2024-ta, një vit plot ngjarje, e me përfundim edhe më interesant gjithandej shqiptarisë, diçka për të mirë, e diçka…
Nga Daut DAUTI
- Ka qenë i rrëmujshëm ky vit për gjithë shqiptarinë, me shumë ngjarje të pritura e të papritura, ashtu dhe fundi i vitit po ia vë kapakun në të njëjtin stil.
Në Maqedoni, ndodhi ndërrimi i pritur i pushtetit. Kaherë ishte “paralajmëruar” “vdekja” e LSDM-së, sepse kjo parti kishte vite që i ngjante titullit të atij serialit amerikan “The walking dead” (“Të ecësh pa jetë”/”Të ecësh i vdekur”, nëse mund të përkthehet kështu…) dhe nuk kishte formulë magjike që të ngjallej. Kur i dëshpëron votuesit me mosrealizimin e premtimit kryesor që ke ardhur në pushtet(ta luftosh krimin) dhe në vend të kësaj, s’lëviz shumë hapa atyre para teje, tjetër përfundim nuk mund të prisje. Mirëpo, bashkë me LSDM-në, “ra” edhe BDI-ja, e cila me gjithë formulën e gjetur që të dalë fituese edhe kësaj radhe, praktikisht i kishte dyert e mbyllura (ndoshta dhe pak vetë e kishte bërë të pamundur) te VMRO-ja për qeverisje. (Unë shumë herë kisha paralajmëruar se në momentin e parë VMRO-ja do t’i hakmerret BDI-së për shkak se e çoi në opozitë në vitin 2017, edhe pse në bllokun maqedonas kishte dalë fituese). Arsyet se pse BDI-ja e kishte bërë atëherë tashmë ishin irelevante, plus një acarim i panevojshëm në fushatë, i kishte vënë pikën, edhe pse BDI-ja arriti edhe një objektiv dhe theu një tabu: me kryeministrin shqiptar për disa muajt e fundit të mandatit.
Pra, me këto rezultate që dolën, u bë ndërrimi në pushtet edhe i BDI-së, sepse VMRO-ja që më herët e kishte shprehur preferencën për grupimin opozitar shqiptar anti-BDI-st. Çështja është se rruga për VLEN-in nuk u tregua e shtruar me lule, sepse jo BDI-ja, por vetë objektivat e VMRO-së, që në fillim u bënë problem për VLEN-in. Sepse, sado që betejën politike VMRO-ja e zhvilloi gjithë kohën kundër BDI-së me akuza për vepra komprometuese, gjithnjë e më shumë në shënjestër u vunë çështje që ishin avancuar në të mirë të shqiptarëve në kohën e BDI-së. Së pari balanceri, pastaj erdhi edhe problemi i gjuhës, në formën e “aktivizimit” të papritur të lëndës në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën kishte pasur shumë “interesentë”! Habia se përse tash u vu në rend dite, kur dihet se shumë nga iniciativat në Gjykatën Kushtetuese kanë qenë nga më herët, ishte “material i përshtatshëm” për përplasje në relacionin parti maqedonase – parti shqiptare, por dhe midis vetë partive shqiptare, se kush e ka fajin për këtë. Nëse lihet anësh diskursi i oponencës me çdo kusht, në pozitë më delikate doemos duhet të jetë koalicioni VLEN, sepse pala më e interesuar që të ulet niveli i përdorimit të shqipes si gjuhë zyrtare duket qartë se është partneri i tyre i koalicionit. Epilogun fatlum i shtyrjes së vendimit të gjykatës për ligjin e gjuhëve, do t’ua adresojmë të krahëve të partive shqiptare.
Të dy palëve do t’ua adresojmë si meritë edhe pengimin e ligjit me të cilin do të intonohej himni maqedonas në shkollat e mesme, diçka që do të ishte e papërshtatshme duke pasur parasysh se ai himn nuk i përfaqëson shqiptarët në asnjë mënyrë(për këtë, më gjerësisht në një kolumnë të veçantë).
Me këto dy suksese të përkohshme të këtij fundviti, megjithatë, “nuk ka kaluar rreziku”. Blerja e kohës për ata që kanë qëllime të revidojnë disa arritje, duhet ta shtojnë vigjilencën te partitë e VLEN-it që të mos i zë partneri i tyre në gjumë në një moment të ardhshëm dhe t’i vë para aktit të kryer. Në ato bisedat larg kamerave, këto çështje duhet t’u bëhen të qarta kolegëve të koalicionit. Sepse as për vetë VLEN-in nuk do të ishte ndonjë satisfaksion që deria ata të merre me BDI-në, VMRO-ja të merret me shqiptarinë.
