E martë, 3 Dhjetor, 2024
8.8 C
Skopje

Palestinezët, familjarisht në burg!

Shumica e banorëve të Nabi Salehit janë të lidhur me martesa gjaku dhe pothuajse të gjithë ndajnë mbiemrin Tamimi. Shumica e djemve – si baballarët dhe gjyshërit e tyre – kanë rënë në burg pasi ky fshat i vogël u bë i njohur për përpjekjet e banorëve për të sjellë ndryshim përmes protestave

 

Marwan Tamimi shprehet se vjen një pikë ku të gjithë prindërit palestinezë e kuptojnë se janë të pafuqishëm për t’i mbrojtur fëmijët e tyre. Për babanë 48-vjeçar të tre fëmijëve, momenti më i rëndë për të ishte në qershor, kur forcat izraelite goditën në kokë me një predhë gome djalin e tij të madh, Wisiam, teksa ai ndodhej tek çatia e gjyshes së tij bashkë me familjen. Një javë më pas, Marwani tha se ushtarët erdhën për adoleshentin 17-vjeçar, e tërhoqën atë nga krevati me kafkën e thyer, ndërsa nëna e tij po qante. Wisam u akuzua më vonë për një grumbull veprash që ai i mohoi – hedhjen e gurëve, posedimin e armëve, vendosjen e një pajisjeje eksplozive dhe shkaktimin e lëndimeve trupore. Ai dërgua në burgun e Ofwrit në Izrael. Të shtunën e kaluar, pas gjashtë muajsh prapa grilave, u kthye në shtëpi së bashku me 38 palestinezë të tjerë në këmbim të pengjeve izraelite që po mbaheshin nga Hamasi në Gazë – pjesë e një ndërprerjeje të përkohshme të luftës që nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit.

Prindërit e tij thanë se nuk e kanë parë ose dëgjuar për të për dy muaj, që nga fillimi i luftës. Wisam deklaroi se ka kaluar kohën në një ambiente të stërmbushur me njerëz dhe i është mohuar ushqimi dhe mjekimi i nevojshëm. Ai është intervistuar në lidhje me miqtë e tij dhe është keqtrajtuar rregullisht.

Unë bërtita me tërë fuqinë: “Jo, ai është djali im, nuk mund ta merrni. Është i plagosur”, u shpreh Marwan Tamimi. “Aty e kuptova që do ta merrnin dhe nëse insistoja më tutje do ta vija jetën e tij në rrezik”. Kthimi në shtëpi i Wisiam së bashku me kushëririn e tij aktivist, Ahmed Tamimi, preku çdo shtëpi në fshatin Nabi Saleh, ku burgu është rit i rëndë për djemtë palestinezë. Njerëzit, të mbushur me lot gëzimi, filluan të duartrokisnin. Wisiam po përqafonte secilin nga miqtë dhe familjarët e tij. Por euforia e njerëzve kishte të bënte edhe me dhimbjen, aq sa me gëzimin në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 750,000 palestinezë janë arrestuar që kur Izraeli pushtoi territorin në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Pretendimet e palestinezëve dhe izraelitëve kanë lënë gjurmët e tyre në Nabi Saleh, shtëpi e aktivistëve karizmatikë, gazetarëve dhe avokatëve të njohur për refuzimin e tyre për t’ju nënshtruar okupatorit. Dikur fshat idilik në një pjesë kodrash me toka bujqësore të mbjella me rrush dhe ullinj të gjelbër, ndërsa sot shërben si një shembull i fuqishëm se si burgu izraelit gjatë dekadave të luftës ka shtypur familje, ka kufizuar jetët dhe ka zhbërë rezistencën popullore.

