E premte, 20 Qershor, 2025
25.8 C
Skopje

NJË VDEKJE ÇDO SHTATË MINUTA! Nigeria, vendi më i rrezikshëm për të lindur

Një raport mbi krizën e shëndetit amësor në Nigeri tregon se mungesa e mjekëve, varfëria dhe infrastruktura e dobët rrezikojnë jetën e grave çdo shtatë minuta

Në moshën 24-vjeçare, Nafisa Salahu ishte pranë vdekjes ndërsa përpiqej të sillte në jetë fëmijën e saj të parë në një spital shtetëror nigerian. Pa ndihmën e mjekëve për shkak të një greve, ajo qëndroi për tri ditë në dhimbje të mëdha, ndërsa foshnja e saj nuk arriti të mbijetonte. Fatkeqësisht, historia e saj nuk është e rrallë. Sipas Kombeve të Bashkuara, Nigeria është vendi më i rrezikshëm në botë për të lindur; çdo shtatë minuta, një grua humb jetën gjatë lindjes ose menjëherë pas saj.

Sipas një artikulli të BBC-së, të dhënat e vitit 2023 tregojnë se Nigeria përbën 29% të të gjitha vdekjeve amësore në botë, me mbi 75 mijë humbje jete brenda vitit. Në një vend me më shumë se 218 milionë banorë, rreth një në 100 gra vdes gjatë shtatzënisë ose lindjes. Shkaqet më të zakonshme të këtyre vdekjeve janë gjakderdhja pas lindjes, lindjet e bllokuara, tensioni i lartë i gjakut dhe abortet e pasigurta – të gjitha, në shumicën e rasteve, të parandalueshme.

MUNGESA E MJEKËVE DHE INFRASTRUKTURA E DOBËT

Sipas UNICEF-it, problemet rrënjësore përfshijnë mungesën e mjekëve dhe infermierëve të trajnuar, spitalet e mbipopulluara, koston e lartë të kujdesit shëndetësor dhe mosbesimin që shumë gra kanë ndaj institucioneve shëndetësore publike. Në vitin 2021, Nigeria kishte vetëm 121,000 mamitë, ndërsa i duhen rreth 700,000 për të arritur standardin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vetëm gjysma e lindjeve në vend mbikëqyren nga profesionistë të trajnuar.

Shumë gra në zonat rurale mbështeten ende te lindjet tradicionale, shpesh me ndihmën e ndihmësve jo-profesionistë.

Jamila Ishaq, nënë nga shteti Kano, thotë se ka humbur besimin te spitalet shtetërore. “Kur linda fëmijën e katërt, shkuam në spital për ndihmë, por nuk kishte askënd që të më ndihmonte. U kthyem në shtëpi, dhe atje linda”, rrëfen ajo. Ndërsa në zonat e pasura të qyteteve si Abuja, gratë kanë akses në kujdes privat të sigurt. “Nuk do të lindja askund tjetër përveç në klinikë private; aty e di që do më përgatisin për çdo emergjencë. Më kanë shpëtuar jetën një herë”, thotë Chinëendu Obiejesi, një grua e tretë në pritje.

Por tragjeditë ndodhin edhe aty. Një shoqe e saj humbi foshnjën sepse lindja u krye nga një ndihmëse jo e kualifikuar, dhe ndërhyrja mjekësore erdhi shumë vonë.

FINANCIMI, PROBLEMI KRYESOR

Për të përballuar këtë krizë, në nëntor 2024 qeveria nigeriane nisi projektin Mamii – Nisma për Reduktimin e Vdekshmërisë Amësore, i cili synon të identifikojë dhe ndjekë çdo grua shtatzënë në zonat me rrezik të lartë. “Derë më derë kemi identifikuar 400,000 gra në gjashtë shtete. Po punojmë që t’i lidhim me shërbimet shëndetësore që kanë nevojë”, thotë Nana Sandah-Abubakar nga Agjencia Kombëtare e Kujdesit Shëndetësor. Mamii gjithashtu synon të bashkëpunojë me rrjete lokale transporti dhe të promovojë sigurimin shëndetësor me kosto të ulët.

Qeveria nigeriane aktualisht shpenzon vetëm 5% të buxhetit për shëndetësinë, shumë më pak se angazhimi prej 15% që ka marrë në traktatin e Bashkimit Afrikan.

“Ka nevojë për më shumë investim dhe përgjegjësi institucionale”, deklaroi Martin Dohlsten nga UNICEF. Për shumë familje, humbja e një nëne është plagë që nuk shërohet. Ndërsa bota ka ulur me 40% vdekjet amësore që nga viti 2000, Nigeria ka bërë vetëm një përparim prej 13%. Çdo ditë që kalon, 200 gra të tjera humbasin jetën duke sjellë jetë në botë – një realitet i hidhur që nuk duhet të injorohet.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm