E shtunë, 7 Shtator, 2024
27.8 C
Skopje

Paralajmërimi për shfuqizimin e gjuhës shqipe, skenar i njëjtë me 9 korrikun e 1997-ës në Gostivar

Shkruan: Lirim Dullovi

Paralajmërimi për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga ana e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski është një kërcënim serioz mbi ardhmërinë e këtij vendi. Aktualizimi i kësaj teme tani, pas provokimeve të vazhdueshme këto dy muajtë e fundit kundër flamurit shqiptar, Balancuesit, Korridorit 8, rrugës famoze Shkup-Bllacë, shpreh qartë përcaktimin politik për destabilizimin e shtetit dhe rajonit.

Kush mund të jetë i interesuar që një vend anëtar i NATO-s të përfshihet nga një krizë ndëretnike, nuk do shumë mend për t’u përgjigjur.

Këto skenarë shkojnë vetëm në konton e Rusisë, e cila po mundohet t’i hapë telashe Perëndimit në Ballkan.

Padyshim, për mua mbetet enigmë përkrahja e këtyre politikave në Maqedoni nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti! Më habit edhe heshtja e Tiranës zyrtare, por sidomos shqetësuese është heshtja e faktorit ndërkombëtar. Ata nuk e përkrahen hyrjen e Frontit Evropian në Qeveri, mirëpo kishin lënë të kuptohet se nuk do të lejojnë “prekjen” e Marrëveshjes së Ohrit.

Mirëpo, për fat të keq, të gjitha veprimet e deritashme janë pikerisht hakmarrje ndaj MO-së. Shfuqizimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, dhe kthimi i statusit politik të tyre në atë të vitit 1991, është provokimi më i drejtpërdrejtë për destabilizimin e vendit.

Është koha e fundit dashamirët e këtij shteti, qofshin të vendit apo të huaj, të reagojnë për ta parandaluar këtë skenar që mund të sjellë vetëm vuajtje. Një “lojë” e ngjashme kur politika fshihej pas Gjykatës Kushtetuese është zhvilluar më 9 korrik 1997 në Gostivar.
Skenari është plotësisht i njëjtë.

Artikuj të ngjajshëm