E diel, 9 Shkurt, 2025
11.8 C
Skopje

PARADITE NË SHKOLLË, PASDITE NË PUNË! Mënyra për tejkalimin e problemeve financiare

Nga viti në vit rritet numrin e të rinjve të cilët përveç shkollimit edhe punojnë. Në pjesën dërmuese të kësaj kategorie janë nxënës të shkollave të mesme. Ata pas orëve të mësimit vazhdojnë angazhimin ditor duke punuar si kamerier, bariste, tregtarë, kuzhinierë….

Vjollca SADIKU

Dibër, 2 prill – Problemet sociale të shumë familjeve dibrane janë të mëdha. Në Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër thonë se aktualisht numri i familjeve që marrin ndihmë sociale është mbi 700, me mbi 2500 antarë. Është një numër shumë i madh nëse merret parasysh se komuna Dibër me regjistrimin e fundit kishte diçka më shumë se 15 mijë banorë. Këta të dhëna flasin qartë se popullata ballafaqohet me probleme financiare. Pikërisht kjo situatë ka detyruar shumë të rinj dibran kryesisht ato të moshave 15-18 vjeç që përveç shkollimit të merren edhe me angazhimin e tyre në punë. Ky angazhim i tyre sadopak përmirëson jetën e familjeve.

Nga viti në vit rritet numrin e të rinjve të cilët përveç shkollimit edhe punojnë. Në pjesën dërmuese të kësaj kategorie janë nxënës të shkollave të mesme. Ata pas orëve të mësimit vazhdojnë angazhimin ditor duke punuar si kamerier, bariste, tregtarë, kuzhinierë, frizerë, automekanik, por janë të angazhuar edhe në kall qendrat që funksionojnë në Dibër, etj. Janë profesione të cilët kanë mungesë të krahut të punës meqë migrimi i të rinjve në Dibër është shumë i madh. Në një situatë kur mungon dora e punës dhe nga ana tjetër ka një problem social ekstrem, edhe pronarëve të objekteve afariste por edhe të rinjve, u nevojitet një bashkëpunim që do të thotë angazhimi i të rinjve të marrin pjesë aktive në procesin e punës.

Arditi dhe Joni janë shokë dhe nxënës të shkollës së mesme në Dibër. Ata të dy pas përfundimit të orëve të mësimit punojnë në një piceri të njohur në Dibër. “Të dy jemi kamerierë dhe orari i punës është nga ora 15:00 deri në ora 21:00. Jemi të kënaqur nga pagesa që marrim nga pronari. Të ardhurat janë një ndihmesë e mirë për familjet tona”, thonë dy bashkëbiseduesit tanë. Ata shtojnë se janë nxënës me të shkëlqyeshëm dhe shumë të mirë dhe puna nuk u pengon shumë në përgatitjen e detyrave shtëpiake. Këtë aktivitet pas orëve të mësimit e kryejnë që nga muaji maj i vitit të kaluar. Situata është e njëjtë edhe në restorantet të mirënjohura në Dibër. Një nga pronarët e restorantit që gjendet në rrugën kryesore të Dibrës thotë se ka angazhuar tre nxënës të shkollës së mesme në Dibër poashtu si kamerier. Paga mujore sipas tij është 15 mijë denarë në person. Në kall qendra e Dibrës poashtu janë të angazhuar me punë mbi 20 të rinj të cilët janë edhe njohës të mirë të gjuhës angleze. Një nga këto të rinj me inicialet T.V thotë se ka qenë i detyruar që angazhohet për t’i ndihmuar familjes. “Jam maturant dhe afro dy vite punoj në një kall qendër të njohur në Dibër. “Jam shumë i kënaqur nga pagesa e cila kryesisht përfundon në buxhetin familjar. Do të regjistrohem në studime dhe do të vazhdoj të punoj në ndonjë kall qendër në Tetovë”, thotë i riu dibran.

Angazhimi i të rinjve përveç në shkollim edhe në punë është një nevojë edhe e pronarëve të objekteve. Tani kur shumë të rinj kanë braktisur Dibrën dhe jetojnë jashtë vendit, mungon krahu i punës. Prandaj ka edhe shumë punë për gjimnazistët dibran. Kështu pritet të jetë edhe gjatë kësaj vere dhe tërë vitit thonë pronarët e objekteve afariste. (koha.mk)

 

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm