Përskaj guvernatores aktuale, pretendentë për këtë post janë Zoran Stavreski, Trajko Sllaveski, si dhe Maja Kadievska Vojnoviq. Sipas Ligjit, guvernatori zgjidhet me propozim nga presidenti, i cili ia paraqet atë Parlamentit dhe votohet në një seancë me shumicë të thjeshtë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 maj – Për dy javë skadon mandati shtatëvjeçar i Guvernatores aktuale të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anita Bezhovska. Me propozim të presidentes Gordana Siljanovska Davkova, pritet që deputetët e mazhorancës me së paku 61 vota të zgjedhin kandidatin apo kandidaten e re që do të udhëheqë një nga institucionet më të rëndësishme në vend që përkujdeset për stabilitetin e çmimeve në shtatë vitet e ardhshme. Ndër katër kanditatët e përfolur përskaj guvernatores Anita Bezhoska Angelovska, që para vitit 2017 ishte zëvendësguvernatore, janë edhe figura të tjera të fuqishme. Bezhoska Angelovska e mori pozicionin e guvernatores pas pothuajse dymbëdhjetë vjetësh përvojë pune të mëparshme në Bankën Kombëtare, fillimisht si kryeekonomiste dhe më pas për gati tetë vjet si zëvendësguvernatore përgjegjëse për politikën monetare, kërkimin dhe statistikat, gjatë së cilës ishte edhe zëvendësguvernatore për Maqedoninë në Bordin e Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Pretendentë për këtë post janë edhe ish-ministri i Financave prej vitit 2009 deri më 2016-ën, Zoran Stavreski, që ishte edhe studiues dhe drejtor në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë (1993-2000). Pastaj pasoi pesë vjet përvojë në Bankën Botërore – nga këshilltar i Drejtorit Ekzekutiv në zonën zgjedhore holandeze, nëpërmjet konsulentit, deri te ekonomist i politikave të zhvillimit.
Kandidatë janë edhe profesori universitar dhe ish-ministri i Financave, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DMPNE dhe aktualisht kryetar i Këshillit të qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski, si dhe Maja Kadievska Vojnoviq, ish-zëvendësguvernatore dhe anëtarë e Këshillit Mbikëqyrës të Shtëpisë së Kliringut si operator për pagesa të vogla ndërbankare dhe deri në dhjetor të vitit 2024 anëtare e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE. Shtatë vite më parë, ish guvernatori Dimitar Bogov me mandatin 2011-2018, hoqi dorë nga mandati i dytë, pas së cilës pasoi zgjidhja e guvernatores Bezhovska. Sipas Ligjit, guvernatori zgjidhet me propozim nga Presidenti, i cili ia paraqet atë Kuvendit dhe voton në një seancë me shumicë të thjeshtë.
Guvernatori me një mandat të ri 2018-2025 do të jetë i gjashti radhazi i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë. Nga viti 1992 këtë post e kanë mbajtur Borko Stanoevski 1986-1997, Ljube Trpeski 1997-2004, Petar Goshev 2004-2011, Dimitar Bogov 2011-2018 dhe Maja Bezhovska Angelovska 2018-2025. Kjo e fundit ishte propozimi i Presidentit Gjorge Ivanov për një guvernatore të parë femër në krye të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, pasi Dimitar Bogov u tërhoq nga kandidatura. Guvernatori ka detyrën kryesore të përfaqësimit të Bankës Popullore, prezantimit të politikave monetare dhe të kursit të këmbimit, vendimmarrjes për lëshimin e licencave për institucionet financiare, revokimin e licencave, kontrollin e bankave e të ngjashme.
Një funksion kyç i saj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve, duke përcaktuar politikën monetare për një kurs fiks të këmbimit të denarit. Objektivi kryesor i Bankës Kombëtare është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Një tjetër objektiv i Bankës Kombëtare, i varur nga objektivi kryesor, është të kontribuojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Si një objektiv shtesë, Banka Kombëtare mbështet politikën e përgjithshme ekonomike pa rrezikuar arritjen e objektivit kryesor dhe në përputhje me parimin e një ekonomie të tregut të hapur me konkurrencë të lirë.(koha.mk)