Shërbimi i Sigurisë së Izraelit nuk ka reaguar ndaj pyetjeve në lidhje me rastin e Wisam, ndërkaq ushtria i konsideron këto sulme masive të palestinezëve, përfshirë edhe të minorenëve, si të nevojshme për të parandaluar sulme të tjera militantësh. Në një deklaratë për Associated Press, ushtria tha se synon të “ruajë të drejtat dhe dinjitetin” e të dyshuarve palestinezë gjatë proceseve gjyqësore dhe paraburgimit dhe se dënimi i një të mituri “kërkon një barrë të provës së fajit përtej dyshimit të arsyeshëm”. Aktivistët palestinezë dhe organizatat e mbrojtjes të të drejtave të njeriut thonë se masat e arrestimeve të Izraelit synojnë të mbjellin frikë tek më të rinjtë, duke thyer komunitetet që vazhdojnë të sfidojnë sundimin ushtarak izraelit, tash e 57 vite. “Kemi parë që ky sistem shtyp dhe frikëson shumicën e fëmijëve”, thotë Salwa Duaibis, bashkëthemeluese e “Military Court Watch”, grup palestinez i mbrojtjes ligjore. “Këta fëmijë tmerrohen aq shumë, sa që edhe kur ata të bëhen 40 vjeç, ata do të ikin kur të shohin ushtarët”.

RRËFIME TË NJËJTA

Shumica e banorëve të Nabi Salehit janë të lidhur me martesa gjaku, dhe pothuajse të gjithë ndajnë mbiemrin Tamimi. Shumica e djemve – si baballarët dhe gjyshërit e tyre – kanë rënë në burg pasi ky fshat i vogël u bë i njohur për përpjekjet e banorëve për të sjellë ndryshim përmes protestave. “Fshati ku ne jetojmë njihet për rezistencë. Çdo shtëpi këtu ka rrëfim më vete”, shprehet Wisiam. Wisam është rritur me historinë e dëbimit të gjyshit të tij aktivist në Jordan në vitin 1970 dhe kthimin triumfal në Nabi Saleh si pjesë e Marrëveshjeve të Oslos në vitin 1993. Babai i Wisamit, Marwan, kishte vuajtur burgun në kohën e kulmit të intifadës së dytë palestineze në vitin 2002. Gjyshi i tij gazetar, Bilal, ishte burgosur katër herë, duke filluar nga fundi i viteve 1980, gjatë intifadës së parë. Fqinji i tij, Haitham Tamimi, kuzhinier 45-vjeçar, tha se një herë u ndalua dhe u pyet në rrugë nga një ushtar që “iu duk i dyshimtë fakti që unë isha nga Nabi Saleh dhe nuk isha burgosur”.

Para se Izraeli dhe Hamasi të rifillonin luftën e tyre të premten e javës së kaluar, grupi militant kishte kërkuar lirimin e të burgosurve me profil të lartë në këmbim të pengjeve të mbetur nga Gaza.

Sipas ekspertëve, shumica dërrmuese e palestinezëve në burgjet e Izraelit, janë adoleshentë dhe djem të rinj të cilët janë tërhequr zvarrë nga shtrati në pikë të natës, të dyshuar për hedhjen e gurëve dhe molotovëve ose lidhjen me militantë në qytete dhe kampet e refugjatëve pranë vendbanimeve izraelite. Në kuadër të marrëveshjes njëjavore të armëpushimit, Izraeli liroi 240 të mitur dhe gra palestineze. Shumica e 14-17-vjeçarëve të liruar ishin ndaluar për hetim dhe nuk ishin dënuar për krime, raportoi Klubi i të Burgosurve Palestinez bazuar në të dhënat nga Shërbimi i Burgjeve të Izraelit. Gjatë të njëjtës javë, Izraeli arrestoi 260 palestinezë të tjerë, ka njoftuar grupi. Çdo vit, gjykata ushtarake izraelite dënon me burg qindra të mitur, kryesisht për gjuajtje gurësh, sipas organizatës Military Court Watch. Shumica janë 16 ose 17 vjeç. Izraeli thekson se hedhja e gurëve mund të jetë e rrezikshme dhe madje vdekjeprurëse.

“Viktimës që goditet në kokë nga gurët nuk i intereson se sa vjeç është personi që e hedh gurin”, tha Maurice Hirsch, prokurori më i lartë ushtarak i Izraelit nga viti 2013 deri në 2016. “Ka terroristë shumë të rinj që kryejnë vepra shumë të dhunshme”.