- Lëmsh ka qenë edhe në Shqipëri, për shkak të përplasjeve “epike” Rama – Berisha. Berisha më në fund fitoi “lirinë”, duke dalë nga burgu shtëpiak, por gjithçka tjetër që e rëndonte si akuzë, mbetet. Vetëm beteja me Ramën në lëndinë të hapur, nuk dihet nëse do t’i sjellë ndonjë satisfaksion të madh. Kjo mund të jetë edhe një fitore tjetër e Ramës vitin tjetër, por më të kapitalizuar, sepse nuk e ka pasur oponentin me “duar të lidhura”. Megjithatë, një e mirë nuk vjen gjithnjë e pashoqëruar me diçka të keqe, dhe në bllokun opozitar, disi paralelisht me daljen e Berishës nga burgu shtëpiak, në arrest burgu u vu partneri potencial i koalicionit, Ilir Meta, skandal-mjeshtri që argëtonte publikun shqiptar me një serë veprimesh tragji-komike, për të përfunduar pothuajse i zbuluar lakuriq me gjithë bëmat e tij dhe të bashkëshortes së tij, mbretër të luksit me origjinë të dyshimtë.
Shqipëria në luftën me korrupsionin doli kampione, nëse mund të thuhet kështu, pasi Amerika e shpalli kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, kampion të luftës kundër korrupsionit. Edhe pse ai i akuzuar nga Berisha e Meta se vepron me urdhrat e Ramës, viktima të tij tashmë një kohë më të gjatë janë nga të dy krahët e politikës dhe së fundmi, gjithnjë e më tepër po ia këndon këngën edhe Erion Velijajt, numrit 2 në piramidën e PS-së. Kështu kishte filluar me disa biseda informative edhe me çiftin Meta-Kryemadhi dhe sot njëri është brenda, e tjetra ende nën hetime. Situatë e njëjtë, një herë iu morën telefonat bashkëshortes së Velijajt, tash si shpesh e thërrasin në biseda, kushedi a e pret pranverën pa hyrë në shoqëri me Metën…Duhet thënë se kjo çështja e inceneratorëve fiktivë për të cilët janë dhënë miliona, nuk do të mbetet pa u sqaruar.
Si fundviti, ashtu do të jetë edhe fillimviti i ri shqiptar.
- S’po u kthehem gjithë temave të vitit në Kosovë, por disa gjëra të fundvitit, përshkruajnë më së miri veprimin politik që solli disa lëvizje të guximshme të Kurtit, që ia riktheu Veriun Kosovës…Por se nuk është lehtë të arrihet normaliteti atje, dëshmoi sulmi në ujësjellësin dhe gishti i dyshimit drejtuar nga aktorët e Banjskës, Radojçiqi, Beogradi, Vuçiqi…Hapi i radhës, ndodhi këtyre ditëve, kur iu ndalua Listës Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje, dhe përsëri rrëmujë komunikimi midis diplomatëve amerikanë e evropianë si një hap i gabuar!!! Po përse i gabuar, zotërinj? A nuk ishte Radojçiqi nënkryetar i kësaj Liste? A nuk është kjo listë e përkrahur publikisht nga Vuçiqi, i cili përkundër kushtëzimeve të BE-së dhe SHBA-së për ta gjykuar, e lanë të lirë Radojçiqin, me gjithë provat që i pa gjithë bota kur u zu me kërpesh për dore! A nuk ishte ndalimi i kësaj Liste, gjëja më e pritshme, kur dihet se ajo parti nuk u distancua asnjëherë nga aktiviteti i nënkryetarit të saj terrorist? Dhe një mundësi e mirë që serbët e Kosovës të zgjedhin përfaqësues të interesave të tyre jetike, e jo përfaqësues të dirigjuar nga Beogradi.
Këto keqkuptime midis diplomatëve dhe Albin Kurtit, si duket po bëhen sipas asaj fjalës kur i del dikujt fjala “ujk”, dhe vazhdimisht ashtu e trajtojnë, e jo nëse ka apo s’ka të drejtë.
Edhe diçka tjetër në këtë fundvit kosovar. Në luftën e shenjtë kundër korrupsionit për të cilën kishte marrë mandatin e pakontestueshëm, Albin Kurti mund të marrë në thua. I ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për disa veprime të anëtarëve të qeverisë së tij, ai i thotë të shkojnë në zyrë…Kompleksi i më të fortit midis pushteteve. Edhe kjo me gjasë do të kalojë vitin tjetër si temë interesante. Dikush tha pse mundeshka Trampi të vizitojë vazhdimisht gjykatën, e nuk mundeshka Albini?
- Një sihariq i madh për publikun shqiptar pas zbulimit të tragjedisë së ikonës së muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku. Sihariqi, që u zbulua më në fund, sepse kishte vite që ishte tretur nga vëmendja jonë.
E mira, që tash u zbulua, është se iu gjet adresa, se iu gjetën problemet me të cilat është përballur, dhe se ishalla-mashalla, i shërhohen plagët jetësore e shpirtërore e na kthehet sërish, sepse nga ç’u kuptua, paksa e ka harruar edhe shqipen.
Iku për të prekur ëndrrën amerikane dhe ëndrrën holivudane, situatat familjare e kishin katandisur në një zhgjëndërr të vrazhdë…
Me gjithë meritat për personat që e zbuluan dhe po i ndihmojnë për t’u rikthyer në jetë normale, dhe një ditë edhe t’i kthehet këngës, nuk mund të mos e përmend përshtypjen time personale të neveritjes: nga gjërat e para që ia kishin dhënë asaj, kishte qenë një buzëkuq…! Aman o Zot në çka na shkon mendja t’i ndihmohet një hallexhiu!
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)