Kryeministri Kovaçevski mori pjesë në orën e parë akademike dhe në ndarjen e indekseve për studentët e rinj në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Ai drejtoi urime deri te studentët që kanë filluar rrugëtimin akademik duke i porositur ata që sa ma shumë të investojnë në njohuritë e tyre
Anëmsha SHABANI
Shkup, 2 tetor – Në prag të fillimit të vitit akademik problemet për studentët nuk kanë të ndaluar. Nga partia opozitare, VMRO-DPMNE, kanë reaguar duke thënë se vetëm një ditë para fillimit të vitit akademik, mbi 200 studentë nga e gjithë Maqedonia janë ende në listën e famshme të pritjes, të cilët nuk kanë marrë ende asnjë informacion nëse janë pranuar në ndonjë nga konviktet apo në cilin konvikt do të akomodohen. “E gjithë kjo është rezultat i kuadrove të paaftë partiake të rinisë socialdemokrate, të cilët aktualisht fshihen dhe nuk japin asnjë përgjigje për këto pyetje, sepse për ta studentët dhe të rinjtë janë gjithmonë në vendin e fundit në prioritetet e tyre. Këta individë të dështuar dhe të paaftë ende nuk japin asnjë përgjigje nëse studentët në shekullin 21 dhe 2023 do ta kenë edhe mëngjesin e siguruar që do ta paguajnë vetë gjatë qëndrimit në konviktet studentore”, thonë nga atje.
Nga ana tjetër, kryeministri Kovaçevski mori pjesë në orën e parë akademike dhe në ndarjen e indekseve për studentët e rinj në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Ai drejtoi urime deri te studentët që kanë filluar rrugëtimin akademik. Kovaçevski porositi studentët e ri se gjithmonë të investojnë në njohuritë e tyre, është ajo që do t’ju formojë si person dhe si profesionist dhe është një investim që do t’ju kthehet shumë herë gjatë gjithë jetës suaj. “Njohuria është e vetmja gjë që askush nuk mund ta heqë kurrë nga ju. Aty qëndron në fakt fuqia e të gjitha ndryshimeve që do të bëni për veten dhe shoqërinë. E kuptoj që shumë gjëra nga këndvështrimi i sotëm do të duken të panjohura, të vështira dhe ndoshta të paarritshme, por dua t’ju siguroj se nëse jeni të fokusuar, nëse jeni mendjehapur, nëse jeni të uritur për dije, nuk do të ketë asnjë pengesë. Ju – si individualisht ashtu edhe të gjithë së bashku, nëse dëshironi dhe nëse e vendosni si qëllim, mund të ndryshoni botën përreth jush”, u shpreh ai.
Ai në fund tha se së bashku të bëjmë një vend me njerëz të suksesshëm dhe të lumtur, të cilët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindjen e tyre. “Një vend me njerëz ambiciozë, njerëz që duan të bëjnë më shumë, jo njerëz që do të ankohen se dikush i ndaloi dhe bëri më pak”, nënvizoi ai.
Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, zgjedhjen të cilën e kanë bërë studentët e ardhshëm të mjekësisë është e duhur, e bazuar në humanizëm. Rektorja e UKIM-it, profesor doktor Biljana Angellova, dëshiroi fillim të suksesshëm të vitit të ri akademik për të gjithë studentët.
Ndryshe, interesimi për shkencat mjekësore është i madh. Këtë vit, janë paraqitur mbi 950 kandidatë, ndërsa sot në orën e parë akademike indeks u ishte dhënë më shumë se 700 studentëve. “Edhe këtë si edhe vitet e kaluara, interesimi për studime në fakultetin tonë mbetet i madh, gjë që u tregua edhe me numrin e kandidatëve të paraqitur për regjistrim në këtë vit shkollor. Ishin paraqitur mbi 950 kandidatë, ndërsa sot indeksin do ta marrin mbi 710 studentë, prej të cilëve 265 për studimet për mjekësi të përgjithshme, ndërsa 445 për studime trevjeçare profesionale”, theksoi dekani i ri i Fakultetit të Mjekësisë, profesor Svetozar Antoviq në fillim të vitit akademik.
Që nga formimi i tij e deri më tani, në Fakultetin e Mjekësisë janë regjistruar gjithsej 27.242 studentë, prej të cilëve 12.361 kanë diplomuar dhe kanë marrë titullin doktor i mjekësisë, ndërsa 2699 me diplomë të një prej studimeve profesionale trevjeçare. (koha.mk)