Partia Demokratike ka kërkuar të thërrasë në interpelancë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, lidhur me deklaratat e tija të mëparshme mbi veriun e Kosovës, pas sulmit terrorist serb.
Kryeministri Rama ka kërkuar në këtë rast edhe ndërhyrjen e paqeruajtësve të KFOR-it, për t’u vendosur në mbajtjen e rendit në komunat veriore me shumicë serbe.
Një deklaratë kjo, e cila nuk është pritur mirë as nga faktori politik në Kosovë e as nga opozita shqiptare dhe pikërisht kjo e fundit, mbi disa parime e kërkon interpelancën.
Në bazë të një shkrese dërguar në Kuvendin e Shqipërisë nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku, shpjegohet se reagimet nga Qeveria shqiptare kanë qenë kontradiktore.
“Ndërsa nga një anë dënohej akti, nga ana tjetër hezitohej të thirrej në përgjegjësi për këtë akt Beogradi dhe Presidenti Vuçiç. Postimet në rrjetet sociale të Kryeministrit, në të cilat cilësohej ngjarja e ndodhur si një “tragjedi” krijuar konfuzion në lidhje me qëndrimin e parë të Kreut të Qeverisë në lidhje me ngjarjen. Sikur kjo të mos mjaftonte në konferencën për shtyp Kryeministri Rama, i fundit nga radha i drejtuesve politik të shumë vendeve fqinje dhe partnere, me se fundmi deklaroi përgjegjësinë e Serbisë mbi ngjarjen”.
Kështu shkruan Çollaku fillimisht në shkresën dërguar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
Më tej, ai thotë se në të njëjtën konferencë Kryeministri, në mënyrë të çuditshme dhe të papranueshme kërkoi “…marrjen e Veriut të Kosovës nën kontroll nga KFOR”. Të njëjtën kërkesë ditë më parë e kishte bërë po ashtu në një konferencë për shtyp presidenti serb Vuçiç.
Mirëpo kjo kërkesë në fjalët e deputetit demokrat, është refuzuar publikisht dhe unanimisht nga institucionet e Kosovës, në të gjitha nivelet, dhe u deklarua si e pakonsultuar me Qeverinë e Kosovës, madje një propozim që cenon interesat dhe sovranitetin e Kosovës.
“Kërkesa për marrje nën kontroll nga KFOR të veriut të Kosovës është një shpallje de facto e protektoratit ndërkombëtar mbi një pjesë të territorit të shtetit sovran të Kosovës. Kërkesa cenon sovranitetin e Kosovës mbi atë pjesë të territorit të saj, si dhe kompromenton autoritetin e Policisë së Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kërkesa injoron thelbin e prezencës dhe mandatit të KFOR, si dhe raportin e saj me Policinë e institucionet e Republikës së Kosovës”, shton ai.
Gjithashtu, kërkesa e kryeminsitrit Rama injoron faktin se NATO e KFOR janë në Kosovë për të mbështetur pavarësinë e sovranitetin e saj dhe jo për ta dëmtuar apo asgjësuar atë.
Ndaj, bazuar në këto rrethana të shtjelluara dhe bazuar në rregulloren e Kuvendit, PD-ja kërkon zhvillimin e një interpelance me kryeministrin, që ai të shpjegojë publikisht qëndrimet e tija dhe të përballet me shqetësimet e opozitës lidhur me çështjen. (AP)