SHUMË TË ARRESTUAR

Shkalla e dënimit për shkelje të sigurisë në Bregun Perëndimor është mbi 99%. Avokatët mbrojtës shpesh inkurajojnë klientët e rinj që të pranojnë fajësinë për të shmangur gjykimet dhe paraburgimet e gjata. Disa nuk akuzohen kurrë zyrtarisht ose nuk dalin para gjyqit, mbahen nën një praktikë të njohur si “paraburgim administrativ”, që lejon autoritetet izraelite të arrestojnë palestinezët bazuar në dëshmi sekrete dhe të zgjasin paraburgimin për një kohë të pacaktuar. Ritmi i arrestimeve – tashmë në rritje gjatë dy viteve të fundit – u ngrit pas sulmit të 7 tetorit të grupit të Hamasit ku u vranë 1200 njerëz dhe u rrëmbyen më shumë se 240 të tjerë. Izraeli ka arrestuar 3,450 palestinezë në të gjithë Bregun Perëndimor që nga shpërthimi i luftës, sipas ushtrisë izraelite, në një fushatë gjithëpërfshirëse që synon të pengojë sulmet militante. Sipas grupit izraelit të të drejtave të njeriut HaMoked, 2,873 palestinezë tani mbahen në paraburgim administrativ.

“Shtypja në një farë mënyre bie në kundërshtim me qëllimin tonë për të mos hapur një front tjetër në Bregun Perëndimor”, tha Ami Ayalon, ish-drejtoreshë e shërbimit të sigurisë Shin Bet të Izraelit.

“Nga njëra anë, ne e kuptojmë se sa më shumë ka njerëz të vrarë dhe të arrestuar, aq më shumë rritet urrejtja. Por nga ana tjetër, ne nuk duam të paguajmë çmimin e sulmeve terroriste.” Avokatët thonë se kjo shtypje nga ana e Izraelit prek palestinezët e çdo brezi, duke i konsideruar si kërcënim edhe ata që bëjnë postime në rrjete sociale. “Ishte si një orkestër, sikur një kompozitor të drejtonte të gjitha gjykatat në të gjithë vendin për të kuptuar se kishin detyrimin të arrestonin të rinjtë”, tha Lea Tsemel, avokate e njohur e të drejtave të njeriut. “Ne pamë policinë që ndalonte të rinjtë dhe kontrollonte telefonat për të parë nëse mund të gjenin ndonjë gjë që përbënte nxitje”. Forcat izraelite kanë shtuar bastisjet vdekjeprurëse në veri të Bregut Perëndimor, si në kampin e refugjatëve në Jenin, duke përdorur sulme ajrore për të shënjestruar militantët me forcë të paprecedentë.

Dhuna në rritje dhe kufizimet në lirinë e lëvizjes së palestinezëve kanë krijuar frikë te Nabi Saleh. Kontrollet e reja izraelite kanë transformuar një udhëtim prej 15 minutash drejt qytetit palestinez të Ramallahut në një labirint të mbingarkuar që zgjat dy orë.

Ky është kapitulli i fundit në historinë e trazuar të një fshati, dikur në qendër të një lëvizjeje protestuese, që filloi në vitin 2009 dhe që frymëzoi fshatra të tjerë duke bërë bujë botërore. Çdo javë, banorët mblidheshin për humbjen e tokave të të parëve të tyre dhe burimit të ujit të freskët ndaj vendbanimit izraelit që po rritej shpejt anash rrugës. Marshimet e së premtes, menjëherë pas ezanit të mesditës, u bënë traditë familjare. Fshatarët valëvitnin flamuj kombëtarë, duartrokisnin dhe këndonin këngët palestineze ndërsa përpiqeshin të arrinin në pranverën e tyre që ishte bërë një vend pikniku për kolonët. Pashmangshëm, djemtë filluan të qëllojnë me gurë automjetet ushtarake të Izraelit. “Ne po i tregonim botës se çfarë po ndodhte me të vërtetë këtu”, tha Janna Jihad, tani 17 vjeçe, e cila në moshën 7-vjeçare filmonte veten duke raportuar në internet për protestat atje.

Izraeli thotë se trupat u përgjigjën vetëm pasi protestuesit filluan të gjuanin gurë dhe të përpiqeshin të hynin në një zonë ushtarake rreth fshatit. “Familja Tamimi i trajnoi dhe organizoi këta fëmijë për t’u bërë pritë ushtarëve”, tha Hirsch, ish-prokurori ushtarak. Ushtarët izraelit larguan protestuesit me gaz lotsjellës. Ata kryen bastisje gjatë tërë natës, duke arrestuar shumicën e të rinjve dhe vranë gjashtë fshatarë palestinezë gjatë protestave, të gjithë të rinj. (AP)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm