“Museu de l’Art Prohibit” (Muzeu i Artit të Ndaluar) quhet institucioni në Barcelonë që do të ekspozojë vepra nga religjioni, politika, dhe konsumerizmi, të cilat janë sulmuar, dënuar e larguar në kohë të ndryshme
Vepra të artistëve aq të ndryshëm si Pablo Picasso, Ai Weiwei e fotografi amerikan, Robert Mapplethorpe, do të bëhen bashkë nën një çati këtë javë, në një muze vetëm me vepra të censuruara arti. “Museu de l’Art Prohibit (Muzeu i Artit të Ndaluar) në Barcelonë, përbëhet nga rreth 200 vepra, të cilat janë sulmuar ndër vite ose janë larguar nga ekspozita të ndryshme.
Tatxo Benet, gazetar dhe biznesmen, filloi këtë koleksion pesë vjet më parë dhe gjithashtu po financon muzeun, i cili do të hapet këtë të enjte. ”Ky është muzeu i vetëm në botë, dedikuar artit të censuruar”, ka thënë ai. Edhe pse meritat artistike dhe estetike kanë luajtur rol në përzgjedhjen e këtyre veprave, faktori kryesor ishte censurimi i atyre veprave, ka shtuar ai. I referohet koleksionit të vizatimeve nga ish-të burgosurit e kampit të internimit në Guantanamo, si një shembull i filozofisë së tij. Kur një ekspozitë e këtyre të burgosurve u prezantua në New York në vitin 2017, një anëtar i bordit të Muzeut dhe Memorialit 9/11 e përshkroi atë si një shfytyrim.
Ekspozita vazhdoi, por Qeveria amerikane urdhëroi që veprat artistike nga të burgosurit në Guantanamo të shkatërroheshin.
“Edhe pse ato nuk kanë ndonjë vlerë artistike, historia e tyre është e rëndësishme”, ka thënë Benet. “Ekspozimi i tyre në këtë muze do të thotë se ato janë liruar tashmë”. Ka vepra nga artistë të SHBA-së, Evropa, Afrika dhe Azia dhe ato prekin tema të ndryshme. Shumë nga to trajtojnë tema si religjioni, kryesisht krishterimi dhe islami dhe janë shpesh argëtuese, por jo dhe për klerikët. Në shikim të parë, “Con Flores a Maria” nga artistja Charo Corrales i përshtatet ikonografisë së Shën Mërisë, të rrethuar me engjëj, por ajo ka një dorë mes këmbëve, e cila tregon qartazi se po përjetohet një ekstazë trupore e aspak hyjnore.
Njëjtë blasfemike janë dhe imazhet e Krishtit të kryqëzuar në krahët e avionit ushtarak amerikan, vepër e argjentinasit Leon Ferrari, pastaj dhe fotografia e amerikanit Andres Serrano e titulluar “Piss Christ”, një fotografi e mbuluar në ngjyrë të kuqe, e cila paraqet kryqëzimin e Krishtit me një efekt që paraqet urinimin e artistit në fotografi.
Po ashtu aty është edhe fotografia e Raquel Welch e shkrepur nga Terry O’Neill, pasi aktorja deklaroi se ndihet e kryqëzuar nga shtypi, pas veshjes së saj joadekuate në filmin Million Years BC. O’Neill tha se ishte shumë i frikësuar të publikonte fotografinë e Welch në rroba banje lëkure në kryq, derisa ai e gjeti atë fotografi në portofolin e tij 30 vjet më vonë. Artistja francezo-algjeriane, Zoulikha Boubdellah, dhe Zoya Falkova nga Kazakistani bëjnë deklarata të fuqishme rreth pozicionit të gruas në vendet e tyre. Njëjtë edhe me “Silence Rouge et Blue”, e cila paraqet 30 sixhade, dhe secila nga to me nga një palë take me shkëlqim në to.
Sa i përket dhunës nga meshkujt, artistja Falkova me “Evermust” paraqet një thes boksi, por në formë të një busti gruaje. “Evermust” ishte pjesë e ekspozitës së parë në “Feminnale” të artit bashkëkohor në Muzeun Kombëtar të Arteve të bukura në Bishkek, por kjo vepër ishte njëra ndër veprat të cilat qeveria dha urdhër të largoheshin.
Shumë vepra përdorin satirën edhe me politikën, sikur portretizimi që Ilma Gore i bëri Donald Trumpit, të cilin e paraqiti me një penis të vogël në veprën “Make America Great Again”, pastaj portreti i revolucionarit meksikan Emiliano Zapata me një kapele meksikane ngjyrë vjollcë dhe këpucë me taka nga Fabian Chairez ose vepra e Eugenio Merino me paraqitjen e diktatorit Francisco Franco të veshur në uniformë ushtarake, të futur në një makinë automat për blerje.
Disa janë edhe kritike ndaj shoqërisë konsumeriste, ashtu si videoja e Yoshua Okonit, “Freedom Fries: Still Life”, e cila paraqet një këndvështrim nga një restorant i “McDonald’s”, ku paraqitet një grua e kolmë e zhveshur dhe e shtrirë në një tavolinë, derisa dikush pastron xhamat nga jashtë. Kjo video ishte tërhequr nga një ekspozitë në “Tin Tabernacle Gallery” në Londër në vitin 2014, sepse muzeu konsideroi se nuk ishte e përshtatshme.
Në rastin e Ai Weiwei, pala e ofenduar ishte kompania “Lego”. Ai përdori tullat lego për të krijuar portrete të katër italianëve të burgosur ose dëbuar për shkak të besimeve të tyre: Filippo Strozzi, Dante Alighieri, Giorlamo Savonarola dhe Gailieo Galileli. Këto portrete u ekspozuan në Firence në vitin 2016, bashkë me disa balona, të cilat simbolizonin emigrantët dhe refugjatët e shekullit të 21-të.
Në vitin 2015, ai kritikoi publikisht kompaninë “Lego”, sepse refuzoi një porosi me shumicë, me motivin se ata nuk mund të shesin produktet e tyre për deklarime me motive politike. (koha.net)