Zëvendësdrejtori i Pyjeve të Maqedonisë, Safet Miftari tha se drunjtë e prerë nuk mund të largohen nga askush tjetër përveç ndërmarrjes pyjet e Maqedonisë
Urim HASIPI
Tetovë, 11 mars – Prerja e druve në Lumin Shkumbin nga ana e Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë ka shkaktuar përplasje me policinë pyjore. Policia e Pyjeve gjatë vikendit ka ndaluar prerjen e druve përgjatë shtratit të Lumit Shkumbin, që Ndërmarrja Publike Komunale e Tetovës po bënte në drejtim të preventimit nga vërshimet. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, Samet Bislimi, pasi që policia pyjore pengoi që të mos punohet, nuk ka ndërmarrë asgjë deri tani. ”Nga policia e pyjeve dje thanë se ato do i largojnë drunjtë, ku sipas tyre ne nuk kemi drejt të bëjmë transportimin e tyre. Se qëllimi i tyre është vetëm të pengojnë punën tonë kjo shihet qartë, gjë që mund të vërtetohet edhe në terren. Cila është zgjidhja që ofruan ata. Asgjë, sot drunjtë janë në vendin që i vendosëm dje dhe nuk i kanë larguar, kush do mbajë përgjegjësi tani pasi dje na penguan, kush mbanë përgjegjësi në rast vërshimesh”, tha ai.
Më tej ai tha se me këto veprime, rrezikohet jeta e qytetarëve nga vërshime eventuale.
“BDI rrezikon jetën e qytetarëve vetëm e vetëm për të penguar të tjerët, atyre nuk ju intereson asgjë por vetëm politika ditore e tyre. Duhet të theksojmë edhe njëherë, që mirëmbajtja dhe pastrimi i lumit është përgjegjësi e komunës së Tetovës, jo e policisë apo policisë së pyjeve. Ne kemi ndërmarr masa në rast vërshimesh dhe jo të bëjmë politikë si BDI-ja”, deklaroi drejtori Bislimi.
Në ndërkohë zëvendësdrejtori i Pyjeve të Maqedonisë, Safet Miftari tha se drunjtë e prerë nuk mund të largohen nga askush tjetër përveç ndërmarrjes pyjet e Maqedonisë. Sipas tij, kjo ndërmarrje është kompetente për drunjtë dhe prerja duhet që të bëhet me kërkesë deri në atë ndërmarrje, pastaj duhet të dilet në terem, shenjëzohen drunjtë e më pastaj vendoset se kush do t`i merr ato dru. ”Praktikisht prerja e druve është bërë pa kërkesë adekuate prandaj edhe nuk mundet që të japim leje për transport të tyre. Është procedurë që ndiqet për të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me prerjen e druve”, deklaroi zëvendësdrejtori i Pyjeve të Maqedonisë, Safet Miftari.
Ai më tej është shprehur se drunjtë e prerë në lumin Shkumbin janë prerë pa leje adekuate dhe se nëse do të duhej të intervenohej për pastrimin e lumit dhe prerjen e druve duhet patjetër që të ketë leje adekuate nga policia pyjore. Sipas kësaj drejtorie prerja e druve edhe në prona private pa leje është jo ligjore ndërsa për këtë rast ka kërkuar që NPK-ja, të parashtrojë kërkesë, pastaj të del në terren ekip i posaçëm e pastaj të merret vendim për prerje. (koha.mk)