E enjte, 7 Nëntor, 2024
2.8 C
Skopje

Partitë shqiptare pajtohen me idenë për Badenter në kushtetutë

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e kërkesës për deklamimin e përkatësisë etnike gjatë punësimeve, u soll vetëm me votat e gjykatësve maqedonas, ndonëse 2 shqiptarë dhe një i bashkësisë turke ishin kundër. Një prej tyre ishte Osman Kadriu, i cili duke folur në DailyClick të TV21 tha se ata u mbivotuan për një çështje që prek pikërisht komunitetet joshumicë. Duke e quajtur vendim jo kushtetues dhe jo legjitim, Kadriu shtroi nevojën për vendosjen e një mekanizmi për votim të dyfishtë brenda Gjykatës Kushtetuese, njëjtë siç Kuvendi e ka “Badenterin”, që edhe në Kushtetuese në të ardhmen të mos ketë më mbivotim.

Edhe në Gjykatën Kushtetuese në qoftë se parashikohet këto ligje të zbatohet një mekanizëm i cili do të pengon mbivotimin edhe atëherë do të jetë shumë e arsyeshme. Nuk mund të zbatohet në qoftë se nuk mund të parashikohet, ai mjet juridik nuk parashikohet me Kushtetutë, me kushtetutë duhet të parashikohet”, tha Osman Kadriu, gjykatës kushtetues.

Partitë shqiptare, të pyetura rreth kësaj, janë shprehur pro vendosjes së një mekanizmi të tillë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetja e koalicionit VLEN, pjesë e shumicës, Saranda Imeri, tha se votimi i dyfishtë është i nevojshëm që të mos ketë mbivotim.

“Është më së e nevojshme pasi që në Gjykatën Kushtetuese dhe në organet tjera shtetërore, ku ka shumicë të anëtarëve të komunitetit maqedonas, ne si shqiptarë mbivotohemi dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Pse p.sh në Akademinë e Shkencave kemi vetëm dy anëtarë shqiptarë?! Për 20 vite ne nuk kemi arritur që të punësojmë më tepër shqiptarë”, shtoi Sarnda Imeri, deputete VLEN.

Ilir Hasani, deputeti nga radhët e BDI-së, e konsideron të turpshme që të mbivotohet në baza etnike, për një shtet që aspiron integrimin në Bashkimin Europian.

“Gjykata Kushtetuese si institucion më i lartë të sjellë punën që të mbivotohet në baza etnike është e turpshme për një shtet demokratik i cili ka intenca që të agravojë Bashkimi Europian dhe është e pakuptimtë që të ketë votime monoetnike dhe të ndahen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për një problem i cili është monoetnik. Sido që të jetë ne duhet të vendosim mekanizma mbrojtës se si do e bëjmë atë do i shfrytëzojmë të  gjitha potencialet që i kemi si BDI”, pohoi Ilir Hasani, deputet i BDI-së.

Që kjo të realizohet, do të duheshin ndryshime kushtetuese në Kuvend, që sillen me 80 vota deputetësh.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm