Në Kanë, një hotel me pesë yje me staf profesional është projektuar posaçërisht për macet, pronarët e të cilave duan t’i strehojnë të sigurta para se të shkojnë me pushime, raportoi BFM TV. Kur pronarët e tyre nuk janë aty pranë, macet strehohen në hotelin Cat’s Palace, i cili u ofron atyre një mjedis të rehatshëm jetese në mungesë të familjeve të tyre. Ekipi në këtë konvikt macesh përshtatet me secilën kafshë. “Mëngjesi është koha e pastrimit”, thotë një punonjëse, ndërsa një tjetër shton se çdo gjë që lidhet me “bukurinë” bëhet pasdite: kujdesi për sytë, trajtimet dhe krehja.
E pakënaqur me strehimin e maceve, Lisa e krijoi këtë hotel gjashtë vjet më parë. Qëllimi i saj është i thjeshtë: të sigurojë një mjedis që macet mund ta shijojnë plotësisht.
“Çdo mace dhe çdo qëndrim është i ndryshëm, kështu që ne i akomodojmë ato nëse nuk duan të shqetësohen apo preken. Ne ndjekim ritmin e tyre, por përpiqemi t’i stimulojmë sa më shumë për t’i bërë të rehatshme”, thotë ajo.
Këto kafshë jo vetëm që kanë dhomën e tyre, por gjithashtu kanë akses në një hapësirë ku mund të sillen si të duan. “Ata bredhin përreth dhe janë me të vërtetë plotësisht të lirë gjatë gjithë ditës, por gjithmonë nën mbikëqyrje në rast se ka ndonjë zënkë”, shtoi Lisa. Pronarët, ndërsa janë me pushime, mund të kontrollojnë çdo ditë se si është macja e tyre në rrjetet sociale.