E enjte, 23 Janar, 2025
3.8 C
Skopje

“Nuk e luan as topi deklaratën e Gashit”! Qoku, i vetmi zyrtar që mbron kryeparlamentarin

Nuk e luan as topi deklaratën e kryetarit të Parlamentit se në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer. Kështu shkruan në profilin e tij në Facebook, deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, duke u bërë kështu zyrtari i parë dhe i vetëm që mbështet deklaratën skandaloze të Gashit mbrëmë në Alsat-M.

Qoku, i cili madje kishte se “më mirë pa ligj sesa me ligjin aktual të shqipes”, bën lojëra fjalësh kur shkruan se “të gjithë dokumentet që janë prodhuar shqip, nuk kanë vlefshmëri zyrtare pa qenë të përkthyer edhe në gjuhën maqedonase”, edhe pse në Ligj dhe Kushtetutë shkruan qartë se, “krahas gjuhës maqedonase, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha që flasin komunitetet që përbëjnë 20% (gjuha shqipe).

Statusi i plotë i deputetit Bekim Qoku:

“Në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer”.
Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të MV.

Nuk e luan as topi këtë deklaratë.

Të gjithë dokumentet që janë prodhuar shqip, nuk kanë vlefshmëri zyrtare pa qenë të përkthyer edhe në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik.

Çdo kompani private që drejtohet 100% nga shqiptarë dhe të gjithë punonjësit i ka shqiptar, secilin dokument që prodhon ajo, nëse do që ta ketë statusin e dokumentit zyrtar, e ka patjetër ta shoqërojë minimalisht me përkthim në maqedonisht. Në 99% e rasteve, për të reduktuar punën e përkthimit, kompanitë private shqiptare, të gjithë dokumentet me karakter zyrtar i përpilojnë në maqedonisht.

Çdo dokument i ardhur në shqip nga Kosova apo Shqipëria, duhet doemos të përkthehet në gjuhën maqedonase dhe të noterizohet për të qenë i vlefshëm zyrtarisht.

Edhe emrat e përveçëm në dokumentet zyrtare (pasaportë apo letërnjoftim) nuk mund të qëndrojnë vetëm, pa qenë të përkthyer në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, siç mund të qëndrojnë, nga ana tjetër, vetëm në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik.
Në pasaportën diplomatike të deputetit Xhaferi, mbiemri i tij shkruhet në dy forma:
Maqedonisht: Џафери, dhe maqedonisht e transliteruar: Djaferi.
Nuk ka version shqip. 

Nuk mund të ketë dokument zyrtar, qoftë i prodhuar nga administrata publike, qoftë nga firmat private, pa qenë edhe në gjuhën maqedonase, ndërsa, përkundrazi, mund të ketë pa problem dokument vetëm në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, ashtu siç janë realisht shumica e dokumenteve.

Ndërsa të gjitha emrat e rrugëve janë vetëm në gjuhën maqedonase. P.sh. rruga “13 ноември” nuk përkthehet shqip “13 nëntori”.  Ajo shkruhet në dy versione, cirilik dhe cirilik e latinizuar.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm