë.

Shumën më të vogël të financimit pritet ta marrë Mali i Zi, duke marrë parasysh edhe numrin më të ulët të popullatës, ku totali pritet të jetë një vlerë prej 383 milionë eurosh, prej të cilave 26.8 milionë parafinancim.

Për çfarë bëhet fjalë?

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i ri që do të mbështesë reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Ai do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Këstet e para pritet të disbursohen këtë vjeshtë, duke ofruar një mundësi të vlefshme për vendet që të forcojnë ekonomitë e tyre dhe që të përmirësojnë përafrimin me politikat evropiane.

Parakushtet për mbështetjen në kuadër të Facilitetit do të jenë që “përfituesit të përmirësojnë, mbështesin dhe respektojnë”, ndër të tjera, mekanizmat efektivë demokratikë.

Këto, duke përfshirë funksionimin e një sistemi parlamentar shumëpartiak, mbrojtjen e mediave të lira, luftën kundër dezinformimit si dhe shtetit të së drejtës.

Parlamenti Evropian shtoi gjithashtu një parakusht për “përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë miratimin e masave kufizuese kundër Rusisë”.

Për të marrë ndonjë mbështetje në kuadër të Facilitetit, çdo përfitues i ka paraqitur Komisionit një Agjendë Reforme për kohëzgjatjen e Instrumentit.

Sipas propozimit të KE-së, Agjendat e Reformës do të pasqyrojnë vlerësimet në Paketën më të fundit të Zgjerimit dhe Planin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Detajet e disbursimit

Pas dorëzimit të Agjendës së Reformës, një përfitues mund të kërkojë lirimin e një parafinancimi deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar nga Faciliteti.

Në vijim, fondet do të disbursohen dy herë në vit, nëse plotësohen kushtet e pagesës.

Ekspertët, megjithatë, nuk janë të sigurt se sa rreptësisht do të vlerësohet përmbushja e këtyre kushteve.

Përpara se të disbursojë ndonjë fond, Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse një përfitues plotëson dy parakushte të përgjithshme.

Për Serbinë dhe Kosovën, ekziston një parakusht shtesë, që të “angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.

Gjithashtu, parakushtet e përgjithshme për disbursimin e mjeteve janë stabiliteti makro-financiar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.

Kur të plotësohen këto parakushte, Komisioni do të vlerësojë nëse një përfitues ka përmbushur masat specifike nga Agjenda e Reformës, për të cilat do të përcaktohen afatet dhe cilat do të jenë kushtet për lirimin e fondeve dy herë në vit.(AlbanianPost)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm