Prishtinë, 15 nëntor – Institucioni i Avokatit të Popullit i Kosovës ka realizuar me fëmijë të shkollave të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, një bashkëbisedim, ku shumica e tyre kanë vënë theksin tek dhuna psikologjike, fizike, por edhe ngacmimet seksuale, raporton Koha DITORE. Avokati i Popullit nëpërmjet një opinioni, ka dhënë edhe disa rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shëndetësisë, si dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sipas një komunikate të Avokatit të Popullit, përdorimi i dhunës ndaj fëmijëve, si dhe shtimi i shpërfaqjes së rasteve, kur kjo dhunë ushtrohet dhe nga edukatorë e mësues, që janë të thirrur të zbatojnë norma pedagogjike dhe sjellje të kujdesshme me fëmijët, e ka shtyrë Avokatin e Popullit të trajtojë ndikimin e dhunës në shëndetin dhe jetën sociale të fëmijëve dhe në formën e një opinioni t’ua drejtojë institucioneve përgjegjëse, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes përkitazi me ndikimin negativ të dhunës ndaj fëmijëve, si dhe rëndësinë e parandalimit të saj, duke e identifikuar, referuar dhe trajtuar me kohë. “Gjatë takimeve të drejtpërdrejta që përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) kanë realizuar me fëmijë të shkollave të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, nëpërmjet bashkëbisedimit lidhur me shqetësimet e tyre, jo vetëm brenda ambienteve shkollore, por edhe në familje apo gjetiu, shumica e kanë vënë theksin tek dhuna psikologjike, fizike, por edhe ngacmimet seksuale, të cilat IAP i ka hetuar, trajtuar dhe adresuar te institucionet përkatëse. Gjithashtu, sipas detyrës zyrtare, IAP ka filluar hetimet lidhur me veprimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge (fëmijët që kërkojnë lëmoshë, pastrojnë xhamat e veturave, shesin gjësende të ndryshme etj.), e të cilët përballen drejtpërdrejtë me rrezikun për abuzim. Dhuna ndaj fëmijëve është jashtëzakonisht komplekse dhe me pasoja të rënda psiko-sociale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve dhe me pasoja edhe në moshën e rritur. Dhuna mund të shfaqet si abuzim fizik, emocional/psikologjik, trajtim neglizhent, shfrytëzim seksual, apo tjetër dhe ka si rezultat dëmtimin e shëndetit të fëmijës”, thuhet në komunikatën e këtij institucioni. Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna mbetet sfidë e shtetit dhe shoqërisë, e cila kërkon koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë të profesionistëve dhe institucioneve gjegjëse, tek të cilat janë drejtuar, përmes këtij opinioni, edhe rekomandimet përkatëse. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të bëjë fushata të informimit publik për të rritur ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e shoqërisë për pasojat e abuzimit ndaj fëmijëve, si dhe të promovoj në vazhdimësi metoda jo të dhunshme të edukimit dhe disiplinës; të angazhoj psikologë dhe pedagogë në të gjitha shkollat, për mbështetje dhe ndihmë të fëmijëve; të krijohen sisteme të përshtatshme për fëmijët, që të mund të raportojnë dhunën dhe të informohen për mekanizmat ku mund t`i drejtojnë ankesat; të bëhet ngritja e kapaciteteve të punonjësve arsimor, lidhur me pasojat e dhunës ndaj fëmijëve, si dhe rëndësinë e identifikimit dhe referimit me kohë të këtyre rasteve, tek autoritetet përgjegjëse.
Artikuj të ngjajshëm

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër