Nga Arlinda Kalisi
Të jetosh në këtë kohë, sidomos si pjesë e brezit të ri, sado që do informohesh nga rrjetet sociale apo digjitalizimi për botën, nëse nuk e njeh origjinën, historinë, trashëgiminë apo kulturën tënde është tejet e dhimbshme… Është e dhimbshme të konstatosh se emra me rëndësi të madhe, si Nexhmije Pagarusha, Fitnete Rexha, Vaçe Zela nuk njihen nga shumica e të rinjve.
Poashtu, mosnjohja e autorëve të shquar shqiptarë si Naim Frashëri, Mitat Frashëri, Lasgush Poradeci dhe Asdreni, si dhe figura letrare të rëndësishme si Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu apo Fatos Arapi është tejet shqetësuese dhe dëshmon për një krizë të identitetit kulturor.
Sot, shohim një zhvendosje të theksuar nga vlerat e mirëfillta kulturore drejt një konsumimi të një realiteti të thjeshtë si Big Brother që dominon skenën mediatike dhe shpirtërore. Të qenit i tërhequr nga jeta e të tjerëve, për të pasur më shumë interes për dramën personale të individëve të njohur, sesa për ecuritë artistike dhe kulturore të kombit tonë, është një reflektim i trishtueshëm i një shoqërie që po humbet sensin e saj për vlerat reale.
Si dikush që krenohem me faktin se kam pasur mundësinë të rritem në një gjeneratë që ka vizituar teatro, opera dhe ekspozita, ndjej një brengë të thellë për ata që sot ndjekin studime të ndryshme, por në fakt janë po aq të papërgatitur dhe të painformuar për atë çfarë ofron bota e artit dhe e kulturës. Mungesa e njohurive mbi agjendën e Teatrit dhe Operës është një humbje e madhe, jo vetëm për individët, por edhe për shoqërinë në tërësi. Është e dhimbshme të shohësh se brezat e rinj kalojnë orë të tëra në rrjetet sociale, duke u absorbuar nga seritë televizive dhe histori të rastësishme, duke e humbur kështu lidhjen me trashëgiminë kulturore. Këtu lind një pyetje e rëndësishme: A është sistemi që na ka sjellë në këtë gjendje, apo duhet ta kthejmë gishtin nga vetja? Çdo individ ka përgjegjësinë të kërkojë dhe të ruajë vlerat e tij kulturore.
Ne, si shoqëri, duhet të reflektojmë mbi atë se si mund të ringjallim interesin për artin dhe kulturën, duke u angazhuar më shumë për të mësuar dhe vlerësuar historinë tonë, letërsinë dhe shfaqjet artistike që kanë formuar identitetin tonë si komb. Inkurajimi i një lidhjeje më të thellë me kulturën dhe historinë tonë është i domosdoshëm në mënyrë që të krijojmë një brez që, jo vetëm e njeh trashëgiminë e tij, por gjithashtu e vlerëson dhe e ruan atë. Vetëm nëpërmjet kësaj vetëdijeje dhe angazhimi aktiv ne mund ta ndalim këtë trend të rrezikshëm dhe ta ruajmë identitetin tonë të pasur kulturor. (Porta7.net)