Përskaj faktit se pagat e humbin garën me koston e jetesës, një pjesë e madhe e pagave nuk arrin as 30 mijë denarë, e të mos flitet për një shumë prej 40 mijë denarë, tregojnë të dhënat statistikore dhe ato sindikale
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 shkurt – Paga mesatare në Maqedoni ka arritur në 40 mijë denarë në muajin dhjetor 2023.
Kjo rritje vjen mbi të gjitha nga rritja e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës në sektorët: Administratë Publike dhe Mbrojtje, sigurimet shoqërore të detyrueshme (27.5 për qind) furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (27.1 për qind ) dhe ndërtimtaria (21.8 për qind). Mirëpo edhe një rritje e tillë vështirë se po mbulon harxhimet se vjen e më të mëdha të jetesës. Përskaj faktit se pagat e humbin garën me koston e jetesës, edhe një pjesë e madhe e pagave nuk arrin as 30 mijë denarë, e të mos flitet për një shumë prej 40 mijë denarë. Të dhënat statistikore zbardhin se të punësuarit në bujqësi kanë të ardhura mujore prej 30 mijë denarë, të punësuarit në fabrikat e prodhimit të veshmbathjeve kanë paga prej 25 mijë denarë, ato të lëkurës prej 24 mijë denarë dhe të prodhimtarisë së drurit dhe përpunimit të drurit prej 26 mijë denarë.
Pagat në transportin tokësor dhe veprimtarinë e postës janë afër 29 mijë denarë. Me vite, ndër pagat më të ulëta ofrohen në sektorin e përgatitjes së ushqimit që në dhjetor kanë arritur në afër 27 mijë denarë. Pagat më të ulëta janë në veprimtaritë mbrojtëse dhe shërbimet në lidhje me mirëmbajtjen e ndërtesave ku punonjësit marrin paga të ngjashme me pagën minimale apo afër 330 euro.
Nga sindikata thonë se pagat po vazhdojnë të rriten, ku edhe punëdhënësit e kuptojnë nevojën të zbutet hendeku midis të ardhurave të ulëta dhe harxhimeve në rritje të jetesës.
Megjithatë, edhe me këtë rritje të pagave, mbetet brengosja se sa ajo ka mundësi për të mbuluar shpenzimet mujore, kur kemi parasysh se familjeve për mbijetesë u nevojiten më shumë se 57.000 denarë sa është shporta sindikale. E të mos flitet për familjet që paguajnë qira ku harxhimet rriten në mbi 72.000 denarë, apo për ato që paguajnë këstet mujore të kredive.
Me fjalë tjera nuk bën punë as rritja e pagave në kushtet e një inflacioni dhe kostove në rritje të jetesës që po e gërryejnë edhe këtë rritje pagash thonë sindikalistët.
Ivan Peshevski nga Sindikata e Maqedonisë, vlerëson se përshtypjet dhe përvojat nga terreni tregojnë një nivel më të ulët të pagave karshi jetesës më të shtrenjtë.
“Nga njëra anë kemi një familje mesatare prej katër anëtarësh që përballet me sfidë financiare për të mbuluar muajin më të shkurtër të këtij viti të shportës minimale që është 57.476 denarë. Nga ana tjetër kemi sektorë të caktuar që po përjetojnë rritje të konsiderueshme të pagave, përderisa shumica dërrmuese, veçanërisht në institucionet qeveritare, ende fitojnë nën mesataren. Pra rreth 90 për qind e të punësuarve në institucionet shtetërore marrin të ardhura nën mesataren dhe në disa raste shumë më të ulëta, apo edhe të ardhura minimale”, thekson Peshevski.
Analizat e Sindikatës tregojnë se afër 950 euro është minimumi i nevojshëm për një familje prej katër anëtarësh për të kaluar në muajin shkurt. Kjo do të thotë se një familje ku të dy prindërit kanë të ardhura minimale do t’i mungojnë gati shtatëmbëdhjetë mijë e gjysmë denarë apo afër 300 euro.
Nëse familja jeton me qira, kjo shumë rritet në mënyrë drastike dhe më pas shporta sindikale për muajin shkurt arrin në 72.851 denarë, shumë që vështirë se mund të mbulohet nëse të dy prindërit kanë pagë mesatare prej 30 mijë denarë, apo arrijnë 60 mijë denarë në muaj.
Kostoja më e madhe në muaj e shportës sindikale përkon me ushqimin dhe pijet – 21.219 denarë, pasuar nga arsimi me 7.022 denarë dhe shpenzimet e ujit, rrymës dhe ngrohjes me 6.014 denarë. Një familje prej katër anëtarësh duhet të ndajë 4.956 denarë në muaj për transport, ndërsa 4.245 denarë për rekreacion dhe kulturë. Për veshje dhe këpucë -4,902 denarë, higjiena personale dhe mirëmbajtja e higjienës në shtëpi -1797 denarë, shëndeti- 1115 denarë, komunikimet -2473 denarë, restorante dhe hotele -3733 denarë dhe mallra dhe shërbime të tjera 950 denarë.
Sindikalistët vlerësojnë se për pasojë të standardit të dobët vjen edhe ulja e cilësisë së jetës.
Qytetarët zgjedhin ushqime më të lira, të kenë pak apo fare pak mish në tryezën e tyre, të blejnë tesha më të lira apo edhe të përdorura, zgjedhin të mos ngrohin mjaftueshëm shtëpinë e tyre, apo të mos vizitojnë ngjarjet kulturore, apo ngjarjet sportive dhe proceset e tjera edukative për fëmijët e kështu me radhë. (koha.mk)