Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka deklaruar të hënën se situata në pjesën veriore të Kosovës ka ndryshuar vitin e fundit, posaçërisht për shkak të prezencës së shtuar të NATO-s. “Mendoj se gjatë vitit të fundit kemi pasur përmirësime… NATO-ja është më e madhe dhe më e angazhuar”.
Sa i përket Serbisë, ka shtuar O’Brien, pas sulmit terrorist të vitit të kaluar në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ajo ka ndërrmarrë hapa që t’i largojë disa prej “elementeve të dhunshme” në veriun e trazuar të territorit kosovar: “Dhe kjo e ka bërë situatën më të mirë”.
Në një intervistë për “Kanal 10” të hënën, diplomati i lartë amerikan ka folur sërish rreth nevojës për koordinim mes Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke i bërë thirrje ekzekutivit kosovar të angazhohet më fortë me SHBA-të, posaçërisht sa i përket vendimeve që mund të përfshijnë ushtarët e NATO-s në Kosovë.
“Herë pas here kemi mospajtime, por kjo ndodh mes miqve. Ne duam të kemi më shumë koordinim rreth disa veprimeve, veçanerisht rreth atyre që mund të përfshijnë trupat e NATO-s. Ne dëshirojmë të shohim më shumë diskutime para se të bëhet shpallja e ndonjë ideje”, ka thënë O’Brien, i cili është duke qëndruar në Prishtinë.
SHBA-të nuk kanë qenë të kënaqura me veprimet e autoriteteve kosovare në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe gjatë këtij viti, duke konsideruar se “lëvizjet e njëanshme” kanë ndikuar në cilësinë e partneritetin mes dy vendeve. Madje, diplomatë amerikanë kanë paralajmëruar edhe pasoja për Kosovën nëse s’ka progres.