Nota mesatare e vlerësimit ka qenë 2. Ushqimi ka marrë notën 2.6, higjiena 2.4, pajisjet teknike 1.6, interneti 1.8, ndërsa kushtet e mësimit janë vlerësuar me notën 2.5. Mungesa e ujit të ngrohtë, ashensorët që nuk funksionojnë, minjtë nëpër tualete, muret me lagështi dhe cilësia e ulët e ushqimit janë vetëm disa nga sfidat me të cilat përballen banorët e këtij konvikti publiko-privat
Albina REKA
Shkup, 29 dhjetor – Megjithëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka ndarë fonde në tre muajt e fundit për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të konvikteve studentore, me qëllim që të ruhet funksionaliteti i tyre, të njëjtit për shkak të kufizimeve buxhetore, nuk kanë mundur të mbulojnë shpenzimet për energjinë elektrike dhe ujin. Me këtë rast, Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) ka realizuar një anketë mes studentëve, të cilët kanë vlerësuar akomodimin në konviktet studentore në shkallë nga një deri në pesë. Në këtë anketë kanë marrë pjesë 286 studentë, që përbëjnë 8.25% të numrit total të studentëve në konvikte. Nota mesatare e vlerësimit ka qenë 2. Vlerësimet për aspekte të ndryshme janë si më poshtë: ushqimi ka marrë notën 2.6, higjiena 2.4, pajisjet teknike 1.6, interneti 1.8, ndërsa kushtet e mësimit janë vlerësuar me notën 2.5, shkruan gazeta KOHA.
Jetën e studentëve në konviktin e studentëve “Pellagonia” në Shkup e vështirësojnë shumë probleme. Mungesa e ujit të ngrohtë, ashensorët që nuk funksionojnë, minjtë nëpër tualete, muret me lagështi dhe cilësia e ulët e ushqimit janë vetëm disa nga sfidat me të cilat përballen banorët e këtij konvikti publiko-privat.
Fatkeqësisht objekti ka funksionuar për gati një muaj pa drejtor, pasi i fundit dha dorëheqje në tetor dhe ende nuk është emëruar një ushtrues detyre i ri. Për këtë arsye, nuk ka një person të autorizuar për të nënshkruar vendimet dhe për të marrë masa për të zgjidhur problemet e studentëve. Kjo ka krijuar vështirësi në menaxhimin e çështjeve të lidhura me konviktet dhe kërkesat e studentëve.
Përderisa studentët po përballen me sfida të përditshme, situata e pazgjidhur për udhëheqësinë e thellon krizën edhe më shumë. Studentët kërkojnë emërimin e menjëhershëm të një personi kompetent i cili do ta marrë përgjegjësinë dhe do të fillojë me sanimin e problemeve. Uji dhe energjia elektrike, ku përfshihet edhe ngrohja, përmenden si arsyet kryesore pse konviktet shtetërore kanë ngecur me probleme në funksionimin normal të tyre. Qeveria ka marrë disa vendime individuale për të ndarë fonde për shumicën e konvikteve shtetërore të studentëve, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të paplanifikuara për funksionimin aktual të konvikteve. Këto fonde janë dedikuar për shpenzimet e ngrohjes, energjisë elektrike dhe ujit, të cilat nuk mund të parashikoheshin dhe të përfshiheshin në buxhetet e konvikteve.
Në fillim të vitit 2024 kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se janë duke u rindërtuar dy konvikte studentore në Shkup – “Kuzman Josifovski-Pitu” dhe “Stiv Naumov”. Mirëpo “Stive Naumov” dhe “Kuzman Josifovski – Pitu” do të qëndrojnë të mbyllura edhe për të paktën 18 muaj, që do të thotë se hapja më e hershme e mundshme mund të jetë në fillim të vitit shkollor 2026/2027.
Në objektin e tretë dhe kazermën në “Stiv Naumov”, vitin e kaluar shkollor, ishin akomoduar rreth 500 nxënës. Tashmë Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të gjejë një zgjidhje se ku do të mundësojë këto objekte që nuk funksionojnë. Si zgjidhje e mundshme, jozyrtarisht paralajmërohet hapja e një objekti tjetër në konviktin studentor “Tome Stefanovski – Seniç” në lagjen Zhelezara, dhe disa studentë mund të akomodohen në objektet e paplotësuara në konviktet e studentëve në Shkup.
Rikonstruksioni i shumëpritur i “Stiv Naumov”, si dhe i konvikteve të tjera shtetërore studentore, parasheh ndërrimin e të gjitha pozitave, instalimeve elektrike dhe hidraulike, fasadave energjetike, sistemeve të ngrohjes, dyerve, dritareve, lyerjes dhe mobilimit. Konviktet e studentëve janë të rëndësishme për një mjedis të përshtatshëm për studim, relaks dhe zhvillim social. Kushte të mira në konvikte sigurojnë siguri, pastërti dhe funksionalitet, duke i mundësuar studentëve të përqendrohen në studimet e tyre dhe të angazhohen në aktivitete sociale. Investimi në përmirësimin e kushteve të konvikteve është një investim në arsim dhe zhvillimin e brezave të rinj. (koha.mk)