E hënë, 17 Shkurt, 2025
0.8 C
Skopje

Ngricat në rrugë, 30 qytetarë përfundojnë në ortopedi

Nga komuna e Tetovës njoftuan se kanë dalur në terren për të pastruar borën nga trotuaret dhe është hedhur kripë dhe rërë. Krahas kësaj është intervenuar edhe në rrugët dytësore të qytetit të Tetovës

 

Urim HASIPI

Tetovë, 23 janar – Ngricat në trotuaret e Tetovës megjithatë nuk kanë kaluar pa pasoja për qytetarët që kryejnë punët e tyre të përditshme në pjesët qendrore por jo vetëm. Situata më e vështirë ka qenë në pjesët qendrore por edhe para shumë objekteve të banimit, ku qytetarët janë të obliguar që vet të pastrojnë ngricat para derës së tyre. Sipas raportimeve të deritanishme rreth 30 persona kanë kërkuar ndihmë në repartin e ortopedisë pranë Spitalit Klinik të Tetovës. “Ka një rritje të numrit të lënduarve ngase kemi zakonisht, për shkak të kushteve dimërore, por gjithashtu nuk është një numër i madh. Të dielën për 24 orë kemi shënuar 22 fraktura, ndërsa të hënën nga ora 08:00 deri në orën 12 pasdite janë regjistruar shtatë persona të cilët kanë marrë fraktura të gjymtyrëve. Para së gjithash, njerëzit lëndohen në krah ose në pjesën e poshtme të këmbës. Të lënduar ka në të gjitha kategoritë e moshës, nga fëmijët e deri tek qytetarët më të vjetër”, informojnë nga reparti i ortopedisë në Spitalin klinik të Tetovës.

Ndërkohë, nga komuna thonë se kanë intervenuar edhe gjatë orëve të natës të ditës së hënë për pastrimin e trotuareve. Apelohet që qytetarët mos të dalin pa nevojë derisa të pastrohen mirë trotuaret. Kujdes më shumë u apelohet që të bëjnë të moshuarit dhe fëmijët.

“Ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale janë në terren për pastrimin e trotuareve. Po bëhet hedhja e kripës nëpër trotuaret e qytetit për të mundësuar qarkullim sa më të mirë dhe të sigurt të qytetarëve. Gjithashtu ju bëjmë apel qytetarëve që të mos dalin pa nevojë në qytet, pasi temperaturat e ulëta kanë krijuar ngrica nëpër rrugë dhe trotuare”, thonë nga komuna e Tetovës.

Poashtu, nga komuna e Tetovës njoftuan se kanë dalur në terren për të pastruar borën nga trotuaret dhe është hedhur kripë dhe rërë. Krahas kësaj është intervenuar edhe në rrugët dytësore të qytetit të Tetovës.

“Që nga dita e të reshurave të dëborës ekipet e Ndërmarrjes Publike kanë bërë pastrimin e trotuareve nga bora. Ky aktivitet vazhdon për çdo ditë. Njëkohësisht paralel me pastrimin bëhet edhe hedhja e kripës dhe rërës. Aktiviteti për pastrimin e rrugëve nga bora vazhdon në çdo vend duke bërë hedhjen e kripës e rërës për të mundësuar lëvizshmëri të sigurt për çdo qytetarë”, njoftuan nga komuna e Tetovës.

Ndërkaq, nga reparti i ortopedisë pranë Spitalit Klinik të Tetovës kanë apeluar që qytetarët të jenë më të kujdesshëm sidomos kur lëvizin nëpër trotuare me ngrica sepse lehtë mund të marrin lëndime që më pastaj vështirë kurohen.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm