Partia Reform UK e Nigel Farage ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në zgjedhjet lokale të mbajtura të enjten në Angli, duke konsoliduar pozitat e saj si një sfiduese kryesore për partitë tradicionale britanike, Konservatorët dhe Laburistët.
Reforma ka fituar 677 nga rreth 1,600 vende të garuara, duke arritur të merrte kontrollin e tetë këshillave që më parë ishin nën administratën e Konservatorëve, përfshirë territore të njohura si Kent dhe Staffordshire. Ky rezultat vjen pas një periudhe të vështirë për Konservatorët, të cilët po përballen me humbje të mëdha në zgjedhjet lokale.
Një nga arritjet më të mëdha të Reformës ka qenë fitimi i Doncasterit, të vetmin këshill që ishte mbrojtur nga Partia Laburiste, si dhe e Durhamit, ku Laburistët kishin qenë forca më e madhe. Përveç kësaj, Partia Reform UK ka zëvendësuar edhe Partinë Laburiste në Runcorn dhe Helsby, pas fitoreve të ngushta në zgjedhjet e pjesshme të Westminster, duke bërë që Sarah Pochin të bëhet deputetja e pestë e partisë.
Në një tjetër fitore historike, Partia Reform UK ka marrë kontrollin e autoriteteve të kombinuara të Greater Lincolnshire, Hull dhe East Yorkshire, duke e fituar edhe betejën për kryetar bashkie. Kjo është hera e parë që partia arrin një fitore të këtij lloji në këto zona.
Nigel Farage, lideri i Reformës, ka shprehur gëzim dhe ka theksuar se këto rezultate janë një tregues se Partia Reform UK ka tejkaluar Konservatorët si partinë kryesore opozitare ndaj qeverisë së liderit të Laburistëve, Sir Keir Starmer.
Zgjedhjet lokale të mbajtura në 23 këshilla, kryesisht në zona rurale dhe periferike të Anglisë, ishin një provë e rëndësishme për Partinë Laburiste pas fitores dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar. Reforma duket se po shfrytëzon këtë moment për të konsoliduar forcën e saj dhe për të rritur ndikimin në politikën britanike. (Euronews.al)