E hënë, 17 Shkurt, 2025
0.8 C
Skopje

PE-ja shqyrton Agjendat e Reformave të Ballkanit Perëndimor

Komisionet për Punët e Jashtme (AFET) dhe të Buxhetit (BUDG) në Parlamentin Evropian do të mblidhen të hënën e 30 shtatorit për të shqyrtuar Agjendat e Reformave të paraqitura nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lajmi u konfirmua për Albanian Post nga zyrtarja për shtyp e PE-së, Natalie Kate Kontoulis.

“Anëtarët e komisioneve të Punëve të Jashtme dhe të Buxhetit do të fokusohen në Facilitetin e Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, dhe më konkretisht në Agjendat e Reformave të paraqitura nga vendet e Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësimin në BE”, theksoi fillimisht Kontoulis.

Sipas saj, gjatë negociatave për Facilitetin, institucioni evropian këmbënguli për “kushtëzimin e fortë, si dhe një fokus të qartë në përafrimin me CFSP-në”.

Kujtojmë që, bashkëpunimi në fushën e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) është një prioritet për Bashkimin Evropian dhe partnerët e tij të Ballkanit Perëndimor.

“Vendet që shkelin ose ngecin në vlerat themelore dhe që dështojnë të përafrohen me politikën e jashtme të BE-së, nuk mund të kualifikohen për fonde shtesë”, pohoi zyrtarja evropiane.

Ndër të tjera, anëtarët e këtyre komisioneve do të duan të dëgjojnë se si Komisioni Evropian vlerësoi kërkesat e kushtëzimit, ku janë deficitet dhe si mund të ndikojnë ato në disbursimin e fondeve, ravijëzoi Natalie Kate Kontoulis.

Për çfarë bëhet fjalë?

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i ri që do të mbështesë reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Ai do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Këstet e para pritet të disbursohen këtë vjeshtë, duke ofruar një mundësi të vlefshme për vendet që të forcojnë ekonomitë e tyre dhe që të përmirësojnë përafrimin me politikat evropiane.

Parakushtet për mbështetjen në kuadër të Facilitetit do të jenë që “përfituesit të përmirësojnë, mbështesin dhe respektojnë”, ndër të tjera, mekanizmat efektivë demokratikë.

Këto, duke përfshirë funksionimin e një sistemi parlamentar shumëpartiak, mbrojtjen e mediave të lira, luftën kundër dezinformimit si dhe shtetit të së drejtës.

Parlamenti Evropian shtoi gjithashtu një parakusht për “përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë miratimin e masave kufizuese kundër Rusisë”.

Për të marrë ndonjë mbështetje në kuadër të Lehtësimit, çdo përfitues i ka paraqitur Komisionit një Axhendë Reforme për kohëzgjatjen e Instrumentit.

Sipas propozimit të KE-së, Axhendat e Reformës do të pasqyrojnë vlerësimet në Paketën më të fundit të Zgjerimit dhe Planin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Detajet e disbursimit

Pas dorëzimit të Agjendës së Reformës, një përfitues mund të kërkojë lirimin e një parafinancimi deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar nga Faciliteti.

Në vijim, fondet do të disbursohen dy herë në vit, nëse plotësohen kushtet e pagesës.

Ekspertët, megjithatë, nuk janë të sigurt se sa rreptësisht do të vlerësohet përmbushja e këtyre kushteve.

Përpara se të disbursojë ndonjë fond, Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse një përfitues plotëson dy parakushte të përgjithshme.

Për Serbinë dhe Kosovën, ekziston një parakusht shtesë, që të “angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.

Gjithashtu, parakushtet e përgjithshme për disbursimin e mjeteve janë stabiliteti makro-financiar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.

Kur të plotësohen këto parakushte, Komisioni do të vlerësojë nëse një përfitues ka përmbushur masat specifike nga Axhenda e Reformës, për të cilat do të përcaktohen afatet dhe cilat do të jenë kushtet për lirimin e fondeve dy herë në vit.

Pozicioni i Shqipërisë

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë dakordësuar për të hapur kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Shqipëria vendosi të hapë pesë kapituj të anëtarësimit (të ashtuquajturit bazat) më 15 tetor, duke ndarë rrugën me RMV-në, të cilën e kishte pikënisur në verën e vitit 2022.

“Mund të konfirmoj se Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Këshillit miratoi një letër drejtuar Shqipërisë, duke informuar se BE-ja konsideron se Shqipëria është mjaftueshëm e përgatitur për negociatat për Cluster-in 1. Shqipëria është ftuar të paraqesë pozicionin e saj negociues me synimin për hapjen e këtij grupi”.

Kështu deklaroi për AP-në, zyrtarja në Zyrën e Shtypit të Këshillit të BE-së, Liis Jaansalu.

Ky grup përfshin disa kapituj – Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria si dhe kontrolli financiar.

Bëhet fjalë për kapitullin e parë nga 33 në përgjithësi që Shqipëria duhet t’i hapë dhe mbyllë për t’u anëtarësuar në Union.

“Komisioni (Evropian ed.) pret fillimin e negociatave për grupin themelor sa më shpejt të jetë e mundur me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur pasi RMV-ja të ketë përmbushur kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli”, tha për AP-në zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm