E shtunë, 25 Janar, 2025
2.8 C
Skopje

Një muze për veprimtarin Mehmet Riza-Gega

“Të harrosh Mehmet Gegën vërtet që është tradhti jo vetëm ndaj tij, sepse ai e ka bërë punën e tij, por është tradhti ndaj shqiptarëve, ndaj Tetovës dhe tetovarëve. Prandaj, ne me kënaqësi të madhe bëjmë promovimin e këtij muzeu,sigurisht kjo është e pakta që mund të bëjmë, për gjithë sakrificën që ka bërë Mehmet Gega për Tetovën dhe çështjen shqiptare…”, tha kryetari i Tetovës, Bilall Kasami

Urim HASIPI

Tetovë, 24 dhjetor – Pas muzeut të Mehmet Pash Derallës dhe Rafi Halitit, edhe Mehmet Riza-Gega do të ketë këndin e tij në ish objektin e Radio Tetovës. Vizitorët tashmë do të kenë mundësi të njihen me jetën dhe veprën e Mehmet Gegës, një  veprimtar i çështjes shqiptare dhe njëri ndër figurat më të lavdishme të popullit tonë. Me këtë rast, janë  shpalosur gjësendet e tij personale si dokumente të ndryshme dhe fotografi. Hapja solemne e këtij muzeu është bërë nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe familjarët e Gegës. Kasami është shprehur se Komuna e Tetovës do të jetë gjithnjë e hapur dhe përkrahëse kur bëhet fjalë për figura historike dhe për çdo iniciativë kulturore.

Ai tej shtoi se në të kaluarën shumë figura historike janë harruar dhe tashmë të njëjtit do të kenë vendin në muze.

“Të harrosh Mehmet Gegën vërtet që është tradhti jo vetëm ndaj tij, sepse ai e ka bërë punën e tij, por është tradhti ndaj shqiptarëve, ndaj Tetovës dhe tetovarëve. Prandaj, ne me kënaqësi të madhe bëjmë promovimin e këtij muzeu,sigurisht kjo është e pakta që mund të bëjmë, për gjithë sakrificën që ka bërë Mehmet Gega për Tetovën dhe çështjen shqiptare. Duke mos vlerësuar figurat tona lokale të cilët kanë bërë veprimtari kolosale me përmasa mbarëkombëtare, ne nuk e njohim sot atë me cilën jemi rritur dhe kemi jetuar. Prandaj, ky muze që promovohet është muze që e vendos Tetovën dhe shqiptarët e Tetovës i vë në atë Kalanë kombëtare të së kaluarës sonë, ku Tetova ka pasur një pjesëmarrje të konsiderueshme, duke filluar nga zhvillimet e viteve të 60-ta, 80-ta që kulmoi edhe me luftën e 2001-it, ku Tetova ishte boshti kryesor i gjithë lëvizjes”, tha Kasami.

Më tej, kreu i Komunës së Tetovës tha se bëhen hapa që në të ardhmen ky muze jo vetëm në aspektin formal por edhe në aspektin institucional të jetë vend ku do të promovohet e kaluara e Tetovës. Sipas tij, është biseduar edhe me sektorin e arsimit, që kjo hapësirë të vizitohet nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

Sipas njoftimeve, me kalimin e kohës ky muze do të pasurohet edhe më tej. Muzeu do të jetë i qasshëm me orar të caktuar për të gjithë qytetarët. Ndryshe, Mehmet Gega ka  lindur në vitin  1921 dhe ndërroi jetë më 2006. Ai ishte një mësues, një aktivist për të drejtat e njeriut, një veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare dhe i dënuar disa herë me burgim nga pushteti ish-jugosllav. Deri më tani, vetëm në Shkup, konkretisht në Çair, një rrugë mban emrin e tetovarit Mehmet Riza Gega, ndërsa në Tetovë ende asnjë rrugë nuk mban emrin e tij. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm